Koka e Asklepiusit kthehet në shtëpi pas 18 vitesh
Hyu i mjekësisë kthehet nesër në shtëpi. Pas “legjendash” mediatike, përpjekjesh në rrugë të ndryshme, koka e Asklepiusit, do t’i kthehet Muzeut të Butrintit, ku u vodh, bashkë me një seri objektesh të tjera arkeologjike. Është një kthim zyrtar, i cili do të shoqërohet edhe me një ceremoni, ku do të jenë të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Kulturës. Thuhet se do të jenë të pranishëm edhe dy futbollistët shqiptarë, Igli Tare dhe Lorik Cana, të cilët muaj më parë paguan në Romë edhe çekun prej 20 mijë eurosh për kthimin e këtij objekti, edhe pse një gjë e tillë ende nuk konfirmohet nga ana e tyre. Burime nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pohojnë se procedurat gjyqësore për kthimin e kokës së Asklepiusit në Shqipëri janë ndërprerë menjëherë pas pagimit të shumës prej 20 mijë eurosh të futbollistëve shqiptarë, gjë që ka bërë të shpejtohen procedurat për kthimin në vendin e origjinës. Thuhet se paratë do të paguhen nga shteti shqiptar dhe objekti „është në pronësi 100 për qind, në administrim dhe tashmë në mbrojtje të shtetit shqiptar”. Koka e Asklepiusit, një objekt i rrallë, i cili mendohet të datojë në periudhën e vonë helenike, u zbulua në Butrint në vitin 1932 nga Kont Ugolini. Në vitin 1991, i gjithë korpusi i Ugolinit rrëmbehet në Butrint dhe pjesë të këtij koleksioni morën botën. Edhe pse koka e hyjnisë të mjekësisë ishte e skeduar si një objekt i vjedhur, në kërkim, ajo duket se ishte ekspozuar ne ankandin e “Christie’s” në Londër, disa vite më vonë dhe iu shit një shtetasi italian. Mësohet se Interpoli ra në gjurmë të këtij objekti në Romë dhe pasi bënë sekuestrimin e tij, njoftojnë Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Për riatdhesimin e kësaj vepre, institucionet shqiptare nisën një proces gjyqësor, i cili dy vjet më parë u fitua nga pala shqiptare, me kushtin, që shteti shqiptar, të dëmshpërblente me një shumë prej 20 mijë eurosh blerësin italian. Megjithatë kaluan 2 vjet dhe objekti mbeti në Romë. Rastësia e çoi këtë çështje në veshin e futbollistit shqiptar, Igli Tare, i cili së bashku me kolegun Lorik Cana, paguan shumën e kërkuar nga pala italiane. Ky veprim nuk u prit me optimizëm nga MTKRS, e cila mësohet se po kryente procedurat përkatëse për kthimin e këtij objekti, me të njëjtën mënyrë si u kthyen statujat nga Greqia. Megjithatë, duket se veprimi i futbollistëve ka shkurtuar punë dhe objekti arkeologjik do të vijë nesër në Shqipëri.