Rama:Bojkoti do vazhdojë, mandatet e PS-së nuk do të digjen

Kryetari i PS-së Edi Rama e ka cilësuar bojkotin e opozitës si shprehje e një krize të thellë demokracie. Në një intervistë për Zërin e Amerikës Rama ka theksuar se bojkoti do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet për zbardhjen e zgjedhjeve duke theksuar edhe njëherë se mandatet e PS-së nuk do të digjen.
"Ne kemi zgjedhur që t'a bojkotojmë parlamentin, jo si shprehje e një dëshire apo një vizioni për të bërë politikë, por si të vetmen rrugë për të mbajtur fokusin tek çështja e transparencës së zgjedhjeve, pa të cilën askush në Shqipëri nuk ka garanci se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë një kopie akoma më e shëmtuar madje e zgjedhjeve të shkuara të cilat në këndvështrimin tonë ishin jashtë standarteve që meriton populli shqiptar për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e tij dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të përsëriten" theksoi Rama.
Ndërkohë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për paktin detar me Greqinë Rama theksoi se ndihen keqardhje për katandisjen e qeverisjes në Shqipëri në një instrument të errët, i cili vepron për fat të keq në kundërshtim me interesat e publikut, dhe në këtë rast me interesa akoma më të mëdha.
"Arsyeja pse ne iu adresuam Gjykatës Kushtetuese ishte për t'i dhënë mundësi mendimit të lirë, të bazuar në një ekspertizë të thellë, dhe për t'a larguar këtë çështje shumë të nxehtë që me të drejtë provokoi ndjeshmërinë e mbarë publikut shqiptarë nga tryeza e debatit politikë, të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një marrëveshje e cila duhet mes Shqipërisë dhe Greqisë, marrëveshje mes dy vendesh jo vetëm fqinje, por dhe vendesh mike, por njëkohësisht dhe shumë të shqetësuar për faktin se ky instrument i domosdoshëm për mbarëvajtjen e punëve mes dy vendeve, rezultonte nga shqetësimet e ngritura si një instrument jashtë kontrollit të Kushtetutës dhe ligjit" theksoi Rama.