E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD paraqet ofertë për zgjedhje të drejta, PS ëndërron shtyrjen e tyre

30-03-2011 / Gazeta 55

Socialistët janë paraqitur në tryezën politike të thirrur nga demokratët, por s’kanë pranuar të firmosin projektin për zgjedhje sipas një kodi etike dhe që do pamundësonin bllokimin e tyre përmes tërheqjes së komisionareve. E majta ëndërron sërish zgjidhjen antikushtetuese të shtyrjes së zgjedhjeve, duke konfirmuar se s’ka vullnet politik për t’iu bindur verdiktit të elektoratit

Partia Socialiste dhe opozita në tërësi refuzuan dje firmosjen e draft-marrëveshjes prej 16 pikash të propozuar nga Partia Demokratike, në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, për angazhimin e forcave politike për zgjedhje të lira e të ndershme.
Opozita e përfaqësuar në tryezën e partive parlamentare me Gramoz Ruçin dhe Damian Gjiknurin që mbërritën disa minuta me vonesë, kushtëzoi firmën e saj me 7 kushte, ndër të cilat transparenca pas zgjedhore, transparenca e listave të zgjedhëseve, vendosje e pajisjes kontrolluese për kartën e identitetit, por mbi të gjitha kthimin mbrapsht të gjithë punës që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë deri tani për organizmin e votimeve të 8 majit.
Por, i menjëhershëm ishte reagimi i demokratëve, përmes iniciatorit të tryezës, Astrit Patozi, i cili tha se, “këto kushte kanë në thelb një aksion të pamundur, një muaj para zgjedhjeve, atë të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, në një kohe kur Partia Socialiste ka refuzuar 2 vjet për të hartuar amendamentet e Kodit.
Ai deklaroi se në këto zgjedhje do të shkohet me kodin aktual.
“Në zgjedhjet vendore do të hyjmë me kodin ekzistues, pasi është e pamundur që ai të ndryshohet në një kohë që partitë politike kanë konflikte me njëra-tjetrën. Zgjedhësit shqiptarë nuk i duan këto konflikte, prandaj ekspertët do përafrojnë draftin e propozuar sot nga PD”, u shpreh Patozi, duke iu kundërpërgjigjur negativisht tendencës së socialistëve për hartimin e një kodi të ri zgjedhor, me qëllimin e vetëm shtyrjen e zgjedhjeve të 8 majit.
Patozi tha se draft marrëveshja me 16 pika e cila mbështetet në të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilin pret ta firmosin pikërisht sot të gjitha partitë e ulura dje në tryezë, ndërsa nënvizoi se kësaj draft-marrëveshje nuk mund t’i shtohen 8 pika me sugjerimet e PS, pasi siç tha ai, kjo nuk është kompetencë e partive politike.
Sipas Patozit shtimi i këtyre pikave do të thoshte ndryshim të kodit elektoral, prandaj ai i quajti politike, propozimet e bëra dje nga homologu Ruçi.
“Jemi të gatshëm të pranojmë çdo sugjerim, por PD nuk ka përgjegjësi të marrë përsipër vendime që s’na takojnë. Nuk mund të marrim ne përsipër vendimmarrjen e KQZ, ne marrim përsipër vetëm vendimet si parti politike. Kërkesat e zotit Ruci janë kërkesa politike për të cilat nuk mund të marrim përsipër përgjegjësi që nuk i kemi si forcë politike”, deklaroi më tej kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi.
Ndërsa analizoi një prej tetë pikave të propozuara nga PS, siç ishte ajo e pajisjeve që verifikonin vlefshmërinë e kartave të identitetit, Patozi tha, “kjo është një gjë e pamundur për t’u realizuar, kjo kërkon ndryshim në kod. Si mund të ndryshohen kartat që çuan shqiptarët drejt Europës”, shtoi ai më tej.
Në propozimet e kreut të grupit të PS-së Gramoz Ruçi përfshihej transparenca post-elektorale, transparenca e listave të zgjedhësve dhe anulimi i vendimeve të KQZ që janë miratuar me shumicë të thjeshtë dhe që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Ndërkaq, në marrëveshjen që propozohet nga demokratet, kërkohet ndër të tjera angazhimi i partive politike që të përmbushin në kohë detyrimet ligjore gjatë fushatës, të shmangin presionin mbi zgjedhësit apo mbi administratën, të propozohen në kohë anëtarët e komisioneve, e të garantohet qëndrimi i tyre në detyrë, të shmanget votimi familjar dhe partitë të bashkëpunojnë me KQZ kundër bllokimit të procesit zgjedhor, përfshirë votimin dhe numërimin e votave.
Duke mos rënë dakord për firmosjen e këtyre pikave, palët propozuan negocimin mes ekspertëve për të arritur në një draft kompromisi, i cili sipas Patozit, të firmoset sot në mesditë.
“Kjo kohë mendoj se është e mjaftueshme që ekspertët të japin mendimet e tyre”, tha dje Patozi.
Ndërkohë që, nënkryetari i PD ka shtuar “ora 11 do të jetë ora e nënshkrimit të kësaj marrëveshje”.
Nëse ju keni vullnet për ta nënshkruar mund ta bëni, nëse nuk e bëni, ky nuk është problemi jonë”, tha ai duke iu drejtuar përfaqësuesve të opozitës.
Por socialistët u deklaruan që në fillim mosbesues në arritjen e marrëveshjes, duke mos shmangur as reagimet e tensionuara në minutat e fundit të tryezës.

