E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i PS-së për pensionet e ushtarakëve

Ish-ushtarakët janë një nga shtresat më të "dënuara" në këto vite, pasi janë larguar nga detyra me premtime për pensione suplementare, përveç atij normal, por nuk e kanë marrë këtë gjë në formën e duhur.


Edhe pse kanë ankimuar dhe fituar çështjen e tyre në Gjykatën Kushtetuese, ish-ushtarakët nuk kanë marrë ende shpërblimin e merituar. Programi i PS-së ka një kapitull të veçantë për këtë çështje dhe në një intervistë për "Shekulli"-n, Ilir Gjoni shpjegon pikat e tij.


Z. Gjoni, Partia Socialiste ka nisur turin e prezantimit të programit të saj qeverisës. Pjesë e këtij turi kanë qenë dhe premtimet për Forcat e Armatosura, të cilat që prej vetëm pak ditësh përfaqësojnë Shqipërinë në NATO. Konkretisht, çfarë parashikojnë socialistët se do të bëjnë për të përmirësuar edhe më tej statusin shoqëror të ushtarakëve, por edhe gjendjen e ushtrisë shqiptare?

Programi i Partisë Socialiste është fryt i një pune intensive disavjeçare, është reflektim dhe pasqyrim i përvojave të mira të vendeve me problematika të ngjashme dhe koncentrat i përvojës së ekspertëve të Partisë Socialiste, në bashkëpunim të ngushtë me grupet e interesit, në rastin konkret me shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, si dhe organizata të tjera të ngjashme.


PS-ja, përmes programit të vet qeverisës, synon të vërë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të ushtarakëve. PS-ja ka denoncuar qëndrimin përbuzës dhe denigrues të qeverisë ndaj shtresës së ushtarakëve aktivë të FA-së, të atyre në rezervë, në lirim apo në pension pleqërie.


Këta janë shërbëtorë të atdheut dhe kontribuues të pamohueshëm të asaj çka Shqipëria arriti këto ditë, që është anëtarësimi në NATO.


Ne e konsiderojmë detyrë dhe përgjegjësi vënien në vend të detyrimeve dhe korrigjimin e padrejtësive që u janë bërë ushtarakëve. Të gjithë ushtarakët, kur kanë marrë detyrën, kanë bërë betimin para atdheut se do t'u shërbejnë me përkushtim interesave të tij, duke besuar dhe respektuar autoritetet shtetërore, qeverinë dhe të zgjedhurit e tyre.


Është tragjike që, sot, ata të jenë të detyruar të luftojnë për atë çka u është premtuar jo me fjalë, por me ligj. Nëpërkëmbja e ushtarakëve shqiptarë u shpreh qartë sidomos pas ngjarjes së Gërdecit, kur politika e vjetër e Sali Berishës, për të mbuluar korrupsionin e vet material e politik, bëri terror tërë drejtimin e ushtrisë shqiptare.


Veprimi i Berishës dhe qeverisë së tij, sjellja poshtëruese ndaj ushtarakëve, që janë promotorët dhe aktorët kryesorë të integrimit të Shqipërisë në NATO, ngjall reminishencat e hidhura të 1974-ës, kur drejtimi i ushtrisë shqiptare u vu në gijotinë, kur ushtria shqiptare u depersonalizua dhe u nëpërkëmb, pasojat e së cilës u ndjenë për dekada me radhë.


Ishte pikërisht korrupsioni, nepotizmi, përqendrimi i pushtetit dhe politizimi i ushtrisë, ato që çuan dhe në denigrimin e saj, si në rastin e Gërdecit ashtu dhe në rastin e ngjarjeve të 1997-ës.


Partia Socialiste e Shqipërisë, me marrjen e pushtetit më 29 qershor, do të ndërmarrë një sërë hapash të menjëhershme për të rivendosur, pa mëdyshjen më të vogël, në vend, dinjitetin dhe të drejtat e ushtarakëve shqiptarë.


