Vdes pasi bie nga muri, dyshohet për vjedhës
Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme është gjetur trupi i pajetë i një të riu rreth 20 vjeç, pranë një fabrike këpucësh.
Trupi i Fatmir Cakrrit u gjet nga policia pa asnjë shenjë jete në oborrin e fabrikës së këpucëve që ndodhet në Shkozë të Tiranës. Sipas burimeve të policisë i riu ka gjetur vdekjen duke rënë nga muri i godinës së fabrikës.
Policia gjithashtu dyshon se rënia nga lartësia është aksidentale dhe ka ndodhur në tentativë për të hyrë në ambientet e godinës për të vjedhur. Këto pohim policia e kryeqytetit e forcon, me argumentin se pranë trupit të viktimës janë gjetur disa mjete që ai mund t'i përdortë për të grabitur.
Gjithsesi policia e kryeqytetit po heton shkaqet që mund të kenë sjellë vdekjen e Petrit Cakrrit, i cili u gjet i vdekur në ambientet e fabrikës "Albaco Shoes", nga rojet e fabrikës.
Sipas njërit nga rojet e objektit, viktima ka shfrytëzuar ditët e pushimit për të hyrë në ambientet e fabrikës, duke e ditur se nuk ka patur asnjë punonjës brenda. Roja i objektit deklaroi për policinë se sapo ka marrë turnin në mëngjes rreth orës 6 ka parë një person të shtrirë për tokë në ambientet e fabrikës, pa menduar se ai ishte i vdekur.
Ka qenë roja i objektit i cili sapo ka konstatuar se personi kishte vdekur, ka lajmëruar uniformat blu. Policia pas këqyrjes së vendit të ngjarjes ka marrë në pyetje përveç rojeve të fabrikës edhe drejtuesit e saj për të zbardhur ngjarjen.