E Enjte, 5 Nëntor 2026

Morawiecki i kërkon kancelarit Scholz braktisjen e ”Nord Stream 2”

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki përsëriti kundërshtimin e tij ndaj gazsjellësit të diskutueshëm ”Nord Stream 2” gjatë vizitës  përuruese të kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Varshavë.

Duke paralajmëruar se projekti, i cili do të dërgojë gaz natyror nga Rusia drejtpërdrejt në Gjermani pa kaluar tranzit në Ukrainë, Poloni ose shtetet baltike, do të shërbejë vetëm për të rritur fuqinë e Kremlinit për të ushtruar presion mbi BE-në si dhe për të shtrënguar një lak rreth Ukraina Morawiecki tha se “zgjidhja më e mirë do të ishte parandalimi i transmetimit të ‘Nord Stream 2”.

Scholz nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komenteve të Morawieckit, por ai përsëriti mbështetjen e Gjermanisë për biznesin e tranzitit të gazit të Ukrainës duke thënë gjithashtu se Gjermania do të mbështeste Ukrainën në zgjerimin e saj të energjive të rinovueshme.

Qeveria polake ka qenë prej kohësh kundër projektit, nga frika se ai vetëm do të rrisë varësinë e Evropës nga furnizimet me gaz rus dhe do të ndikojë negativisht në vendet – përfshirë Poloninë – që aktualisht fitojnë para nga tarifat e tranzitit të gazit.

Morawiecki kritikoi gjithashtu qëllimet politike evropiane të qeverisë së re gjermane.

“Uniformiteti dhe egalitarizmi nuk janë rrugë të mira veprimi”, tha Morawiecki pas takimit të tij me Scholz.

Qeveria e re e koalicionit të qendrës së majtë të Gjermanisë është zotuar të punojë për një Bashkimi Evropian “që mbron vlerat e tij dhe shtetin e së drejtës”.

Morawiecki tha se në Poloni njerëzit e perceptojnë federalizimin e planifikuar të Evropës si “centralizëm demokratik dhe centralizëm burokratik”.

”Evropa do të jetë e fortë nëse është një Evropë e shteteve sovrane”, tha ai./ATSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›