E Diel, 1 Nëntor 2026

Montobio: Duam fakte dhe jo fjalë, ndryshe do të përballeni me pasojat

Ambasadori Përfaqësuesi i Presidencës Spanjolle të Bashkimit Europian paralajmëron politikën

Bashkimi Europian ka lëshuar dje një mesazh të fuqishëm që është dukur më shumë si ultimatum ndaj politikës shqiptare dhe në veçanti ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Me gojën e ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, i cili përfaqëson Presidencën e BE-së, Europa i ka bërë të ditur Tiranës zyrtare se duhet të përballojë kostot jo vetëm politike nëse nuk zgjidhet sa më shpejt “ngërçi politik” në vend, termi siç quhet tashmë kriza shqiptare. “Këtë radhë duam fakte konkrete dhe jo më fjalë”, ka qenë fjalia e prerë e përfaqësuesit të kreut politik të Bashkimit Europian, që deri më 1 korrik koordinohet nga kryeqyteti spanjoll. Ambasadori, Manuel Montobio, i cili më shumë se një herë ka kërkuar zgjidhjen e krizës dje ka qenë më shumë se i qartë, madje edhe më i detajuar. Në një aktivitet të zhvilluar dje në Tiranë ku ka bërë një bilanc të punës tremujore të Presidencës Spanjolle dhe prioritetet për tre muajt e ardhshëm, ambasadori Montobio i ka kushtuar një pjesë të veçantë krizës shqiptare. “Zgjidhja e ngërçit politik në vend kushtëzon rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, ka thënë diplomati i Madridit. Më pas ai ka detajuar qëndrimin: “Ne jemi të mendimit se funksionimi i demokracisë është pikë kyçe për vendin. Parlamenti i vendit nuk ka funksionuar në mënyrë të plotë. Kur them kështu nuk duhet të flasim vetëm për miratimin e ligjeve, pasi përveç miratimit të ligjeve, Parlamenti duhet të jetë edhe vendi që i bën kontrollin e përditshëm qeverisë dhe të përcjellë shqetësimin e qytetarëve”. Më pas, ambasadori Montobio ka përshkallëzuar qëndrimin e tij, i cili në fakt është qëndrimi zyrtar i Bashkimit Europian që i përcillet Tiranës zyrtare, por edhe opozitës. “Aktorët duhet të marrin parasysh pasojat dhe kostot që mund të sjellë ngërçi politik në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE”. Montobio ka ritheksuar më fuqishëm nisjen e dialogut politik dhe ndalimin e aksioneve dypalëshe që pengojnë funksionimin normal të debatit, por edhe të zhvillimit politik. Diplomati spanjoll, pasi ka theksuar se aksionet jashtë Parlamentit nuk sjellin një rezultat të dëshirueshëm për qytetarët ka dhënë edhe paralajmërimin final ndaj politikës shqiptare: “Duam fakte dhe jo fjalë dhe vetëm nëpërmjet fakteve ne do të analizojmë dhe vlerësojmë hapat e Shqipërisë në kuadër të marrëdhënieve me Bashkimin Europian”. Montobio ka bërë një ekspoze të gjatë për prioritetet e presidencës spanjolle për Ballkanin, por edhe ka dhënë një këshillë të qartë për klasën politike në lidhje me performancën sesi po bëhet politikë me çështjen e vizave dhe integrimin. “Liberalizimi i vizave është një arritje afatshkurtër, ndaj do të duhet një performancë më vizionare në lidhje me integrimin. Nuk duhet që Shqipëria të mendojë që të futet në Europë, por Shqipëria duhet të bëhet Europë, pra të zbatojë standardet që të kthehet në një vend atraktiv në të gjitha aspektet në mënyrë që ta meritojë në krejt kuptimet e saj hyrjen në Bashkimin Europian”, deklaroi ambasadori spanjoll, i cili ka kujtuar kalendarin e rëndësishëm të eventeve të Brukselit për Shqipërinë. Kështu, më 3 dhe 4 maj, në kryeqytetin europian do të mblidhet Komiteti parlamentar i Stabilizim-Asocimit, ku do të miratohet një dokument që do të votohet në seancën plenare për Shqipërinë, dokument që do t’i dërgojë Këshillit Europian dhe Komisionit një qëndrim zyrtar. Ndërkaq, më 10 maj po në Bruksel mblidhet Komiteti i dytë i Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, ku do të dalë qartë qëndrimi mbi opinionin e komisionit për statusin e vendit kandidat. Qarqe të ndryshme në kryeqendrën e BE-së kanë bërë të ditur se kjo procedurë që do të zgjasë deri në pjesën e dytë të 2011-s. Ambasadori Montobio deklaroi dje se qeveria duhet të zbatojë kërkesat që i ka vënë përpara progres-raporti i vitit të shkuar i BE-së. “Ngërçi politik ka lënë pas dore pikërisht marrjen dhe zbatimin e asaj që progres-raporti i vinte në dukje për Shqipërinë”, deklaroi përfaqësuesi i Presidencës së Bashkimit Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›