E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrihen objektet, policia mbron vetëm selitë diplomatike

Projektvendimi: Mbi 240 funksione do të implementohen në strukturat e tjera policore

Policia e objekteve do të shkrihet dhe në mbrojtje të saj do të mbeten vetëm ambasadat. Ky është projektvendimi që tashmë i është dërguar ministrit të Brendshëm dhe pritet të kalojë në qeveri, duke hequr nga ruajtja policore shumë objekte të rëndësisë së veçantë. Prej kohësh është përfolur shkrirja e reparteve të policisë së objekteve, por tashmë pritet që ajo të realizohet përfundimisht, ku 240 efektivët do të dalin të lirë dhe do të emërohen në strukturat e tjera të policisë. Për herë të parë, objekte të rëndësishme, si Banka e Shqipërisë, Arkivi i Shtetit, objekti X-79 dhe X-88, nuk do të ruhen më nga forcat policore, por me polici private ose me njësi të tjera sigurie.

Shkrirja e objekteve

Burimet policore bënë të ditur se që prej dy vitesh është planifikuar që policia e objekteve të hiqet si strukturë. Ajo është pjesë e policisë së rendit dhe ka si detyrë ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të rëndësisë së veçantë. Ky ndryshim është kërkuar që pas uljes së numrit të përgjithshëm të punonjësve të policisë, me qëllim që me efektivë të tillë të plotësohen struktura të tjera policore që kanë personel të paplotësuar. Kështu, nga strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është propozuar një projektvendim, ku në ruajtje të policisë mbeten vetëm ambasadat, duke lënë pa ruajtur një sërë institucionesh të tjera të rëndësishme. Burimet policore shpjegojnë se gjatë diskutimeve është menduar që në ruajtje të saj të jenë edhe tre institucione të rëndësishme, por në përfundim është vendosur që kjo mos të bëhet dhe kanë mbetur vetëm ambasadat. Në lidhje me këtë, ekspertët shpjegojnë se është diskutuar që në mbrojtje të policisë të mbetet Banka e Shqipërisë, si një objekt tejet i rëndësishëm, bashkë me objektet X-79 dhe X-88. Ndërkaq, dy objektet e tjera, për të cilat është kërkuar që të ruhen nga policia kanë qenë Instituti i Fizikës Bërthamore dhe Arkiva e Shtetit. Për të tria këto, në projekt është vendosur e kundërta. Ndërkaq, projekti i është dorëzuar ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe tashmë pritet që të merret vendimi i qeverisë sesi do të procedohet më tej. Nga ky ndryshim, sipas të dhënave policore, nga objektet dalin rreth 240 funksione të lira, pasi shkrihen vendet e tyre të punës. Për këtë, drejtuesit e policisë kanë menduar që ata të kalojnë në struktura të tjera policore, siç janë patrulla e përgjithshme, kufiri dhe qarkullimi rrugor. Sipas ekspertëve, me këto shtesa brenda strukturave të policisë, pa lëvizur nga numri i përgjithshëm i punonjësve, gjendet edhe zgjidhja për aplikimin pa problem të sistemit 40 orë pune në javë, që aktualisht në Drejtorinë e Qarkut Tiranë, ende nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare. Në lidhje me këtë, qeveria kishte kërkuar që policia të rregullojë nevojat e saj brenda numrit total dhe nuk lejonte që të shtonte asnjë polic më tepër. Për këtë arsye, edhe kreu i policisë, Hsyni Burgaj, që në fillim të emërimit, paralajmëroi për një ndryshim rrënjësor të policisë.

Dy vendimet

Deri në vitin 2001, policia i ruante objektet e rëndësisë së veçantë me një vendim të dalë që në vitin 1991. Por pas dhjetë vitesh ndryshoi dhe u vendos që policia do të mbante në ruajte 14 institucione të rëndësishme. Sipas këtij vendimi, fondi i pagave dhe i shpenzimeve në zbatim të tij, mbuloheshin nga fondet buxhetore, të miratuara për Ministrinë e Rendit Publik. Në vendimin që zgjati deri në vitin 2007, ishin në ruajtje nga policia, që nga godinat e ministrive, godina e Radiotelevizionit Shqiptar, selitë e përfaqësive diplomatike e konsullore, si dhe godinat e Prokurorisë së Përgjithshme, ushtarake, dhe godinat e prokurorive vendore. Veç tyre, policia mbante në ruajtje edhe Gjykatën e Lartë, gjykatat e Apelit, gjykatat vendore dhe godinat e prefekturave. Veç tyre, të rëndësisë së veçantë dhe që duheshin ruajtur ishin Banka e Shqipërisë dhe filialet e saj, si dhe objektet “X79” dhe “X88”, në Tiranë, duke mos përjashtuar, Arkivin Qendror Shtetëror, ATSH-në, Institutin e Fizikës Bërthamore dhe hidrocentralet e Fierzës dhe Komanit. Në vitin 2007, qeveria vendosi të ndryshojë këtë, duke pakësuar numrin e objekteve të lartpërmendura, por duke shtuar disa të reja. Pikërisht në shtator të këtij viti u mor edhe vendimi i ri, ku u hoqën nga ruajtja prefekturat, hidrocentralet, Televizioni Shqiptar, ATSH-ja, Instituti i Fizikës Bërthamore dhe godinat e ministrive. Ndryshimi i fundit që pritet është ai që policia të ruajë vetëm ambasadat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›