Hartuesi i Kodit Zgjedhor, Oerd Bylykbashi

Opozita synon të shtyjë zgjedhjet

“Partia Socialiste po synon të shtyjë procesin zgjedhor të 8 majit”. Ky është vlerësimi i bashkë-hartuesit të Kodit Zgjedhor, Oerd Bylykbashi, i cili deklaron se kërkesat e parashtruara nga kryetari i grupi socialist Gramoz Ruçi, kërkojnë medoemos ndryshime në kodin zgjedhor.
Ndërkohë Bylykbashi citoi edhe ambasadorin e OSBE-së Eugen Wollfarth, i cili u shpreh kundër çdo ndryshimi të ligjit zgjedhor tashmë që jemi vetëm një muaj larg zgjedhjeve lokale. Bylykbashi tha gjithashtu se sjellja e Partisë Socialiste është e kuptueshme që po kërkon të shtyjë zgjedhjet lokale.

Ambasadori i prezencës së OSBE, Eugen Wollfarth

“Pika kyçe, konkurrenca e ndershme, partitë të tregohen të përgjegjshme”

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth deklaroi dje se tryeza e partive parlamentare për zgjedhjet e 8 majit është pika më e rëndësishme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Wollfarth ishte i pranishëm në tryezën e iniciuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, ku morën pjesë kreu i grupit të PS, Gramoz Ruçi dhe drejtues të partive të tjera parlamentare mbi arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjet e 8 majit. Wollfarth theksoi se, vullneti i mirë për t’u mbledhur në këtë tryezë nuk është faza përfundimtare, pasi pika kyçe mbetet konkurrenca e drejtë mes partive politike në zgjedhjet vendore të 8 majit. “Kushtetuta, ligjet dhe kodi zgjedhor bëhen reale vetëm nëpërmjet një vullneti të mirë dhe sidomos vullnetit të mirë që vjen nga partitë politike. Të qenit i pranishëm këtu për të nënshkruar, nëse dëshironi shprehjen e vullnetit të mirë, do të ishte në frymën e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it. Por vetëm vullneti i mirë nuk është faza përfundimtare e zhvillimeve. Angazhimi për të pasur një konkurrencë të drejtë është pika nga ku duhet të fillojmë”, deklaroi Wollfarth.
“Unë shoh se në këtë tryezë po adresohen edhe problemet që kanë lidhje me të kaluarën, dhe këto duhet të shqyrtohen në kohën e duhur”, vijoi Wollfarth.
Ai gjithashtu theksoi se u takon partive politike të bëjnë ç’është e mundur për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve.
 “Ju takon ju se çfarë duhet të bëni deri në datën e zgjedhjeve”, tha Ëollfarth, ndërsa shtoi se gjëja më e rëndësishme është ndryshimi i kodit zgjedhor menjëherë pas zgjedhjeve. Shteti i së drejtës është i rëndësishëm jo vetëm për krijimin e besimit midis partive, por edhe midis partive dhe qytetarëve me njëri-tjetrin. Në të ardhmen, do të duhet aplikimi më i mirë i shtetit të së drejtës që do të çonte në pakësimin e mosndëshkueshmërisë dhe në burimin e zgjidhjes më të mirë të problemeve”, tha Ambasadori Wollfarth. Wollfarth këshilloi  gjithashtu që termi mos ndëshkueshmëria, që në zgjedhjet e kaluara janë përdorur së tepërmi, në të ardhmen të minimizohet dhe përdoren sa më pak, kjo fjalë. Ambasadori apeloi që kjo tryezë të kurorëzohet me firmosjen e një dokumenti që do t’u shërbente shqiptarëve.
“Kjo tryezë u mblodh sot dhe në frymën e rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe do të doja të finalizohej me firmosjen e një dokumenti më të mirin për shqiptarë dhe e shoh dhe si një ftesë për ato palë që nuk ishin të pranishme sot në këtë tryezë”.Gjithashtu ai theksoi se shpreson se kjo tryezë do të dalë me një marrëveshje në shërbim të qytetarit. “Do të doja shumë që kjo të finalizohej me nënshkrimin e një dokumenti që do të jetë më i miri për qytetarët e Shqipërisë. Respekti mes partive të mëdha e të vogla, institucioneve dhe qytetarëve është fjala kyç në të gjithë këtë”, përfundoi fjalën e tij ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth.

