E Diel, 1 Nëntor 2026

Monti: Ju mbështesim për integrimin, Berisha: Mirënjohje Italisë

TIRANË- Kryeministri i Italisë Mario Monti dhe ai i Shqipërisë Sali Berisha në një konferencë të përbashkët kanë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kreu i qeverisë italiane vlerësoi rritjen e eksporteve dhe importeve mes vendeve tona. Ai vlerësoi ndër të tjera shqiptarët që jetojnë e punojnë në Ital, duke thënë se ata janë rreth “500 mijë në Itali dhe përbëjnë bashkësinë e dytë dhe një prej më të integruarave”, tha ai.

Monti u shpreh me tej se Italia e ka mbështetur Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizve, ndërsa premtoi se do bëjë të njëjën gjë edhe për procesin e integrimit në BE.

“Është e nevojshme që Shqipëria të vazhdojë me reformat që të anëtarësohet në BE, keni mbështetjen më të fortë të Italisë në këtë drejtim”, tha ai.

BERISHA: MIRËNJOHJE ITALISË, BASHKËPUNIMI MES DY VENDEVE I SHKËLQYER
Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me homologun Monti, kryeministri Berisha i shprehu mirënjohje qeverisë italiane për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat. Sipas kryeministrit, Italia ka një rol madhor në rilindjen kombëtare të Shqipërisë.

“Mirënjohje të thellë qeverisë dhe kombit italian për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e vështirë dhe të suksesshme. Kjo ndihmë ka pasur një rëndësi jetike.Mirënjohje të thellë kombit italian, sepse që nga Mesjeta deri në ditët e sotme shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë.”- u shpreh kryeministri Berisha.

BERISHA VIZITE NE ITALI
Kryeministri Sali Berisha u nis dje për në Romë (Itali), ku do të ketë takime me personalitetet më të larta italiane, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik shqiptaro-italian. 

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe nga përfaqësues të biznesit dhe medias. 

Ndërsa sot, Kryeministri Berisha dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron do të zhvillojë një takim në Selinë e Këshillit të Ministrave, Palazzo Chigi, me Kryeministrin italian Mario Monti. Pas takimit, të dy homologët do të dalin në një konferencë të përbashkët për median.
Kryeministri Berisha do të pritet në një takim të veçantë në Quirinale, nga Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano. Gjithashtu, ai do të takohet në Montecitorio me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini. 

Gjatë vizitës, Kryeministri do t’i drejtohet me një fjalë Forumit Ekonomik “Shqipëria në Europë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që zhvillohet në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare.
Në prezantimin e tij, Kryeministri do të bëjë një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë etj. Forumi do të përshëndet edhe nga Ministri italian i Punëve të Jashtme, Giulio Terzi di Sant’Agata. 

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›