Gjatë një takimi me ish-ushtarakët, kreu socialist, Edi Rama, ka deklaruar se qeveria e socialistëve do të njohë problematikën që lidhet me pensionet suplementare të tyre, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007. Si mendoni se do ta zgjidhni këtë çështje?


Rasti i ushtarakëve në rezervë është dhe një ndër rastet tipikë që nxjerr në tërë lakuriqësinë dhe vetë falsitetin e deklaratave të qeverisë për respektimin e ligjit dhe aq më shumë për kontributin e përveçëm të kësaj qeverie sa i përket integrimit në NATO.


Më 23.3.2004 u miratua me unanimitet ligji nr. 9210 "Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i cili përcakton të gjitha detyrat dhe të drejtat e ushtarakut aktiv, por edhe atij rezervist.

Lidhur me pensionet e ushtarakëve, statusi përcaktonte nxjerrjen e një ligji të posaçëm. Në zbatim të statusit, më 20.5.2005, Parlamenti miratoi me konsensus ligjin nr. 9418, "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë". Ky ligj u miratua me konsensus të plotë, nga të dy krahët e politikës.


Por, në vend që mazhoranca e sotme të përcaktonte modalitetet për të vënë në zbatim këtë ligj, bëri të kundërtën. Që në fillim të veprimtarisë së saj, pezulloi zbatimin e këtij ligji, dhe e ndryshoi atë. Por, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin e miratuar nga qeveria me forcën e kartonit, duke i kërkuar qeverisë zbatimin e tij.


Ende sot kjo çështje mbetet e pazgjidhur dhe ushtarakët ende mbeten të fyer në dinjitet e të nëpërkëmbur. Ish-ushtarakët nuk kërkojnë privilegje, ata kërkojnë vetëm të drejtat e tyre dhe PS-ja u garanton se pas 28 qershorit do të korrigjojë këtë padrejtësi. Zgjidhja e këtij problemi është fare e thjeshtë: zbatimi i ligjit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese pa hezitim.


Ndërkohë që ditët e fundit ekzekutivi ka përgatitur një draft të ri për këtë çështje, ku parashikon një ndryshim thelbësor për pensionet e pleqërisë së ish-ushtarakëve, duke përcaktuar se mënyra e përllogaritjes së pensionit tashmë nuk do të jetë mbi bazën e pagës minimale, kur ai ishte nxjerrë në lirim të parakohshëm, por mbi bazën e pagës kur ai ka qenë në detyrë. Mirëpo, vetë ushtarakët e kanë kundërshtuar edhe këtë skemë. Ju, si forcë që kërkoni të vini në pushtet, si do ta trajtoni këtë kategori?


Asgjë nuk e pengon qeverinë, ligjërisht, t'u japë të gjithë ushtarakëve në pension të plotë pleqërie, që e kanë fituar të drejtën e pensionit para vitit 1991, suplementin e shumëpritur.


Ligji nr. 9418, i ndryshuar me ligjin nr. 9481 ia njeh këtë të drejtë kësaj kategorie të ushtarakëve dhe është një e drejtë që nuk është prekur, pasi nuk është kontestuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.


Pra, qeveria është e detyruar që ushtarakëve të dalë në pension para vitit 1991, t'u japë pensionin suplementar, mbi bazën e vjetërsisë në shërbimin ushtarak që secili prej tyre ka, dhe efektet duhet të fillojnë nga 1 janari i vitit 2006, kur ligji përkatës ka hyrë në fuqi.


Gjithashtu, pjesë e këtij projekti është dhe ndryshimi i moshës për rastet e pensioneve të parakohshme, ku synohet që të vendoset përllogaritja e pensionit sipas formulës 50 për qind mbi pagën referuese dhe 2 për qind shtesë për çdo vit pune. Ju si PS, si e konsideron këtë zgjidhje dhe çfarë do të bëni pas 28 qershorit?

