E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi votohen unanimisht edhe nga socialistët

27/01/2010  Komisioni për Mandatet vlerëson të rregullta kredencialet e delegacionit shqiptar
Delegacioni i Parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës i është rikthyer angazhimit të plotë, pasi u vërtetua se kredencialet e tij janë në përputhje me Rregulloren e funksionimit të Asamblesë. Komisioni për Procedurat, Rregulloren, Mandatet dhe Çështjet Institucionale, pjesë e APKE-së, ka marrë në shqyrtim paraditen e djeshme kërkesën e paraqitur nga kreu i grupit socialist në Asamble, zviceranit Andreas Gros, i cili vuri në dyshim kredencialet e delegacionit shqiptar. Gjatë mbledhjes së djeshme u shqyrtua e gjithë procedura dhe u mor në konsideratë Rregullorja e Asamblesë Parlamentare të KE-së, por edhe u vlerësua mënyra e përcaktimit të anëtarëve të delegacionit shqiptar sipas rregullave të Parlamentit shqiptar. Pas konstatimeve, anëtarët e Komisionit për Procedurat dhe Rregulloren, morën vendimin unanim se kredencialet e delegacionit të Parlamentit shqiptar ishin në përputhje të plotë me rregullat e përcaktuara. Në këtë mënyrë u vendos e ashtuquajtura “shkrirje” e kredencialeve. Mësohet se vendimi u mbështet edhe nga vetë socialisti Gros, i cili u bind për kredencialet e rregullta të delegacionit të Parlamentit shqiptar pranë APKE-së. Vendimi i kthen ato të drejta të kufizuara të delegacionit shqiptar, gjatë 24 orëve të fundit. Ngrirja e përkohshme e kredencialeve të delegacionit shqiptar, erdhi pasi socialisti Gros vuri në dyshim kredencialet e delegacionit tonë në Strasburg, duke nxjerrë pretendimin se është cenuar Rregullorja e Këshillit të Evropës për mënyrën e përfaqësimit të Shqipërisë. Ai kërkoi verifikimin përmes instrumenteve ligjore dhe institucionale të APKE-së. Menjëherë pas pretendimit dhe kërkesës së parashtruar nga kreu i grupit zviceran në Asamble, u vendos ngrirja e kredencialeve të delegacionit shqiptar dhe nisja e procedurës së shqyrtimit të tyre. Në terminologjinë politike të përdorur nga APKE-ja, do të thotë që delegacioni i Parlamentit shqiptar në Këshillin e Evropës futet në një fazë transitore, gjatë së cilës delegacioni shqiptar kishte të drejtën të merrte pjesë në punimet e Asamblesë, kishte të drejtën të shprehte mendimet dhe të votonte për çështjet që do të trajtoheshin, por jo për çështje që i përkasin Shqipërisë. Për të zgjidhur situatën u vu në funksion Komisioni i Rregullores dhe Mandateve të APKE-së, i cili pikërisht gjatë mbledhjes së djeshme, si pikë të parë të rendit të ditës kishte vlerësimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar dhe shqyrtimin e përbërjes së tij. Delegacioni i Parlamentit shqiptar përbëhet nga deputeti demokrat Ilir Rusmali, që mban dhe postin e kreut të delegacionit, deputetja demokrate Lajla Përnaska dhe nga deputeti Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë Drejtësi dhe Integrim, ndërkohë që deputeti socialist Kastriot Islami refuzoi të merrte pjesë në delegacion, duke argumentuar se ai nuk ka bërë betimin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Projektrezoluta e Asamblesë Parlamentare të KE-së
Ditën e nesërme, në axhendën e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është parashikuar paraqitja e raportit dhe projektrezolutës së përgatitur nga raporterët: finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Wilshire. Në projektrezolutë theksohet: “Asamblesë i vjen keq që ky bojkot (i Parlamentit nga PS-ja) ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë”. Në këtë projektrezolutë evidentohet ngadalësimi i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Shkak për këtë, sipas raporterëve është bërë bojkoti i Parlamentit nga ana e opozitës, mungesa e dialogut politik mes partive politike shqiptare. Në draftraport i kërkohet Qeverisë dhe opozitës t’i japin fund krizës aktuale politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të vijojnë me reformat e nevojshme. “Asambleja i kërkon Qeverisë shqiptare dhe opozitës t’i japin fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të procedojnë me reformat jetike dhe shumë të nevojshme dhe të shënojnë progres në drejtim të integrimit evropian, një qëllim i përbashkët për të gjithë. Në mënyrë të veçantë, kërkon që Qeveria të ngrejë pa vonesë një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, si dhe në të njëjtën kohë i kërkon opozitës të kthehet në Parlament dhe të marrë pjesë tërësisht në punimet parlamentare”, thuhet në këtë projektrezolutë. Gjithashtu theksohet se vihet re se mungesa e dialogut parlamentar dhe rekursi te bojkoti, në mënyrë të veçantë pas rezultateve të zgjedhjeve, përbën një problem të ripërsëritur në Shqipëri, që seriozisht pengon funksionimin e institucioneve demokratike të shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›