Morali-ngjalë i Majkos u shfaq tek asambleja e të rinjve të Ramës
Para ca ditësh ish-kryeministri socialist Pandeli Majko foli për manipulim të ri zgjedhjesh dhe se morali është bërë “ngjalë”. Ndoshta, deputeti socialist Majko po paralajmëronte manipulimet gjatë asamblesë së përgjithshme të FRESH. E themi këtë sepse brenda Partisë Socialiste një dorë e pasinqertë paska futur një listë delegatësh “të paftuar” brenda asamblesë së përgjithshme të Forumit rinor Eurosocialist, si duket, për të pilotuar 5 emrat për nënkryetarë të saj. Prandaj, Elisa Spiropali kryetare e FRESH kundër kësaj procedure u detyrua të braktiste në mënyrë demonstrative punimet dhe denoncoi në media gabimet në listën e rretheve për delegatët në Asamblenë Kombëtare. Sipas Spiropalit, një pjesë e personave që ndodheshin në sallën e mbledhjes së Asamblesë së FRESSH, nuk ishin në listën e të deleguarve. Pas këtyre mosmarrëveshjeve Spiropali ka lënë e nervozuar sallën ku zhvilloheshin punimet, të cilat u paraprinë nga një fjalë përshëndetëse e kreut të PS-së, Edi Rama. Dhe po ta mendosh që Rama sapo kish folur për një forcë të re europiane?! Por aq europiane FRESH nuk na qenka përderisa lista e militantëve të rinj paska pasur probleme.
Megjithatë ujërat brenda FRESH-it kanë qenë të turbulluar pas kapjes për fyti të kësaj strukture prej të emancipuarve të Erion Velisë, i cili organizoi mitingje për të kamufluar zgjedhjen e Elisa Spiropalit. Kjo e fundit në avantazh të qartë kundrejt konkurrentëve të tjerë dukej e sigurt në fitore aq sa u bë teatrale shpallja e saj nga kreu i PS-së, Edi Rama. Por votimi u shoqërua me zënka të forta midis delegatëve për shkak të orientimit që iu është bërë atyre për të votuar. Mosmarrëveshja pati nisur kur sekretari për Rininë në Partinë Socialiste, Erion Veliaj lexoi një udhëzim sipas të cilit, nëse asnjë nga kandidatët nuk merr 51% të votave, atëherë ata do të kenë të drejtë të bashkojnë votat e tyre me njëri-tjetrin për të krijuar shumicën e duhur, pa shkuar në proces balotazhi. Ky udhëzim ngjalli reaksion në radhët e delegatëve, duke parë një tentativë për të përcaktuar fituesit e kësaj gare. Madje, gjatë votimit, Komisioni nuk ka pranuar që të votojë delegatë që kishin me vete kartën e anëtarësisë, por nuk kishin kartën e identitetit. Sekretari Veliaj, ashtu sikurse citon e përditshmja “Panorama”, ka kërkuar që edhe këta të lejoheshin të votonin, por ka ndeshur rezistencën e delegatëve që kanë kërkuar një proces të drejtë dhe të ndershëm. Gjakrat janë ndezur kur vetë Veliaj ka folur në emër të Kryesisë socialiste, sekretar i së cilës ai është. Një nga delegatët e ka shtyrë Veliajn në ambientet e jashtme të Kongresit, por kanë qenë të rinj të tjerë që kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën. Ky veprim ka krijuar reagime të forta dhe te kryetarët e PS-së në rrethe, të cilët shoqëronin delegatët në kongres.
Sido që të jenë arsyet që mërzitën në kulm Elisa Spiropalin, një gjë është e sigurt: PS-ja ka probleme serioze mendore me proceset zgjedhore. Kur problemet me listat, me njerëzit dhe më mënyrën e votimit janë kaq të dukshme brenda një organizmi vullnetar politik veç mendoni problemet që ngreh sa herë kreu i PS, Edi Rama, për reformën zgjedhore.