Montanelli - il vecchio dhe politikat kulturore të fashizmit në Shqipëri
Ekskluzive
Misioni i Sestilio Montanellit në Shqipëri. Babai i gazetarit të shquar italian të shekullit të njëzetë, Indro Montanelli dhe politikat që si drejtor i shoqatës "Dante Alighieri" dhe si këshilltar zbatonte në fushë të kulturës dhe gjuhës, në emër të qeverisë fashiste
Prej disa javësh është njoftuar organizimi i një feste në Tiranë, në Bibliotekën Kombëtare, për datëlindjen e njëqindtë të Indro Montanellit.
Autor i dy librave për Shqipërinë, "Albania una e mille" (1939) dhe "Vecchia e nuova Albania" (1939), Montanelli, gazetar i jashtëzakontë, me një jetë jo dhe aq të zakontë, njeri i kulturës, i cili "qoftë për mirë qoftë për keq, ka përfaqësuar për shumë vjet gazetarinë italiane".
Tani mund të thuhet se ka vend për të folur për Montanelët në Shqipëri.
Arkivi Qendror Shtetëror nuk disponon gjë për gjurmë të Indro Montanellit nga shërbimi në Shqipëri, në prag të pushtimit italian. Nga korrespondencat për "Corriere"-n, lindi libri "Albania una e mille" (1939).
Por ka një dosje për Montanellin, atin, profesor Sestilio Montanelli i ngarkuar me punë si ekspert i kulturës pranë qeverisë shqiptare dhe më pas pushtimit, drejtor i përgjithshëm i shoqatës "Dante Alighieri", duke qenë drejtpërdrejt i lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e politikave kulturore të qeverisë fashiste në Shqipëri.
Dosja e Sestilio Montanellit nuk është shumë modeste për nga sasia e fletëve, por befasuese për forcën sintetike të ideve dhe rregullave se ku dhe pse duhet ndërhyrë në territorin vendas kulturor, intelektual dhe të institucioneve të edukimit dhe të propagandës. Në tre raporte të prof. Montanellit, para, pas dhe gjatë pushtimit, bëhet fjalë për një plan kolonizues për kulturën dhe gjuhën.
Në raportin e datës 23 mars 1939, drejtuar ministrit të Plotfuqishëm të Italisë në Tiranë, të cilën e firmos si ekspert italian pranë qeverisë shqiptare, ai trajton tri çështje që i duken me rëndësi.
E para ndër to është fakti që, në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë, jepet si lëndë e detyruar "Edukata qytetare dhe morale", në mënyrë të tillë që mësuesit ose e sajojnë lëndën nga koka e tyre, ose e u referohen fletushkave franceze.
"Dhe çfarë u mësohet? U ngrihet në qiell Shoqëria e Kombeve; paqja kolektive; siguria kolektive; kritikohen shtetet totalitare; përçmohet nacionalizmi; u hyjnizojnë të ashtuquajturat principe të pavdekshme; trajtohet kriticizmi politik; paditet fashizmi etj." Çfarë mjekimi ofron prof.
Montanelli për këtë gjë? "Për të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë, jemi ne që duhet të përgatisim një tekst të Edukatës Qytetare dhe Morale, ta përgatisim sipas direktivave tona dhe sipas mentalitetit tonë. Nuk besoj se duhen shumë shpenzime për botimin e librit".
Montanelli, plaku, nëse i jepet urdhër është gati ta përgatisë vetë një tekst Edukate, një version shqiptar të botimit. "I vetmi shpenzim që duhet hequr është për materialin bibliografik, shpenzim që mund të jetë 250 franga shqiptare".
Tek i njëjti raport (AQSH/F163, viti 1939, dosje 402) duke mbetur tek tema e formimit shpirtëror të të rinjve shqiptarë "sipas direktivave tona", propozon një emision të përjavshëm në radio, me titullin "Ora e studentit", ku të trajtohen tema për historinë e Italisë dhe letërsinë italiane.
Në relacionin dërguar Legatës Italiane, ai trajton çështjen e reformës së rregullores shkollore "sipas tipit fashist që i përshtatet një shteti totalitar, e hapur ndaj kulturës italiane dhe romane.
Të tilla projekte që janë diskutuar gjatë dhe janë miratuar nga ministria dhe nga drejtoritë më të larta të ministrisë, shumë shpejt do të shkojnë për diskutim dhe miratim në Parlament... Në këtë mënyrë, Shqipëria do të ketë një legjislacion shkollor dhe një aparat për Institutet që u përgjigjen direktivave të një Regjimi Fashist."
Më tej, profesor Montanelli trajton "nevojat" për një Enciklopedi Shqiptare, "një vepër fondamentale për depërtimin tonë në shtresat e mesme të këtij populli". Kjo enciklopedi do të botohej nga shtëpia e famshme Mondadori dhe për ta kryer këtë punë, profesori italian kishte gati albanologët që do të merreshin me përpilimin e zërave. Në vazhdën e kësaj "politike penetrimi", prof.
Montanelli përmend kurset e gjuhës italiane që ishin më se të përhapura dhe hapi numër një i politikave kulturore; hartimin e një udhërrëfyesi letrar-artistik për Shqipërinë; i një filmi italian për Gjergj Kastriotin, por i dubluar në shqip, i xhiruar në Shqipëri dhe me masa shqiptarësh që "do ta thjeshtojnë ndjeshëm depërtimin tonë në shtresat e mesme e të ulëta të këtij populli". Për këtë projekt, që me sa duket nuk u realizua kurrë, ekzistonte mbështetja e Ministrisë shqiptare të Kulturës Popullore.
