Montefiore: Enver Hoxha, diktatori që e imitoi në mënyrën më autentike, egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të vet
Historiani i famshëm anglez, Simon Montefiore zhvillon një bashkëbisedim me studentë të Fakultetit të Historisë, me të cilët ndan përvojën 10-vjeçare të studimeve për stalinizmin, por edhe risinë që paraqet në krijimtarinë e tij, best-selleri i fundit, “Jeruzalemi”
Promovimi i 5 botimeve në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “55” i veprave me jehonë botërore të historianit anglez Simon Sebag Montefiore, i dha hapësirë të re literaturës shqiptare, lexuesve, historianëve dhe studentëve, pasiqë nga dita e djeshme Universiteti i Tiranës do ketë në bibliotekën e vet veprat e historianit më të madh të shekullit XXI. Historiani dhe shkrimtari britanik Simon Sebag Montefiore referoi dje në auditorin e Fakultetit të Histori- Filologjisë, në prani të botuesit të Shtëpisë Botuese “55”, Fahri Balliu, dekanit të fakultetit, z. Shezai Rrokaj, shefes së Katedrës së Historisë, Ilira N. Çaushi, pedagogëve dhe të ftuarve të tjera. Ai i ka informuar studentët mbi 5 botimet e tij në gjuhën shqipe, ndërsa shprehu gatishmërinë e plotë për t’u gjendur në auditoret e Universitetit të Tiranës, pasi ka marrë ftesën e Rektorit të UT-së Dhori Kule, bërë dy ditë më parë gjatë ceremonisë së dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa”. Qysh në fillim të vizitës së tij në Shqipëri, historiani Montefiore do të deklaronte se botimet e tij janë një pasuri madhore për studentët, njohuritë e tyre për të shkuarën historike, pasqyrimin e ngjarjeve dhe realitetit pa perde penguese dhe pa barriera komplotuese dezinformuese. Por dje, përmes një paneli diskutimi të organizuar nga Fakulteti i Histori-Filologjisë, u shpalos e gjithë risia e historisë së karakterizuar nga sundimi diktatorial, kryesisht në vendet ish-sovjetike; ku në parantezë qëndron Rusia e Stalinit. “Jam i lumtur që ndodhem këtu përpara jush, në këtë auditor me të rinj dhe të reja, studentë dhe studente, që sigurisht i përkasin ose kanë pasion historinë. Me lejoni të theksoj që, është nder për mua që librat e mi të lexohen dhe vlerësohen në gjuhën shqipe, aq më shumë nga ju, të rinj studentë. Gjithmonë ka qenë një dëshirë e imja të jem pjesë e historisë shqiptare, histori e cila gjithnjë ka qenë pjesë e historisë evropiane. Ju jeni të rinj. Për shumë vite rresht, Shqipëria ka qenë e sunduar nga një diktaturë, e cila izoloi çdo kontakt të këtij vendi. Më vjen mirë që ju, të rinjtë keni një Shqipëri të lirë; keni një demokraci në lulëzim.
Por le të ndalemi te veprat. Unë e kam studiuar Stalinin për dhjetë vite e po ashtu edhe përvojën sovjetike. Kam punuar në arkivat e Moskës, madje në vetë arkivën e Stalinit, në Gjeorgji dhe vende të tjera. Gjatë viteve ’90-të unë udhëtova drejt ish-vendeve sovjetike. Atje kam shkruar për grushtet e shtetit dhe luftërat civile si në Gjeorgji, Azerbajxhan dhe Çeçeni. Nga ky udhëtim do të njihja qytete si Tbilisi (qyteti i lindjes së Stalinit), Samarkanda, Baku (kryeqyteti i Azerbajxhanit), Grozni (kryeqendra e rajonit të Çeçenisë), Moskë e Shën Pjetërburg. Mendoj që sfida për autorët bashkëkohorë të historisë është që të mos shkruajnë vetëm në mënyrë akademike, por edhe për një audiencë më të gjerë. Unë kam punuar për librat e mi, mbështetur në këtë kriter. Nga ana tjetër, kjo lloj letërsie