Del modeli i ri i diplomave, nuk përcaktohet titulli që marrin studentët
Studentëve, të cilët do të mbarojnë këtë vit studimet e larta, nuk do t’u përcaktohet në diplomë titulli që u takon. Sipas një udhëzimi të ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollo, në diplomë do të shkruhet vetëm dega ku studentët kanë mbaruar dhe jo titulli që ata marrin, pasi kanë përfunduar studimet në këtë degë. Ky udhëzim, i dalë vitin e kaluar, është i vlefshëm për të gjitha universitetet e Shqipërisë, por do të zbatohet këtë vit dhe jo vitin kur ka dalë. Sipas këtij udhëzimi, në diplomë do të vendoset edhe stema e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Udhëzimi
Ky udhëzim thotë se në kokë të diplomës duhet të jetë e shkruar “Diplomë e Nivelit të Parë apo të Dytë në...” dhe me shkrim dore e shkruar dega ku studenti ka përfunduar studimet, por askund nuk përmendet titulli që ai merr, pasi përfundon degën përkatëse. Sipas udhëzimit, diploma duhet të përmbajë disa të dhëna, siç është stema e Republikës së Shqipërisë, stema e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe stema e institucionit përkatës ku studenti ka përfunduar studimet. Sipas udhëzimit diploma e ciklit të parë do të jetë në ngjyrë të kaltër të lehtë, ndërsa ajo e ciklit të dytë dhe ajo e integruara e ciklit të dytë në ngjyrë okër. Gjithashtu, sipas urdhrit të një viti më parë, diplomat duhet të shtypen në format jo më të vogël se A4 me letër jo më të vogël se 200gr/m2. “Në shtypjen e diplomave të parashikohen edhe elementë të sigurisë në letër dhe në formulimin grafik të tyre”, - thuhet në udhëzim.