Një kategori tjetër e nëpërkëmbur e ushtarakëve është ajo e atyre në pension të parakohshëm, të cilët, pavarësisht nga ligjet në fuqi, paguhen me një pagë sa pensioni maksimal i pleqërisë, duke u mohuar njëkohësisht të drejtën e dy punësimit.

Kjo kategori është relativisht e re në moshë dhe, pjesa më e madhe e tyre, ka fëmijë për të rritur dhe për të shkolluar, kështu që nevojat e tyre financiare janë të mëdha dhe nuk mund të përballohen me një pension.

Ka mjaft nëpunës shteti të profesioneve të ndryshme që bëjnë dy punë, marrin dy e më shumë rroga e shpërblime, ndërsa ushtarakët dhe familjarët e tyre duhet të lihen në mëshirën e fatit, në mëshirën e pensionit, sepse shteti, në mënyrë antiligjore dhe antihumane, nuk lejon që ata të ripunësohen pa u hequr të drejtën e pensionit.

Megjithatë, edhe për këtë kategori, ligji nr. 9418, i ndryshuar më ligjin nr. 9481, u jep të drejtën e pensionit të parakohshëm sipas gradës, i plotësuar ky ligj me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, këtë të drejtë, me efekte akoma më të mëdha financiare, kësaj kategorie ua ka dhënë më parë ligji nr. 8087 i vitit 1996, i ndryshuar.


Po për vitet që kanë kaluar dhe që ish-ushtarakët nuk janë trajtuar me pensione suplementare, ashtu siç parashikon ligji i 2005-ës, ç'do të bëhet, pra do të marrin ish-ushtarakët dhe paratë e mbajtura gjatë këtyre viteve?


Të njëjtën gjë mund të themi dhe për kategorinë e ushtarakëve që kanë dalë në pension pas vitit 1991, për të cilët duhet që të bëhet rillogaritja e pensionit të tyre mbi bazën e pagës referuese të indeksuar dhe t'i shtohet edhe pensioni suplementar, pas rillogaritjes së pensionit bazë të pleqërisë.


Kjo kategori, padrejtësisht, prej vitesh po keqtrajtohet dhe po i vidhet pensioni i pleqërisë, duke marrë pension minimal dhe jo mbi bazën e pagës, e për pasojë, mbi bazën e kontributeve të derdhura.


Asnjë kategorie punonjësish e nëpunësish të Republikës së Shqipërisë nuk i jepet pensioni aforfe, minimal, jo në përputhje me pagën dhe kontributet e derdhura.


Kategoria e katërt e ushtarakëve që presin me ankth zbatimin e ligjit për pensionet e ushtarakëve, është kategoria e ushtarakëve aktivë, sidomos e asaj pjese, e cila është në prag të daljes në rezervë dhe në lirim.


Por, në perspektivën e tyre, janë mjaft të interesuara të gjitha kategoritë dhe gradat e ushtarakëve aktivë, sepse ai ligj, herët apo vonë do të zbatohet edhe për ata. Vitet kalojnë shpejt edhe për ata, ashtu siç kaluan për kolegët e tyre.


Madje, dua të them se kjo kategori do të jetë më e prekura nga një ligj i ri, më i keq se ligjet e mëparshme; kjo për arsye se anulimi i ligjeve të mëparshme, në rast të një ligji të ri, do të ketë fuqi vetëm për këtë kategori ushtarakësh, pasi s'mund të ketë fuqi prapavepruese, ndërsa kategoritë e tjera mund t'i fitojnë të drejtat e tyre me gjyqe individuale, duke iu drejtuar, nëse do të jetë e nevojshme, deri Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg.


Ka nevojë për një sërë ndërhyrjesh në tërë sistemin e sigurisë sonë kombëtare, ndërhyrje të cilat ne i kemi parashikuar në programin tonë qeverisës.


