Agim Kasapolli, kërcënon me dorëheqje

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Agim Kasapolli, nuk po ndihet aspak komod në këtë post.
Që prej kur u emërua selektor në muajin shtator të vitit që e lamë pas, Kasapolli ende nuk e ka zhvilluar asnjë aktivitet të vetëm me përfaqësuesen e Kosovës, ndonëse ai thotë se ka vullnet të madh për të punuar me ekipin shtetëror.
Sipas tij, fajet për moszhvillimin e asnjë aktiviteti deri më tani të përfaqësueses së Kosovës duhet t’i bartin drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Madje, si duket Kasapollit po i humbet durimi. Ai ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje nga posti i selektorit, në rast se FBK-ja nuk e organizon ndonjë ndeshje miqësore me ndonjë kombëtare të huaj për datën 17 shkurt – Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Por, jo vetëm kaq. Kasapolli thotë se nëse përfaqësueses së Kosovës nuk i organizohet një ndeshje miqësore më 17 shkurt, atëherë bashkë me të në shtëpi duhet të shkojnë edhe zyrtarë tjerë të lartë të FBK-së, për të cilët thotë se nuk po punojnë, përfshirë këtu edhe kryetarin e saj, Erolld Belegu.
“Nëse më 17 shkurt nuk organizohet një ndeshje ndërkombëtare, atëherë prej kryetarit e deri te selektori duhet të shkojmë të gjithë në shtëpi. Atëherë nuk do të kemi arsye t’i mbajmë edhe më tej këto detyra. Unë mund të jap dorëheqje qysh nesër, por dorëheqje duhet të japin edhe ata që nuk po punojnë”, deklaroi Kasapolli për Express.
Ai tha se nuk i takon atij ta bartë përgjegjësinë që përfaqësuesja e Kosovës ende nuk e ka zhvilluar asnjë aktivitet deri më tani, që prej kur është emëruar seleksionues. Sipas Kasapollit, për këtë fajet u takojnë drejtuesve të basketbollit kosovar.
“Mua nuk duhet të më pyet askush pse nuk e kemi zhvilluar asnjë aktivitet deri më tani me përfaqësuesen e Kosovës. Unë jam i përgatitur për ta dhënë maksimumin. Por, kjo pyetje duhet të bëhet aty ku duhet me pyet. Kush organizon ndeshje, kush menaxhon, kush e bën politikën e Federatës. Unë nuk jam njeri që i organizoj ndeshjet, por si selektor, unë jam njeri që i udhëheq ndeshjet. Kurse Federata është ajo që duhet t’i organizojë ndeshjet”, theksoi selektori kosovar.
Ndërsa, kohë më parë, kreu i FBK-së, Erolld Belgu, pati njoftuar për Express se është duke bërë përpjekje ta bind përfaqësuesen e Malit të Zi që ta zhvillojë në Prishtinë një ndeshje miqësore me reprezentacionin e Kosovës më datën 17 shkurt.