E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati: Urime Silvio, por jemi 5 me 1

Presidenti i Interit ka ngacmuar homologun e tij të Milanit, Silvio Berluskonin, duke i kujtuar se pas “Calciopoli”-t, janë zikaltërit “pronarët” e Italisë.

Festa e kuqezinjve në “Olimpico”, e cila kaloi nën hijen e këngëve dhe parullave kundër Interit, nuk e kanë shqetësuar aq shumë presidentin e Interit, Masimo Moratin, i cili përveçse ka shfaqur klasin e tij duke uruar kuqezinjtë për triumfin, u kujtoi atyre se kush kanë qenë bosët në vitet e pas “Calciopoli”-t. “Unë mund të paramendoj se si janë ndier ata pesë vitet e kaluara. Milani meritoi ta fitonte titulin, sepse kishte vazhdimësi, shmangu papërqëndrueshmërinë dhe po ashtu u forcua shumë. Shkurt, është triumf i merituar”, theksoi Morati. Pronari i “Pirellit” vijoi më tej duke ngacmuarr homologun e tij, Silvio Berluskonin, të cilit i kujtoi se rezultati është 5-1 në favor të Interit për titujt e fituar në periudhën e pas “Calciopoli”-t. “Më duket se keni harruar. Ah po, vërtet, ne jemi në epërsi me rezultat 5-1”, vijoi më tej Morati. Morati nuk la pa prekur as komentet e Kapelos, i cili kishte thënë se titulli i fituar nga Milani ishte i pari i vërteti pas “Calciopoli”-t, ndërsa hodhi poshtë një punësim të Guardiolas në postin e trajnerit zikaltër. “Kapelo kështu vetëm ka konfirmuar se cilat ishin formacionet para dhe pas “Calciopoli”-t. Guardiola? Në futboll gaboheni nëse mendoni shumë larg, kështu që preferoj të mendoj për sezonin e ardhshëm”, përfundoi Morati.

Ndërkohë, trajneri i Interit, Leonardo, thotë se dëshiron të vazhdojë të drejtojë ekipin italian dhe është i qetë për të ardhmen e tij. “Është e qartë se Inter dëshiron të fitojë gjithçka, por klubi tashmë ka fituar Superkupën dhe Kupën Botërore të Klubit, ndërsa ne mund të arrijmë edhe në Finalen e Kupës së Italisë këtë vit. Sa i takon të ardhmes time, kurrë nuk kam menduar të largohem nga Interi. Kam kontratë dhe dua ta respektoj, edhe pse e di se trajneri gjithmonë vlerësohet në bazë të rezultateve”, ka thënë braziliani.

Kasano: Ja pse erdha te Milani

Antonio Kasano është tejet i ngazëllyer me faktin që është duke veshur fanellën kuqezi të Milanit, ndërsa si arsyen më të fortë të kalimit të tij te “San Siro”, cilëson fitimin e titullit kampion. “Më në fund kam fituar diçka. Unë erdha këtu për të fituar diçka të rëndësishme në jetën time”, theksoi Kasano. Sulmuesi italian kaloi nga Sampdoria te Milani për një shumë prej pesë milionë eurosh e cila iu pagua Real Madridit, kurse atë e kërkoi edhe Interi gjatë janarit. Ndërkohë, Kasano është shndërruar në pjesë integrale të ekipit fitues të titullit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›