Në raportin e 17 shtatorit 1941, një raport relativisht i gjatë, prof. Montanelli i drejtohet Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Mbretit të Shqipërisë nga pozita e drejtorit për marrëdhëniet kulturore dhe e Drejtorit të Përgjithshëm për "Dante Alighieri"-n. Është nga më i gjati dhe nga më interesantët e dosjeve.
Këtu kemi të bëjmë vërtet me një plan në sektorin e gjuhës dhe të kulturës, i cili ka katër pika bazë:
"Orientimin e brezit të ri drejt dygjuhësisë italo-shqiptare;
Krijimin e një vetëdije perandorake, që e pretendojmë tek brezi i ri dhe klasa intelektuale;
Zbehja dhe, nëse është e mundur, zhdukja e atij racionalizmi kritik, i përhapur ndër intelektualë dhe që është motivi kryesor për atë nacionalizmin e tyre anormal që i largon nga ne, i bën konfliktualë;
Intensifikimi i raporteve kulturore".
Për këtë çështje të fundit, "Dante Alighieri" duhej të angazhohej për krijimin e një biblioteke të furnizuar mirë me tituj, që nga viti 1914 e deri në kohën kur përpilohej ky plan; kurse "të ashtuquajturës klasë intelektuale", sipas profesorit, do t'u vlente "për formimin e një vetëdijeje perandorake "Lecturae Dantis". Këto ishin cikle leximesh për hir të l'idea imperiale romana dhe prej "Komedisë" aty duhej të lexoheshin vetëm këngë të veçanta.
Detyra, ndoshta e fundit që profesor Montanelli bëri në Mbretërinë e Shqipërisë, ishte detyra e Këshilltarit të Përhershëm në Ministrinë e Edukimit Publik.
Nga ky post ai ka shkruar një raport, mban datën 2 mars 1942, mbi një hetim që ka bërë në Shkodër në dy institute, për të gjetur studentët rebelë, kundërshtarë të regjimit fashist, "grupe bolshevike dhe sigurisht antiitaliane dhe armiq të qeverisë aktuale të Shqipërisë, që bëjnë propagandë tek studentët dhe punëtorët..."
Ndër emrat e identifikuar janë studentet Drita Dervishi, Belkize Buley, Biserka Kokoshi, etj; studentët Adem Fishta, Vangjel Capo, Tod Shkurta, etj., dhe nga profesorët armiq të regjimit, Nush Banda, Mark Ndoja, Rexhep Neziri, Prenk Kaçinari.
Në një konspekt historiko-politik, që mban në krye emrin e Shoqatës "Dante Alighieri" dhe që mendohet të jetë i Indro Montanellit, por në fakt kaligrafia duket si e prof.
Montanellit: "Lidhjet ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë janë garantuar nga statuti që Mbreti Viktor Emanueli III i ka dhuruar popullit shqiptar" dhe se "populli italian dhe shqiptar kanë të drejta krejtësisht të barabarta civile dhe politike.
Italianët dhe shqiptarët janë tashmë dy popuj vëllezër. Shqiptarët kanë flamurin e tyre; është flamuri i një populli që do të ketë të njëjtin fat me tonin dhe duhet ta respektojmë dhe, nëse e lyp nevoja për ta mbrojtur me gjakun tonë.
Këtë flamur shqiptar të Skënderbeut e kemi ngritur edhe në tokat shqiptare akoma të pushtuara, duke krijuar kështu Shqipërinë e madhe. Në raportet e shumëfishta me këtë popull shqiptar, ndjenja e vëllazërisë duhet të jetë normë për të gjitha aktet tona.
Vetëm kështu, duke vënë në jetë idealet tona fashiste - drita e shkëlqyer dhe e sigurt e së ardhmes sonë - do të bëhen ideale të vetë popullit shqiptar". (AQSH, Fondi "Shoqëria Dante Alighieri", Dosja 12, Viti 1939."
Sestilio Montanelli, njohës i kulturës së lashtë greke, toskan nga Fuçekio (Fucecchio), vendlindja e Indro Montanellit (22 prill 1909), origjina shoqërore e të cilit ishte nga borgjezia e vogël, para se të merrte një mision të tillë në Shqipëri, ka qenë një profesor dhe drejtor modest liceu në disa qytete dhe nëpër këto migrime të familjes Montanelli do të kalonte Indroja, deri në periudhën e rinisë së hershme. Është shkruar se Indro ishte shumë i lidhur me të ëmën, Maddalena Doddoli.
Jo fort të mira i kishte raportet me të atin. Montanelli vetë do të thoshte: "mes meje dhe tij kishte patur një lloj përçarjeje" - edhe pse do ta kujtonte me emocion përshëndetjen e të atit, kur do të nisej vullnetar për në Abisini. Megjithatë, me kalimin e viteve, ai pohonte: "i ngjaj për herë e më shumë tim eti".
Fondi "Shoqëria Dante Alighieri" në Arkivin Qendror Shtetëror, nuk ofron asnjë foto të Sestilios, prandaj, veç faksimileve në origjinalin italisht që janë shfrytëzuar për këtë artikull, po shfrytëzojmë disa foto marrë nga faqja elektronike, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Indro Montanellit. Aty është e vetmja foto e profesor Sestilio Montanellit me të shoqen dhe Indron fëmijë.