E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Bujar Nishani: “Bektashizmi u ka shërbyer në shekuj shqiptarëve”

23-03-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duke uruar të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit, thekson se, “marrëdhënia e shqiptarëve me Bektashizmin ka qenë gjithmonë një marrëdhënie magjepsëse, shumëdimensionale, sa shpirtërore, shoqërore, edhe utilitare. Sot bashkohem me ju në këtë festë të bukur, nga më interesantet, nga më të bukurat marrëdhënie të një populli me një besim”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Presidenti Nishani shprehet se, “Bektashizmi i ka shërbyer në shekuj shqiptarëve si çimento lidhëse për të bërë të mundur drejtpeshimin shpirtëror përbrenda vetes, sa edhe për të ruajtur ekuilibrat, me njëri-tjetrin si dhe mes Bektashizmit dhe besimeve të tjera. Përqafimi i Bektashizmit prej shqiptarëve nuk është thjesht çështje misionarësh të zotë, që u nisën prej diku e mbërritën diku tjetër për të përhapur një besim. Në themel të kësaj dukurie mrekullibërëse janë një numër cilësish të përbashkëta mes Bektashizmit dhe shqiptarëve. Disiplina dhe toleranca, kryelartësia dhe përulja, aftësia për të qenë në të njëjtën kohë edhe pjesë e diçkaje më të madhe edhe diçka e mëvetëshme, janë disa prej këtyre cilësive”, thekson presidenti Nishani.
Sipas tij, popullarizimi i Bektashizmit ndër shqiptarë është rast i rrallë i një përshtatshmërie perfekte për t’u zhvilluar, begatuar e përsosur përmes peripecive mundonjëse dhe vuajtjeve të shumta. “Duke gëzuar këtë festë, duke kryer ritin e saj, të urojmë njëri- tjetrin për më shumë mirësi, për më shumë begati, për më shumë harmoni”, përfundon urimin Presidenti Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›