Momente të mira për Hetemajn

AlbinoLeffe e ka nisur mjaft mirë vitin 2010 në Serie B. Të martën, ekipi i Mehmet Hetemajt ka arritur një fitore të rëndësishme në shtëpi të Padovas me rezultat 0:2.
Mesfushori kosovar pati një paraqitje mjaft të mirë dhe kontribuoi në ngadhënjimin e skuadrës së tij, pas pauzës së festave të fundvitit.
Kjo fitore e ka ngritur Albinoleffen në tabelë dhe ky ekip tash frymon më lirshëm. “Për momentin po ndihem shumë mirë që po luaj, sepse besimi në vetvete është në vendin e duhur dhe ekipi po luan shumë mirë”, ka thënë përfaqësuesi U21 i Finlandës për ueb faqen finlandeze mtv3.fi
Hetemaj ka luajtur pak më shumë se një orë, në pjesën e djathtë të mesfushës. “Në pjesën e parë kisha kontakt të shpeshtë me topin dhe kam bërë punë të mirë në të dyja anët, në fazën ofanzive dhe defanzive. Loja ishte asi soji që duhej të vrapoja lart e poshtë. Pjesa e parë shkoi shumë mirë, por edhe e dyta. Pas pak më shumë se një ore, trajneri më ndërroi, kur fillova të ndihesha i lodhur. Mirëpo, do të mund të vazhdoja të luaja ende në të njëjtin ritëm”, buzëqesh Hetemaj.
Golat për Albinoleffen u shënuan në pjesën e dytë me realizues Foglion (67’) e Ruopolon (78’).