Do të ndalem vetëm në disa prej tyre, që në momentin aktual i gjykojmë si imediate, siç është ndryshimi i ligjit për buxhetin e ushtrisë, duke e bërë atë fleksibël, pasi me kapacitetet aktuale, shumë fonde të ushtrisë nuk mund të shfrytëzohen, e, për rrjedhojë, ushtria shqiptare vuan si në formë dhe në përmbajtje.


Për më tepër, nisur nga fakti që deri në 2014-ën, FA-së së Shqipërisë i janë vënë 49 objektiva konkrete, mungesa e një sistemi fleksibël buxhetimi do të bënte të pamundur arritjen e tyre.


Ne, po ashtu do të fusim në sistemin e trajtimit të FA-së të Shqipërisë, sistemin e menaxhimit të ciklit të plotë të jetës së ushtarakut, ku nuk nënkuptojmë vetëm marrjen e ushtarakëve me pagesë, por dhe një paketë të tërë për momentet e ndryshme të jetës së ushtarakut, që nga trajnimi e deri te dalja në pension të parakohshëm.


Është fatkeqësi, por njëkohësisht dhe krejt e pajustifikueshme që nga ana formale, por dhe juridike, zinxhiri i komandimit të FA-së të jetë kaotik, ashtu siç paraqitet sot, ku funksionet e Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes, Shefit të Shtabit të Ushtrisë, në situata të ndryshme ose përjashtojnë, ose bien ndesh me njëra-tjetrën. Këtë situatë ne do ta korrigjojmë menjëherë.


Një element të rëndësishëm që ne duam të fusim në kuadrin e reformimit dhe përafrimit të strukturave të MM-së shqiptare është dhe respektimi i statusit të nëpunësit civil për punonjësit civilë të MM-së, që të mos bien pre e konjukturave dhe lëvizjeve politike, siç ndodh rëndom aktualisht.

Për ushtarakët:


Veprimi i Berishës dhe qeverisë së tij, sjellja poshtëruese ndaj ushtarakëve, që janë promotorët dhe aktorët kryesorë të integrimit të Shqipërisë në NATO, ngjall reminishencat e hidhura të 1974-ës, kur drejtimi i ushtrisë shqiptare u vu në gijotinë, kur ushtria shqiptare u depersonalizua dhe u nëpërkëmb, pasojat e së cilës u ndjenë për dekada me radhë.


Ishte pikërisht korrupsioni, nepotizmi, përqendrimi i pushtetit dhe politizimi i ushtrisë, ato që çuan dhe në denigrimin e saj, si në rastin e Gërdecit, ashtu dhe në rastin e ngjarjeve të 1997-ës.


Për pensionet:


Të njëjtën gjë mund të themi dhe për kategorinë e ushtarakëve që kanë dalë në pension pas vitit 1991, për të cilët duhet që të bëhet rillogaritja e pensionit të tyre mbi bazën e pagës referuese të indeksuar dhe t'i shtohet edhe pensioni suplementar, pas rillogaritjes së pensionit bazë të pleqërisë.


Kjo kategori, padrejtësisht, prej vitesh po keqtrajtohet dhe po i vidhet pensioni i pleqërisë, duke marrë pension minimal dhe jo mbi bazën e pagës, e për pasojë, mbi bazën e kontributeve të derdhura.


Për reformën:


Do të bëhet ndryshimi i ligjit për buxhetin e ushtrisë, duke e bërë atë fleksibël, pasi me kapacitetet aktuale, shumë fonde të ushtrisë nuk mund të shfrytëzohen e, për rrjedhojë, ushtria shqiptare vuan si në formë dhe në përmbajtje.

Ne, po ashtu, do të fusim në sistemin e trajtimit të FA-së të Shqipërisë, sistemin e menaxhimit të ciklit të plotë të jetës së ushtarakut, ku nuk nënkuptojmë vetëm marrjen e ushtarakëve me pagesë, por dhe një paketë të tërë për momentet e ndryshme të jetës së ushtarakut, që nga trajnimi e deri te dalja në pension të parakohshëm.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›