E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monika Selesh: Jeta ime mes shkëlqimit dhe errësirës

Është një nga tenistet më të famshme në botë, me një pafundësi çmimesh, kupash e turnesh të fituar, me një emër të madh që ende sot e kësaj dite, pavarësisht viteve të largimit nga fusha e lojës, mbahet mend nga shumë sportdashës. Pikërisht ata e mbajnë mend, veç të tjerash, edhe për rivalitetin, shpesh të egër me një tjetër teniste të madhe që ka bërë historinë në sport, gjermanen Steffi Graf. Monika arriti madje të shkonte aq larg në profesion sa të eklipsonte edhe "magjistaren" e raketës Martina Navratillova. Por gjithë kjo rendje e madhe në autostradën e suksesit nga një ndeshje në tjetrën, që i dha fitoren e tetë kampionateve të ndryshme, ndali në mënyrë të dhunshme në prillin e vitit 1993, kur Monika e famshme dhe e pandalshme ishte vetëm 19 vjeç, edhe pse në kulmin e suksesit. Një tifoz i Steffi Graf-it zbriti në fushë, gjatë një ndeshjeje që po zhvillohej në Hamburg dhe e qëlloi tenisten me thikë pas shpine. Ishte një thikë e mprehtë kuzhine, një goditje që ia ndryshoi tenistes një herë e përgjithmonë skenarin e lojës së fushës dhe lojës së jetës. Që nga ai moment, që vetëm falë rastësisë nuk u shndërrua në momentin e fundit të ekzistencës, për tenisten nisi një tjetër rrugëtim, që nuk kishte të bënte më me shpejtësinë marramendëse të viteve të suksesit dhe fitoreve të njëpasnjëshme. Që nga ai moment nisi një dhjetëvjeçar shumë zhgënjyes, i shoqëruar me një traumë të rëndë psikologjike dhe dëshpërim gati kronik. Ishte një

dhjetëvjeçar, gjatë të cilit Selesh kërkonte kudo pak prehje e mbështetje, duke mos reshtur së kërkuari edhe çelësin magjik që do ta kthente sërish në jetë, edhe pse e dinte që jeta e mëparshme do të mbetej vetëm një kujtim. Ngushëllimin e parë e gjeti tek ushqimi. Kështu u shndërrua në një vajzë obeze, me një peshë që sa vinte e shtohej muaj pas muaji, derisa ish-sportistja nuk arrinte të njihej më as nga njerëzit e afërm. Kjo pasi deformimi trupor që pësoi ishte shumë i madh. Sot Selesh është 35 vjeçe. Është e gjatë, shumë më e gjatë nga sa mund ta keni imagjinuar kur e keni parë në fushën e lojës, elegante, shumë më elegante se gjatë viteve të sportit. Zëri i saj ka ende një tingëllimë të theksuar vajzërore. Që prej pesë vitesh është tërhequr plotësisht nga sporti dhe jeton në Florida, në një vilë të mrekullueshme e në shoqërinë e katër qenve. Kur e pyesin se si do të kishte qenë jeta e saj nëse nuk do të kishte pësuar dramën e thikës, ajo përgjigjet: "Do të isha çmendur me siguri. Ashtu siç po shkonin gjërat në jetën time do të kisha kapur me dorë të gjitha trofetë dhe në fund do të ndihesha e boshatisur. Për mua fitorja më e madhe nuk janë kupat e kampionateve, por fakti që mund të rikthehesha në jetën normale nga depresioni dhe obeziteti ku u zhyta për shumë vite me radhë". Ndërkohë Monika ka shkruar një libër me titull "Të ngjitesh në majë". Është një autobiografi ku rrëfen për sportin dhe jetën e saj pas përfundimit tragjik të ndeshjes së Hamburgut. Është një libër ku rrëfehen ditët e vështira, por edhe kohët kur më në fund, falë forcës së rigjetur brenda vetes, Monika ia doli mbanë të fitojë vetveten. Një libër edhe mbi dietën e duhur për femrat, që nuk të rrëfen se sa dhe si duhet të hash, por se si duhet të jetosh, sepse sipas përvojës së Selesh gjithçka, edhe ushqimi, varet nga mënyra jonë e të jetuarit. Monika rrëfen për një karrierë me ekstreme të jashtëzakonshme që e çuan gati në çmendi. Në thelb të tregimit të jetës së saj