Montgomery: Beogradi mbështet protestat e serbëve në Kosovë

“Nuk ka asnjë dyshim në faktin se pjesëmarrësit në protesta gëzojnë ndihmën dhe mbrojtjen e disa liderëve serbë në Kosovë dhe mbështetjen indirekte të njerëzve të caktuar në Beograd”, thotë ish-ambasadori amerikan, William Montgomery, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë
Është indikative se askush nga strukturat e larta të pushtetit në Beograd nuk i ka ftuar protestuesit serbë që t’i ndërpresin protestat…
Natyrisht që askush s’ka bërë asnjë thirrje. Madje as ata serbë në Beograd që njihen për orientime më të moderuara ose ata që në thellësi e besojnë faktin se teknikisht Kosova është e humbur, nuk guxojnë ta thonë këtë, nuk guxojnë as ta thonë publikisht qëndrimin e tyre se e pranojnë këtë fakt.
Si e komentoni faktin se as presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, zëri i të cilit dëgjohet mbi të gjitha çështjet politike në Serbi, nuk u ka bërë thirrje protestuesve në Kosovë të heqin dorë nga protestat dhe bllokadat?
Mendoj se realiteti aktualisht në Serbi është i tillë që të gjithë politikanët serbë, duke mos e llogaritur këtu Çedomir Jovanoviqin, funksionojnë në kuadrin e kalkulimeve se nuk është në interesin e tyre, që në çfarëdo mënyre të “lëshojnë pe” përpara pavarësisë së Kosovës apo autoritetit që misioni evropian ka në Kosovë. Të gjithë e kanë një vlerësim të këtillë dhe të gjithë veprojnë në pajtueshmëri me të.
Sa është një situatë e këtillë shpërthyese? A mund të dalë nga kontrolli?
Mendoj se rreziku të cilin e parasheh shumica nuk ka të bëjë me atë se serbët në Kosovë do të vazhdojnë ciklin e protestave, se gjatë tyre do të ketë edhe incidente më të vogla me elemente dhune – kjo është e parashikueshme. Rreziku qëndron në faktin se në një moment, shqiptarët e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi, nuk do të mbështeten më në bashkësinë ndërkombëtare dhe do të fillojnë të ndërmarrin hapa të njëanshëm. Dhe ata, para së gjithash, do të mund të ndërmerren nga politikanët që aktualisht nuk janë në garniturën qeverisëse. Këtu qëndron përshkallëzimi potencial i asaj çfarë po shohim tani.
A shihni ndonjë shenjë që tregon se gjërat do të ecin në këtë drejtim?
Po, e shoh. Politikanët kosovarë, të cilët nuk janë në Qeveri, janë gjithnjë e më të zëshëm në kritikat e tyre, për shkak të mosndërmarrjes së çfarëdo veprimi, kështu që Prishtina gjendet në një trysni gjithnjë e më të fuqishme të forcave të këtilla opozitare. Prandaj, edhe kanë ndodhur ato veprime që kanë ndaluar hyrjen e disa zyrtarëve serbë në Kosovë.
...