Moratoriumi, propozohet përjashtimi i mjeteve turistike e sportive
27/01/2010 Komisioni i Sigurisë pro pezullimit për tre vjet të lundrimit të skafeve
Synohet shfrytëzimi i kufijve detarë shqiptarë për trafiqe
Ndryshe nga diskutimet e katër viteve më parë, deputetët e mazhorancës i kërkojnë Kuvendit përjashtimin nga moratoriumi për mjetet motorike lundruese, të mjeteve motorike të lundrimit turistik dhe të sporteve ujore. Projekti, i cili pezullon të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Shqipërisë, pavarësisht nga funksioni i përdorimit të mjetit për tri vjet rresht, u diskutua nga komisioni parlamentar i Sigurisë. “Mendoj se mjetet motorike të sporteve ujore nuk përbëjnë asnjë rrezik për transportimin e lëndëve narkotike apo të përdoren për trafikimin e qenieve njerëzore, për shkak të madhësisë dhe pamundësisë për të përshkuar largësi të konsiderueshme, nuk duhet të përfshihen në këtë moratorium”, deklaroi gjatë diskutimeve deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, duke propozuar përjashtimin e tyre nga moratoriumi. Anëtarët e tjerë të komisionit vlerësuan që projekti, shoqëruar me propozimet e deputetëve të veçantë, t’i propozohet seancës plenare. “Duke marrë parasysh edhe sugjerimet e anëtarëve të komisionit për përjashtimin nga ky moratorium të mjeteve turistike dhe të sporteve ujore, mendoj që t’ia përcjellim për diskutim seancës plenare”, tha kryetari i komisionit, Leonard Demi. Projekti në fjalë u miratua një herë në vitin 2006 dhe shtyrja e tij edhe tre vjet të tjera u vlerësua i domosdoshëm nga Qeveria shqiptare, në kuadër të partneritetit për të luftuar trafiqet e paligjshme të të gjitha llojeve, për kontrollin e kufirit detar dhe parandalimin e emigracionit klandestin drejt vendeve të BE-së.
Përjashtimet
Projekti i propozuar nga Qeveria shqiptare përjashton nga ky moratorium: mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portale; mjetet lundruese të destinuara vetëm për peshkim, sipas ligjit nr. 7 908 datë 05 04 1995 “Për peshkimin dhe akuakulturën”, të ndryshuar; mjetet e transportit detar, që shërbejnë për transportin e mallrave; mjetet e transportit detar të licencuara për transport pasagjerësh dhe të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar si mjete lundruese për transport udhëtarësh”.