është "humbja e pafajësisë" në një botë parash, fitoresh e marketingu, ku sporti shpesh shndërrohet në dhunë dhe mashtrim. "E dija që isha një teniste, që dominoja sportin e tenisit dhe që si pasojë duhet të isha një njeri i lumtur, por kjo nuk ishte e mundur. Suksesi nuk ishte formula e duhur për lumturinë, të paktën në rastin tim", thotë Selesh. Sot është e bindur se mënyra se si doli nga gjendja e rëndë psikologjike ku e kishte futur fama dhe dhuna fizike që u ushtrua mbi të, mund të ketë një vlerë për shumë të tjerë që janë aktualisht në gjendjen në të cilën ajo ishte dikur. Kështu flet me lot në sy kur lexon e-mailin e një lexueseje të librit të saj. Është një lexuese nga Italia, që kishte vuajtur për një kohë të gjatë nga çrregullimet e ushqimit dhe që, edhe falë librit ku Selesh tregon dhimbjen personale, arriti që të dalë nga gjendja depresive e të ketë një marrëdhënie më të shëndetshme me të ngrënët dhe vetë trupin e saj. Jetët e profesionistëve të tenisit janë jo vetëm të vështira, por edhe në qendër të vëmendjes. Shpesh kampionët e tenisit janë të tillë falë prindërve të tyre, që i kanë ushtruar që të vegjël jo vetëm me lojën, por edhe me ambicien për t‘u bërë të famshëm dhe të pasur. E tillë është edhe historia e kampiones, e cila nisi kur ishte vetëm 5 vjeç. Një mëngjes kur ishin me pushime në detin Adriatik, Monika pa të atin me të vëllain tek fusnin në çantat e plazhit dy raketa tenisi. Kur e pyeti të atin se ku po shkonin, ai iu përgjigj: "Të luajmë tenis". Fjala "luaj" e kishte ndjellë dhe ajo ishte kujtuar se duhet të ishte shumë qejf që të luaje, ndaj kishte kërkuar që ata ta fusnin edhe atë në lojë. Që nga ai moment kur i ati ia dha për herë të parë raketën në dorë, për të do ishin të pakta rastet kur nuk do të luante. Familja e saj jetonte në Novi Sad në Serbinë e ish- Jugosllavisë. I ati ishte një karikaturist politik dhe punonte në shumë gazeta të vendit, por në rini kishte qenë atlet shumë i mirë, një kampion kombëtar i kërcimit së larti. Me kalimin viteve i kishte ardhur keq që nuk kishte mundur ta vazhdonte karrierën sportive dhe ishte i vendosur që fëmijët e tij t‘i shndërronte në sportistë të mirë, në mënyrë që ata kur të ishin në moshën e tij, të mos kishin keqardhje. Kur Monika nisi të luante tenis, i vëllai, Zlotan, ishte një emër i famshëm në vend dhe jashtë tij dhe ishte ndeshur disa herë me Boris Becker dhe Stefan Edberg. Brenda Monikës së vogël lindi dhe u zhvillua ambicia që ta mundte të vëllain e të bëhej më e mirë se ai, edhe pse i vëllai ishte tetë vjet më i madh. I ati nuk e nxiste përtej masës, ndërsa e ëma dhe gjyshja thoshin se nuk ishte normale për një vajzë të luante tenis. Por Monika vazhdonte me të vetën dhe ishte një fëmijë shumë i talentuar. Këtyre viteve të fëmijërisë dhe rinisë së parë, Monika i rikthehet gjithmonë me shumë nostalgji dhe gëzim. E vetmja frikë që ajo ndjente në atë kohë ishte frika nga humbja. Sipas saj edhe tenistët e tjerë, me të cilët ajo pat biseduar, edhe pse vinin nga vende dhe përvoja të ndryshme, kishin një emërues të përbashkët: frikën nga humbja. Ajo ishte më e fortë dhe më e thellë se dëshira për të fituar. Vetë Selesh ishte e mbushur me atë frikë. Karriera e Seleshit ishte e shpejtë dhe e vrullshme. Në moshën 13-vjeçare ishte raketa e 18-të në botë. Një vit më parë, në një kampionat, atë e kishte pikasur një trajner amerikan, që e ftoi të mësonte e të stërvitej në akademinë e tij në Florida në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht ajo u zhvendos me të vëllanë e më pas tërhoqi