mbart edhe një mision: të ndihmosh njerëzit të kuptojnë rreziqet e totalitarizmit dhe të një diktatori. I kam shkruar librat e mi që ata të ndihmojnë në këtë drejtim. Misioni për Shqipërinë duhet të jetë shikimi në epokat e errëta që keni kaluar, të gjykojmë çfarë është e drejtë dhe e gabuar dhe të festojmë demokracinë që jeni duke jetuar. Pra, hulumtimet janë disavjeçare. Hulumtime të kryera në arkiva, sidomos në Rusi, Gjeorgji, Azerbajxhan, madje edhe në arkivin e vetë Stalinit. Kremlini ma dha këtë mundësi për të ndërtuar biografinë e ish-diktatorit, nga revolucioni e deri tek dita e fundit e tij si diktator. Dhe në këto libra trajtohet kryesisht historia e Rusisë nga periudha e revolucionit deri në periudhën kur Stalini pushoi së qenuri diktator. Do të thosha se një libër mjaft i veçantë është edhe “Jeruzalemi”. Në të përshkruaj historinë e një qyteti që ka brenda historinë e një qyteti të lashtë. Një histori që lidhet me fenë, me bashkëjetesën dhe me konfliktet; këtu marr shkas nga prejardhja e familjes tim. Ka qenë vërtet diçka e mrekullueshme, por jo shumë e lehtë. Është punë disavjeçare. Është vërtet e vështirë të kuptohet e gjithë kjo, por është e qartë se historia na mëson se populli në Rusi është ndeshur me krime nga më të ndryshmet. Të gjitha këto gjatë ushtrimit të diktaturës së Stalinit. Për ta patur më të qartë, mjaftohemi duke kujtuar diktaturën që izoloi vendin tuaj. Po ajo diktaturë gjendet sot në këto botime. Kisha një pasion dhe një dëshirë të papërmbajtshme. Mendoja se populli duhet të dijë të vërtetën mbi rolin dhe fuqinë e Kremlinit. Studiova për vite të tëra, për të sjellë tek ju realitetin e dikurshëm. Kam synuar dhe synoj që shoqëria të nxjerrë sa më shumë mësime, në mënyrë që krimet e së kaluarës të mos ndodhin më” – theksoi para auditorit të studentëve, historiani anglez Montefiore. Ai deklaroi edhe njëherë se “historia e Shqipërisë është pjesë e pandashme e historisë së Evropës, pavarësisht ndarjes shumëvjeçare që erdhi nga ideologjia bolshevike”.
Dekani i Fakultetit të Histori Filologjisë, Shezai Rrokaj
Ne u hapim dyert veprave të historianit të madh, Montefiore
Dekani i Fakultetit të Histori Filologjisë, Shezai Rrokaj, përshëndeti dje botimin në shqip të 5 veprave të historianit të shquar anglez Simon Sebag Montefiore. Në fjalën e tij gjatë bashkëbisedimit të Montefiores me studentë të degës së Historisë, Rrokaj theksoi Universiteti i Tiranës ka tashmë në bibliotekën e tij një pasuri të çmuar, botimet e shkëlqyera të njërit prej historianëve më në zë të këtij shekulli. Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, duke falënderuar historianin Montefiore për prezencën e tij në këtë auditor, deklaroi se Universiteti i Tiranës do të mirëpresë çdo kontribut akademik të historianit të madh, edhe pse mund të thuhet se tashmë Montefiore është pjesë e pandashme e trupës akademike të Universitetit të Tiranës. “Ne jemi shprehur dhe në senat se tani e tutje, Montefiore do të jetë pjesë e stafit tonë akademik. Sot, ai nuk mund të ikte në Angli pa bërë një komunikim me ju” - u shpreh dekani. Rrokaj e ftoi atë që të referojë një cikël leksionesh për studentët e degës së Historisë dhe jo vetëm, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga historiani i madh anglez. “Kështu që, do të kemi rastin në momente të tjera do të kemi rastin ta ftojmë për një cikël të gjatë leksionesh”.
