E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi mban qëndrim konstruktiv për krizën politike

27/01/2010  Zëvendëskryeministri Ilir Meta fajëson opozitën për situatën në Strasburg
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, ka vlerësuar pozitivisht rolin që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mund të ketë në zgjidhjen e krizës politike, ku është përfshirë vendi. Duke marrë shkas nga projektrezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku theksohej roli mediator i kreut të shtetit, Meta u shpreh i gatshëm që të marrë pjesë në një takim të drejtuar nga Presidenti Topi, mes krerëve të partive politike. “Ne jemi pro çdo lloj forme të dialogut, absolutisht dhe pa asnjë diskutim që kemi konsideratën më të lartë për Presidentin e Republikës, për pozicionin kushtetues që ai ka dhe për qëndrimet konstruktive që ka mbajtur për të gjitha çështjet”, deklaroi dje zëvendëskryeministri Meta. Numri dy i Qeverisë në komentet që i bëri situatës së krijuar në Asamblenë Parlamentare të KE-së, pas kërkesës së ngrirjes së kredencialeve të delegacionit shqiptar, tha se “janë përpjekje tepër fëminore dhe tërësisht të papërgjegjshme, që po bëjnë disa përfaqësues të Partisë Socialiste për të dëmtuar imazhin e vendit jo vetëm në Strasburg, por kudo”. Meta ka deklaruar se në APKE-në nuk ka pasur asnjë problem serioz, përveç vetë problemit që ka krijuar me qëllim lidershipi i Partisë Socialiste, që ka bëjë me bojkotin e pakuptueshëm, të cilin e kanë dënuar të gjithë që nga Strasburgu, Brukseli dhe në të gjithë botën. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm ka vlerësuar pozitivisht rolin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila, sipas tij, nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka zbatuar kompetencat e saj. “Fakti që u konfirmuan në mënyrë krejtësisht normale kredencialet e përfaqësuesve të Parlamentit shqiptar, tregon qartazi se çdo gjë po ecën normalisht, përveç anormalitetit që ka të bëjë me bojkotin, për të cilin vetë lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës”, theksoi shefi i diplomacisë shqiptare. Ministri Meta deklaroi se opozita nuk mund të fajësojë as Kryetaren e Parlamentit dhe as mazhorancën për një problem që e ka krijuar vetë, sepse nuk kanë bërë betimin dhe nuk duan të shkojnë në Strasburg. Sipas Metës, socialistët nuk duan të përfaqësohen dhe pastaj kërkojnë të zgjidhet një problem që nuk ka asnjë lidhje as me respektimin e atyre parimeve me të cilat funksionon Këshilli i Evropës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›