gjithë familjen me vete. Para se të shkonte në Florida nuk dinte asgjë për botën e tenisit dhe tenistët. I ati e këshillonte që të luante çdo ndeshje, sikur të ishte ndeshja e fundit, me një përqendrim maksimal te momenti e pa menduar tjetër gjë. Por me të mbërritur u dallua menjëherë mes moshatarëve dhe lojtarëve të tjerë që stërviteshin. "E lashë familjen dhe gjithë miqtë që kisha, si dhe vendin tim në moshën 13-vjeçare, për të filluar një jetë krejt e vetme, një jetë shumë të vështirë fizikisht dhe emocionalisht. Ishte një moshë kur je shumë e pasigurt për trupin tënd dhe për çdo gjë tjetër. Kisha leje që të flisja në telefon me familjen vetëm një herë në muaj. Kur shkova në Amerikë mendoja se flisja mirë anglisht, por aty e pashë që mezi merresha vesh, por mbi të gjitha isha ende një fëmijë pa familje, në një botë të ndryshme". Për trajnerin amerikan ajo ishte ylli i tij, me të cilin do të fitonte turnetë dhe kampionatet botërore. Ndërkohë e kishte vënë Monikën në stërvitje të vazhdueshme e shpesh dërmuese. Selesh rrëfen se kurrë nuk ia kishte pranuar vetes se ishte një lojtare e madhe dhe se kishte aftësinë që të bëhej një kampione derisa arriti që të mundte Stefi Graff-i në "French Open" në vitin 1990, kur ishte vetëm 16 vjeçe. Me këtë fitore nisi edhe karriera marramendëse e Selesh. Për tre vjet rresht ajo fitoi çdo lloj gare me përjashtim të Wimbledon-it, derisa në vitin 1993 gjithçka ndryshoi brenda një sekonde të vetme. Në lojën e fundit në Hamburg, ajo vinte me fitoren e kampionatit të Australisë dhe me shpresën për fitore të tjera. Në këto e sipër, ndërsa kishte mbaruar një set dhe po shkonte të ulej për t‘u çlodhur, një person me emrin Gunther Parche, 38 vjeç, dhe i çmendur pas Stefi Graff dhe njeri që ushqente urrejtje për Seleshin që i kishte "grabitur" Graff numrin 1, ndryshoi historinë e tenisit, duke e goditur Selesh pas shpine me thikë. Selesh është shumë e kujdesshme kur flet për atë moment, sepse kur e kujton i duket sikur kthehet sërish në zonat më të errëta të jetës. Tronditja ishte njëra anë dhe dëmi i shkaktuar ana tjetër. Nëse do ta kishin goditur një centimetër më në të djathtë të kraharorit, ajo do të ishte paralizuar për jetë. Por sipas saj, gjëja më e vështirë ishte vetëdija se jeta që kishte pasur deri më atëherë, gjithë sakrificat që kishte bërë, ishin zhdukur sa hap e mbyll sytë. Ajo thotë se pikun e lojës e kishte ende përpara. Pas goditjes, ndërsa plaga e jashtme iu shërua, ajo që i ishte shkaktuar në shpirt po i përkeqësohej dita-ditës. E kishte kapur një tmerr nga loja, topat, raketat, kampionatet e vetë njerëzit. I dukej sikur të gjithë do t‘i ngulnin një thikë pas spine dhe do ta paralizonin për vdekje. Ndërsa ndodhej në spital për t‘u kuruar mëson se i ati kishte kancer dhe ishte në gjendje shumë të rëndë. Madje për këtë ai nuk kishte marrë pjesë as në turneun e Hamburgut. Ky lajm nuk mund të kishte ardhur në një moment më të keq për Monikën. Graff erdhi dhe e pa Monikën në spital, por qëndroi vetëm dy minuta. Në fund të fundit ato kishin qenë rivale të përjetshme dhe nuk kishin ndarë kurrë ndjenja miqësore së bashku. Një tjetër torturë për Selesh ishte edhe vetë atentatori, i cili u dënua shumë pak për shkak të një raporti mjekësor për paaftësi mendore. "Isha rritur në fushat e tenisit dhe kjo fushë ishte vendi ku për vite isha ndjerë më e sigurt dhe më e mbrojtur se në asnjë vend tjetër dhe atë ditë në Hamburg, çdo gjë m‘u mor me shumë forcë e dhunë: pafajësia, karriera, të gjitha të ardhurat nga tenisi, emri dhe çka ishte më e