Sekretari i Përgjithshme i LSI-së, Luan Rama

“Për 8 majin të dalim mbi egoizmat partiakë, opozita të pranojë ‘fair-play’ e mazhorancës”

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar më shumë vëmendje për zgjedhjet e 8 majit, duke i bërë thirrje forcave politike që ta konsiderojnë procesin elektoral si mekanizëm të qytetarit dhe jo të egoizmave partiakë. Në tryezën e partive politike të thërritur nga Partia Demokratike, LSI mbrojti qëndrimin se drafti i mazhorancës është një ‘fair-play’ që i bëhet opozitës, duke ditur eksperiencën negative që ky krah politik aktivizoi pas 28 qershorit. “Zgjedhjet dhe detyrimi që kemi për të respektuar dhe për të garantuar të drejtën e tyre e do qytetari shqiptar për të ushtruar pushtetin që secili prej tyre ka dhe që lidhet me votën e lirë si institucioni bazë të demokracisë në çdo vend, na imponojmë të ngrihemi mbi çdo egoizëm partiak, mbi interesat partiake dhe të mbërrijmë të paktën nivelin e përgjegjshmërisë qytetare dhe politike të qytetarëve të këtij vendi për të realizuar një proces zgjedhor korrekt, të lirë, të ndershëm, të pakontestueshëm dhe po kaq transparent. Në këtë pikëpamje takimin e sotëm e konsideroj një hap pozitiv, një përpjekje më shumë në vazhdën e përpjekjeve që janë bërë dhe bëhen për t’i ulur palët dhe për t’i ftuar aktorët dhe faktorët e rëndësishëm politik të këtij vendi të imponohen dhe të marrin përsipër realizimin e këtij procesi, pra të zgjedhjeve të 8 majit në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ndaj ne draftin paraqitur e konsiderojmë një ftesë për ‘fair-play’ në fakt, çka lind edhe për shkak të gjithë historisë së zgjedhjeve në vendin tonë dhe ç’është më e rëndësishmja edhe për shkak të situatës që u krijua nga opozita në raport me zgjedhjet e vitit 2009. Ndaj duke e konsideruar të tillë këtë nismë unë gjykoj që drafti i paraqitur që nuk ka kushte dhe nuk imponon kushte, është thjesht një ftesë që në kohën e mbetur forcat politike dhe të gjithë subjektet në garë të sillen në mënyrë qytetare dhe evropiane përballë përgjegjësisë që kemi për zgjedhjet”, u shpreh Luan Rama. Ai konsideroi si papjekuri politike, propozimet e opozitës për amendimet e Kodit Elektoral si dhe rikompozimi i KQZ-së në vetëm 1 muaj para zgjedhjeve.

PR, Arjan Madhi: PS vetëm akuzon, s’u drejtohet institucioneve përgjegjëse

Partia Republikane e ka konsideruar të papranueshëm standardin e paraqitur dje në tryezën e partive politike, nga Partia Socialiste. Nënkryetari i Partisë Republikane, u shpreh pas përfundimit të tryezës, ku opozita s’pranoi projekt-marrëveshjen e mazhorancës, se PS s’erdhi në tryezë me draft për manipulimin e votave, por thjesht hodhi akuza drejt Partisë Demokratike dhe mazhorancës qeverisëse. “Partia Socialiste orientohet gjithmonë nga faktori politik duke akuzuar partitë për çdo ankesë që ka, ndërkohë që duhet t’u drejtohet institucioneve kushtetuese. Partia Socialiste nuk erdhi në tryezë me një draft për manipulimin e votave kur është ajo që ka hedhur akuza për vjedhje të votave”, tha Madhi. Ai fajësoi Partinë Socialiste për mosarritjen e një akordi mes forcave politike parlamentare lidhur me përgatitjet në kuadër të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Pikat e draft-marrëveshjes së propozuara nga PD-ja
 
