Komisioni i Torturës, Shqipëria, progres në vitin 2008
Tiranë - Këshillit të Europës vlerëson në një raport se “Shqipëria ka bërë përmirësime të mëdha në përpjekjet për parandalimin e torturës dhe trajtimin e të dënuarve”. Gjatë vizitës së fundit delegacioni ka vërejtur një numër përmirësimesh thelbësore dhe shumë domethënëse që nga vizita e vitit 2006. Në rezultatet kryesore të Raportit për vitin 2008 të Komisionit për Parandalimin e Torturës në Këshillin e Europës, thuhet që në fillim se “Shqipëria ka bërë një progres të ndjeshëm, thelbësor krahasuar me vitin 2005”. Në raportin e vizitës së vitit 2005, Komisionit për Parandalimin e Torturës, Këshilli i Europës i pati shprehur shqetësime serioze rreth faktit që shumica e rekomandimeve që kishte dhënë pas vizitave të mëparshme në Shqipëri nuk ishin zbatuar. Objektivi kryesor i Raportit të vitit 2008 ishte për të parë nëse ishte arritur progres në lidhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni në vizitat e viteve 2005 dhe 2006. Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë u tregua në lidhje me trajtimin e personave të ndaluar nga policia dhe kushtet në qendrat e vuajtjes së dënimit si dhe ato të paraburgimit. Në veçanti është vërejtur se përsa i përket keqtrajtimit nga ana e policisë, ka përmirësim, ndërsa përsa u përket kushteve në qendrat e paraburgimit, jemi shumë afër që të kthehet një faqe e re. Raporti vlerëson se situata në disa qendra të paraburgimit, siç kanë qenë raportuar në vizitat e viteve 2005 dhe 2006, i përkasin të shkuarës.
19 Janar 2009