rëndë ishte se i vetmi person që mund të më ngushëllonte në këto momente, im atë, ishte i sëmurë për vdekje", thotë Selesh. Në këto kushte ajo nisi të hante, të hante pareshtur, çdo gjë që i dilte përpara. Me ushqimin kishte pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira. Asnjëherë kur ishte mitur nuk e kishin detyruar që të hante, pasi ajo hante vetë dhe bollshëm dhe pas sulmit nisi ta bënte gjithnjë e më shpesh. Trajneri i saj u mundua që ta kthente sërish në fushën e lojës përmes një regjimi diete olimpike, por Selesh ditën stërvitej dhe natën hante patate të skuqura. Në moshën 21-vjeçare kur mund ta kishte botën nën këmbë, ajo qëndronte e mbyllur në shtëpi, duke konsumuar sasi të jashtëzakonshme patatesh. E gjithë frika ime kishte të bënte me faktin se po të dilja të luaja sërish, personi që më kishte qëlluar dhe që kishte dalë nga burgu mund të më qëllonte sërish dhe këtë herë për vdekje, dhe si në rastin e parë, askush nuk do të më ndihmonte". Kur dilja në publik dëgjoja komente nga më të ndryshmet për veten, komente përçmuese për peshën time trupore. Brenda vetes e dija që ata kishin të drejtë, por iu riktheva ushqimit për komfort, për të qetësuar veten dhe për t‘u mbështetur diku. Në atë periudhë u përpoqa shumë që të bie në peshë, sepse e shihja që tenisi me futjen e Kournikovës ishte shndërruar në një pasarelë mode. Fundet e shkurtra donin këmbë të holla. Tenisi nuk të fal". Pas shumë përpjekjesh dhe një loje që shpesh linte për të dëshiruar, Selesh fitoi vetëm një turne, atë të Australisë, në vitin 1996, por edhe pse mund t‘ia kishte dalë mbanë, nuk ndalonte së ngrëni dhe kjo sigurisht që e dëmtoi pa masë. Shtypi, sidomos në ditët e mia më të këqija, ka qenë shumë i keq me mua. Në konferencat e shtypit më duhej që të qëndroja para gazetarëve sportivë që kishin shkruar për trashësinë time trupore, e që vetë ishin si mos më keq, e t‘u përgjigjesha ndërkohë që më vinte t‘u thosha të shikonin kilet e tyre e të mos merreshin me mua. Sot sërish në formë të shkëlqyer trupore, Monika qesh me atë kohë, por në ato vite jeta i ishte kthyer në një ferr. Më në fund, kur situata doli jashtë kontrollit, ajo merr vendimin ta ndryshojë para se të bëhej shumë vonë. Kështu nisi punën me instruktorët e fitnesit, por mbi të gjitha ajo vendosi që ta linte pas të shkuarën dhe të qetësohej, të relaksohej. Prenotoi disa pushime të gjata, mbylli celularin, harroi tenisin dhe konkurrencën dhe për herë të parë në një dhjetëvjeçar e pa veten të hante fruta në vend të patatinave. Mbi të gjitha nisi të bënte ecje të gjata. "Gjatë këtyre ecjeve nisa të rigjej vetveten". Ajo e kuptoi se ushqimi ishte një mënyrë për të fshehur dhimbjen. Pasi erdhi në formë të mirë fizike e dinte se nuk mund të rikthehej më në fushë, por i duhej të merrte vendimin më të vështirë për çdo sportist karriere, atë se çfarë do të bënte me jetën e saj tani që sporti nuk do të ekzistonte më. Paratë nuk ishin problem. Ajo kishte fituar 15 milionë dollarë, pa përmendur fitimet nga reklamat. E ndërsa mendonte për të ardhmen, nuk e ndali për asnjë çast të ecurit dhe të qenit e ndershme me veten. Të ecurit e rinjohur me nevojat e shëndetshme të trupit të saj, që dikur e kishte pasur aleatin më të mirë. Pushoi së menduari për kampionatet që do të kishte fituar, për kupat që do të kishte renditur në raft. Monika e di që është një sfidë që nuk ka marrë fund dhe ashtu siç e mësonte i ati, do përqendrim dhe duhet të konsiderohet sikur të ishte beteja e fundit e jetës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›