Monitorimi i Komisioneve, IDN: Mungesa e PS, bllokoi ligjet

Komisionet parlamentare kanë funksionuar shumë pak dhe në rastet kur kjo ka ndodhur ata kanë funkionuar keq. Konkluzioni vjen nga monitorimi që i është bërë komisionit të Integrimit dhe të Sigurisë nga Instituti për Demokraci dhe ndërmjetësim, ku vihet re se bojkoti i opozitës ka dëmtuar vendimarrjen në këto komisione.
“Bojkoti i opozitës ka prekur jetën parlamentare dhe komisionet parlamentare, nga një total prej 90 mbledhjesh që janë mbajtur nga komisoni i Integrimit, anëtarët kanë qenë prezent deri në 45% të tyre, anëtarë individualë të komisionit kanë marrë pjesë akoma më pak, 35-36% të mbledhjeve”, shprehen përfaqësuesit e institutit.
Por, sipas këtij instituti ka raste, kur mazhoranca ka shkelur rregullat duke miratuar ligje pa kuorumin e nevojshëm. Raporti i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ka monitoruar punën në këto dy komisione për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Në këtë raport është evidentuar problematika e hasur në këto komisione, të cilat lidhen me raportimin e ministrave përkatës në komisione, me mungesën e shoqërisë civile në mbledhjet e komisioneve etj.