E Diel, 1 Nëntor 2026

Montobio: Zgjidhni ngërçin, mos mbani peng integrimin

09/04/2010 Ambasadori spanjoll nga Vlora apel politikës

Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio, i ka bërë dje apel klasës politike shqiptare të zgjidhë ngërçin politik dhe të mos pengojë proceset integruese të vendit. Montobio ka ndjekur nga afër forumin me qytetarë dhe studentë me temë “Evropa ndërmjet meje dhe teje” në qytetin bregdetar e ka lënë qartë të kuptohet se procesi i liberalizimit të vizave po mbetet peng i ngërçit aktual politik. “Mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në Parlament. Zgjidhja duhet të konsistojë në ngritjen e një komisioni parlamentar për të zgjidhur pretendimet e opozitës. Kalimi i situatës është pozitiv për avancimin e procesit të liberalizimit të vizave. Diferencat politike duhet të zgjidhen në Parlament. Marrëveshja duhet të çojë në krijimin e një komisioni investigativ parlamentar që të bazohet në kushtetutshmëri. Dhe në këtë kuptim i nxisin palët të veprojnë në shpirtin e Bashkimit Evropian, të ndërmarrin atë dialog duke arritur një rezolutë që mund të zgjidhë situatën dhe kjo mund të bëhet në Parlament” u shpreh Montobio. Sipas tij, krijimi i ngërçeve të tilla nuk sjell asnjë të mirë në të ardhmen e vendit, dhe në proceset integruese që ai ka ndërmarrë, siç është liberalizimi i vizave apo anëtarësimi në BE. Në këtë takim, ambasadori Montobio shoqërohej nga ministri i Shtetit, Genc Pollo, i cili në fjalën e tij është përqendruar më së shumti në marrëdhëniet tona me shtetin fqinj, Greqinë. Pollo u shpreh se çështje të tilla si ajo e ushtarëve grekë nuk duhet të lidhen domosdoshmërish me çështje të tjera të pazgjidhura, siç është çështja çame. “Do të doja të thosha që nuk duhet të bëjmë lidhje midis gjërave që jo detyrimisht kanë lidhje. Shqipëria, si vende të tjera të Ballkanit, ka njohur luftëra dhe ka parë ushtri të ftuara dhe të paftuara të kalojnë në territorin e saj. Është në traditën e të gjitha kombeve të qytetëruara që, pasi mbaron lufta, vendoset paqja me fitimtarë dhe të mundur, por sido që të jetë kjo paqe, ka një kod që asnjë komb i qytetëruar nuk e shkel: që ushtarët e rënë të një ushtrie tjetër, qoftë kjo armike apo jo, i respektojnë. Ne e kemi dhënë këtë shenjë edhe gjatë viteve të demokracisë me ushtarët e rënë që i përkisnin ushtrisë fashiste, ushtarët e rënë që u përkisnin forcave të Britanisë së Madhe që ishin aleate, dhe nuk kemi pse të bëjmë përjashtime me forcat e ushtrisë greke të rëna në territorin shqiptar gjatë luftës Italo-Greke”, tha Pollo. Ky simpozium është i treti që zhvillohet gjatë këtij viti, me nismë të “Vlora Forum për dialog internacional”. Në dy edicionet paraardhëse ishin të pranishëm kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Borchard.

Franko Fratini

Në datën 12 prill, Shqipërinë do ta vizitojë ministri i Jashtëm italian Franko Fratini, i cili do të zhvillojë takime me homologun e tij shqiptar Ilir Meta, si dhe me Kryeministrin Berisha dhe me Presidentin Topi. Vizita e Fratinit vjen në një moment kur Shqipëria është angazhuar në një proces intensiv për liberalizimin e vizave, dhe që pret vendimin e BE-së në qershor.

Ministria e Brendshme

Ministria e Brendshme është shprehur se i ka plotësuar kriteret për të përfituar nga regjimi i liberalizimit të vizave. “Shqipëria ka shënuar progres të shpejtë dhe të plotë në plotësimin e kritereve, vlerësuar nga të gjithë ekspertët dhe aktorët vendimmarrës evropianë si progres që ka prodhuar standarde jo vetëm nga më të lartat në rajon, por të krahasueshme me standardet perëndimore.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›