     1. Partitë parlamentare shqyrtuan rekomandimet e ODIHR-it që u adresohen forcave politike dhe vendosën identifikimin dhe marrjen përsipër të përgjegjësive të tyre nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
     2. Partitë riafirmojnë konstatimin e OSBE/ODIHR-it se, Kodi Zgjedhor përbën një bazë të detajuar teknike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe se zbatimi i plotë me vullnet të mirë i tij dhe legjislacionit të lidhur me procesin zgjedhor, garanton të drejtat e zgjedhësve dhe çdo subjekti zgjedhor, si dhe standardet  më të larta ndërkombëtare për zgjedhjet e datës 8 maj 2011.
     3. Partitë bien dakord që stabiliteti i legjislacionit zgjedhor i përcaktuar si parim i rëndësishëm zgjedhor nga OSBE dhe Këshilli i Europës është themelor për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në fazën aktuale të përgatitjeve zgjedhore të nisura nga administrata zgjedhore, ajo e  pushtetit qendror dhe atij lokal.
     4. Partitë riafirmojnë pranimin e plotë të rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it që u drejtohet drejtpërdrejtë apo tërthorazi partive politike, specifikisht rekomandimet numër 1, 9 dhe 16 të këtij raporti.
     5. Partitë angazhohen të përmbushin në kohë dhe përpikëri çdo detyrim ligjor gjatë fushatës zgjedhore në funksionin e tyre si subjekt zgjedhor, duke kontribuar për një fushatë të qetë dhe me etikë qytetare që u krijon zgjedhësve mundësitë e plota për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre.
     6. Partitë do të shmangin ushtrimin e presionit mbi zgjedhësit apo punonjësit e administratës në nivel qendror dhe vendor për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në aktivitetet e fushatës zgjedhore të subjekteve politike.
     7. Partitë bien dakord që të udhëzojnë dhe marrin masat e duhura që anëtarët e komisioneve zgjedhore të emëruar mbi propozimin e tyre sipas përcaktimeve ligjore, përfaqësuesit pranë administratës zgjedhore, kandidatët e paraqitur prej tyre dhe vëzhguesit do të zbatojnë me përpikëri çdo rregullim ligjor dhe nënligjor në fuqi, duke synuar në çdo rast zbatimin e germës dhe frymës së ligjit, në funksion të përmbushjes me sukses dhe në afatet ligjore të procesit zgjedhor.
     8. Partitë angazhohen të propozojnë në kohë dhe sipas kritereve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së të gjithë anëtarët e komisioneve të nivelit të dytë dhe të tretë, anëtarët e grupeve të numërimit, si dhe vëzhguesit e tyre, duke marrë masat që kandidatët e propozuar të mos kenë qenë më parë subjekt i masave disiplinore nga ana e KQZ-së.
     9. Partitë angazhohen që komisionerët e emëruar me propozimin e tyre do të marrin pjesë në trajnimet e organizuara nga KQZ-ja, sipas programeve të përcaktuara prej saj.
     10. Partitë do të bëjnë gjithçka që anëtarët e komisioneve të emëruar me propozimin e tyre të qëndrojnë në detyrë sipas përcaktimeve ligjore gjatë periudhës parazgjedhore ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas zgjedhore. Ata nuk do të braktisin detyrën dhe kurrë është e nevojshme do të marrin masa për zëvendësimin e menjëhershëm të tyre, sipas afateve të përcaktuara në ligj dhe aktet nën ligjore.
     11. Partitë në asnjë rast nuk do të udhëzojnë anëtarët e tyre në administratën zgjedhore të çdo niveli që të largohen nga detyra me vulën  përkatëse në përdorim të tyre sipas ligjit, apo çdo dokument apo material tjetër zgjedhor të nevojshëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, veçanërisht vulat e KQV gjatë ditës së votimit.
     12. Partitë nuk do  të ndërrojnë anëtarët e komisioneve të nivelit të dytë dhe të tretë dhe anëtarët e grupeve të numërimit, përveçse në përputhje me kriteret ligjore dhe vetëm kur kjo është e domosdoshme, me qëllim që të ruhet stabiliteti i funksionimit me efikasitet i  administratës zgjedhore.
     13. Partitë politike do të marrin të gjitha masat që të sigurohet marrja në dorëzim e materialeve zgjedhore para hapjes së procesit dhe dorëzimin e tyre të  rregullt pranë komisioneve të nivelit më të lartë.
     14. Partitë angazhohen që komisionerët  të bashkëpunojnë kolegjialisht me vullnet të plotë në mbarëvajtjen e procesit të votimit, për të penguar në përputhje me aktet e KQZ-së tentativat për votim familjar dhe çdo praktikë tjetër të paligjshme votimi.
     15. Partitë do të marrin masa dhe do të bashkëpunojnë me KQZ-në kundër çdo bllokimi të procesit zgjedhor, përfshirë votimin dhe numërimin e votave.
     16. Partitë angazhohen për të garantuar transparencë të plotë të procesit zgjedhor duke shfrytëzuar hapësirat ligjore për vëzhgim të procesit të votimit dhe numërimit, si dhe duke lejuar vëzhguesit e subjekteve të tjera të shoqërisë civile apo ata ndërkombëtarë, që të vëzhgojnë të papenguar çdo aspekt të procesit të votimit dhe numërimit.
       

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›