Prof. As. Dr Iliria Çaushi: Montefiore, rrëfyes i historisë
Në panelin e krerëve të Fakultetit Histori-Filologji, referoi para auditorit edhe shefja e Katedrës së Historisë, Prof. As. Dr. Ilira N. Çaushi. Duke informuar studentët mbi risinë e integrimit të literaturës së re, atë të historianit të madh anglez Simon Sebag Montefiore, Çaushi tha se veprat e tij përbëjnë një jetësim të gjallë të historisë dhe përshkrimit të saj për shumë çështje e tematika të nxehta që kanë qenë vazhdimisht axhendë e diskutimeve të gjata. Ajo tha se Montefiore vjen për lexuesin dhe veçanërisht për studentët shqiptarë, përmes një kolazhi të pasur botimesh të Shtëpisë Botuese “55”. “Simon Sebag Montefiore është tashmë i njohur për lexuesin shqiptar dhe për ju studentë për disa tituj të rëndësishëm të botuar nga Shtëpia Botuese “55”. Jam e lumtur që Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Histori-Filologjisë, do ketë në radhët e saj një studiues të madh, një studiues veprat e të cilit kanë bërë dhe po bëjnë historinë, duke u shndërruar në një best-seller. Lexuesit shqiptarë Simon Montefioren e njohin nga përkthimet e veprave në shqip si: “Katerina e Madhe dhe Potemkin”, “Stalini – Në oborrin e Carit të Kuq, “Stalini i Ri” dhe shumë shpejt do të njihen edhe me bestsellerin e fundit, “Jeruzalemi”. Unë ju ftoj që t’i lexoni këto botime. Tashmë, Universiteti i Tiranës, ka në radhët e saj jo vetëm një mik, jo vetëm një studiues që me veprat e tij kontakton indirekt me studentët dhe pedagogët, po pse jo dhe një koleg i cili do të gjejë kohën e duhur që të jetë pranë studentëve dhe
pedagogëve tanë në auditore duke komunikuar direkt me ta nëpërmjet ligjëratave
dhe debateve të ndërsjellta”- u shpreh shefja e Katedrës së Historisë, Prof. As. Dr. Ilira N. Çaushi, duke përsëritur thirrjen drejtuar studentëve se veprat e Montefiores përbëjnë një pasuri të madhe për lëndën e Historisë, literaturë e cila s’është e plotë pa botimet e fundit të Shtëpisë Botuese “55”: “Stalini”, “Në oborrin e Carit të kuq”, “Jeruzalemi”, “Stalini i ri”, “Sashenka, Katerina e madhe dhe Potemkini”, që nga dita e djeshme janë pjesë e bibliotekës së Universitetit të Tiranës.
Pyetje nga Studentët
A mendoni se Enver Hoxha dhe Stalini janë të njëjtë. Çfarë mendoni ju? Po Enver Hoxha a është një Stalin i “vogël”?
Të falënderoj për pyetjen. Po. Përgjigjja ime është se Enver Hoxha dhe Stalini bashkohen në shumë pika. Është e drejtë ajo që thoni ju se, ish-diktatori i Shqipërisë ishte një Stalin i “vogël”. Enver Hoxha dhe Stalin janë të ngjashëm, bile janë të njëjtë. Këtë, unë e kam theksuar gjatë qëndrimit tim në Shqipëri, në këtë vend të mrekullueshëm. Historia e Shqipërisë është pjesë e historisë Evropiane, është djepi i kulturës së Evropës, por megjithë 45 vitet e sundimit të Enver Hoxhës, ju nuk u pajtuat asnjëherë me këtë regjim stalinist. Si në heshtje, Stalini dhe Hoxha kishin vënë barazi. I pari përmendet për krimet kundër njerëzimit. Por edhe i dyti është njësoj si i pari. Enver Hoxha ishte diktatori që imitoi në mënyrën më autentike, egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të vet, madje e tejkaloi atë në ndonjë qëndrim të tij. Prandaj, më lejoni të theksoj se mes këtyre të dyve kishte barazi në implementimin dhe ushtrimin e pushtetit diktatorial; të mbushur me krime, shtypje, dhunë dhe gjak.
Ç’mund të na thoni për librin “Jeruzalemi”?
“Jeruzalemi” merret përshkrimin e një qyteti universal, kryeqytet i dy popujve të
shenjtë, i tri besimeve të mëdha, vendi i Ditës së Gjykimit, por dhe fushëbeteje e
qytetërimeve të sotme. Nga Davidi, tek lindja e Judaizmit, nga krishtërimi te Islami,
vendi ku përplaset konflikti izraelo-palestinez, një histori epike 3000
vjeçare ku ndërthuren rrënqethshëm besimi, fanatizmi dhe bashkëjetesa, ky
është Jeruzalemi.
Deri dje e keni parë Shqipërinë me syrin e historianit. Si e shihni sot Shqipërinë?
Sot Shqipëria është një vend i bukur dhe me demokraci solide. Jam vërtet i impresionuar në këtë vend të mrekullueshëm. Të mos harrojmë, vitet e fundit ose më saktë 20 vitet e fundit, pas rënies së komunizmit, duket qartë se Shqipëria ka ecur para, rruga e saj është e pandalshme drejt Evropës. Jam shumë krenar që mu realizua një dëshirë për përkthimin në shqip të këtyre librave.
Cila është kohëzgjatja e kërkimit tuaj për biografinë e Stalinit?
Siç edhe e theksova, është një punë kërkimore plot 10 vjeçare. 10 vjet kërkime në arkiva, dëshmi njerëzish të afërm të tij, dokumente zyrtare dhe në vetë arkivën e Stalinit në Kremlin. Vitet ‘90-të ishin vitet e ndryshimeve politiko shoqërore, prishja e sistemit dhe koha kur nis puna ime kërkimore për biografinë e një prej diktatorëve më të egër që ka njohur planeti.
Një koment rreth librit “Sashenka”?
Një histori dashurie për familjen e autorit.