E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moon shpreh keqardhje për gazetarët e burgosur

Nju Jork -Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban ki Moon, shprehu keqardhje që në mbarë botën mbahen ende të burgosur dhe keqtrajtohen gazetarët. Deklaratat e tij, u bënë me rastin e ditës ndërkombëtare të lirisë së shtypit. Sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve gjatë vitit 2008 janë vrarë rreth 41 gazetarë dhe në fillim të vitit 2009 janë vrarë rreth 11 gazetarë, ndërkohë që 125 gazetarë të tjerë janë ende të burgosur.

Në nderim të gazetarit kolumbian, Gilermo Kano, i cili u vra në vitin 1986 pasi publikoi tekste kundër drejtuesve mafias në Kolumbi, në vitin 1997 UNESKO vendosi çmimin botëror për lirinë e shtypit, çmim që u jepet personaliteteve të gazetarisë, organizatave dhe instuticioneve për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit në mbarë botën. Në raportin e vitit 2008 të organizatës joqeveritare ''Fridom Haus'', Maqedonia është renditur në vendin e 98-të për lirinë e mediave dhe mediat maqedonase vlerësohen si "pjesërisht të lira".

Kroacia është renditur në vendin e 81-të duke u klasifikuar në kategorinë e "mediave pjesërisht të lira". Në të njëjtën kategori ndodhen Bullgaria në vendin e 76-të, Mali i Zi në vendin 78-të, Serbia në vendin e 83-të dhe Shqipëria në vendin 101-të. Vendet me status jo të mirë janë Bjellorusia, Kina, Kuba, Guineja Ekuatoriale, Eritreja, Irani, Laosi, Libia, Mianmari, territori i Palestinës, Ruanda, Turkmenistani, Uzbekistani dhe Zimbabveja. Në vendin e fundit renditet Koreja e Veriut.

Evropa Perëndimore, dhe kryesisht vendet skandinave kryesojnë në listën për lirinë e mediave ku e para renditet Islanda, Finlanda dhe Norvegjia, Danimarka dhe Suedia, SHBA-ja, Çekia dhe Lituania.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›