Ligji i ri, pranon dypunësimin

Projektligji i ri për arsimin e lartë do të miratohet gjatë seancës së ardhshme të parlamentit shqiptar
Propozimi, personeli akademik mund të punojë me kohë të pjesshme në universitete të tjera, dekanët dhe rektorë jo
Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në ligjin për arsimin e lartë pritet të miratohen gjatë seancës së ardhshme të parlamentit shqiptar.
Tri ditë më parë vetë ministri i Arsimit Myqerem Tafaj është përballur me Komisionin Parlamentar për mjetet e informimit dhe edukimit publik, ku ka bërë një paraqitje të draftit që do të miratohet. Propozimet e paraqitura nga MASH janë kontestuar jo vetëm nga anëtaret e këtij komisioni por edhe nga rektorët e universiteteve të Kryeqytetit.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule ka bërë një listë gjatë të pikave të këtij drafti të cilat cenonin autonominë e universiteteve publike, por pika ku është ndalur më shumë ishte heqja e kompetencave që universitetet publike, kanë në vendosjen e kritereve për pranimin në institucionet e arsimit të lartë.
Kështu sipas rektorit Kule ndryshimet e propozuara i heqin të drejtën universiteteve për të vendosur kriteret e pranimit të studentëve, duke i reduktuar kompetencat e universiteteve publike vetëm në propozimin e kritereve.
Në nenin 33 të ligjit për arsimin e lartë të miratuar në vitin 2007, thuhet "Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të përcaktojnë kritere të vçanta për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t'u pranuar në ciklin e parë të studimeve.
Këto kritere bëhen publikisht të njohura nga institucionet e arsimit të lartë të paktën një vit para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion, së bashku me informacionin e nevojshëm mbi institucionin respektiv dhe programet që ofron".
Ndërsa në projekt ligjin e propozuar së fundmi nga MASH kompetencat e Universiteteve reduktohen thjeshtë në propozime. Në nenin 18 të projektligjit shkruhet se "Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të propozojnë kritere të vçanta për përzgjedhjen e kandidatëve të cilët kanë përfunduar maturën shtetërore, për t'u pranuar në ciklin e parë të studimeve.
Këto kritere shqyrtohen dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në këshillim me konferencën e rektorëve dhe këshillin e arsimit të lartë dhe shkencës, dhe mbi këtë bazë ministri miraton me udhëzim kriteret dhe procedurat e pranimit në ciklin e parë të studimeve".
Në këtë mënyrë Ministria e Arsimit nuk do të jetë më institucioni që vetëm miraton ose jo vendimet e Universiteteve por do të jetë vetë ajo që do të vendosë edhe për mënyrën dhe kriteret mbi bazë të të cilave do të pranohen studentët në universitete.
Punësimi me kohë të pjesshme
Një nga pikat më të diskutuara në arsimin e lartë ka qenë edhe dypunësimi i stafit akademik. Nëse një praktikë e tillë duhej lejuar apo jo.
Në draftin e paraqitur nga Ministri Tafaj, lejohet dypunësimi por me kusht që puna e dytë të jetë e përkohshme dhe jo me kohë të plotë. Sipas këtij drafti personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në një institucion të arsimit të lartë publik ose privat, ka të drejtë të punojë me kohë të pjesshme në një tjetër institucion të arsimit të lartë brenda apo jashtë vendit. Por për të ndërmarrë një veprim të tillë fillimisht pedagogu duhet të marrë një miratim nga titullari i institucionit të arsimit të lartë.
Ky rregull duket se është vendosur vetëm për personelin akademik, pasi asnjë nga drejtuesit , rektorë apo dekanë nuk kanë të drejtë të angazhohen në veprimtari të tjera mësimdhënie
MND nuk njihet jashtë shqipërisë
Masteri i nivelit të dytë, në ligjin për arsimin e lartë të miratuar më 2007, u konceptua si një titull për të ekuivalentuar studimet universitare 1-2 vjçare që kryheshin pas përfundimit të diplomave të vjetra 4-5 vjçare.
Sipas të dhënave të MASH ky titull u bë shumë i kërkuar sepse çonte në disa përfitime të lidhura me pranimin në studimet e doktoratës dhe gjithashtu shtonte pagën për nënpunësit në administratën publike, një faktor ky që shkaktoi një deformim shumë të madh të strukturës së cikleve të studimeve universitare. Në propozimet e reja të ministrisë nuk permendet asgjë në lidhje me këtë diplomë, ashtu sikuendër nuk thuhet se çfarë do të ndodhe me ata që tashmë e kanë marrë një diplomë të tille.
Titulli MND përmendet vetëm në dispozitat e fundit të ligjit ku në një mënyrë shumë delikate thuhet se kjo diplom nuk vlen për asgjë, pasi MND nuk ka asnjë ekuivalencë të saktë me diplomat e huaja. Master of Philosophy është një diplomë e një niveli shumë më të lartë se Masteri i nivelit të dytë.
MND-ja në rastin më të mirë mund të krahasohet me MSc, (masterin shkencor), të vendeve europine, por kjo do të ndodhë vetëm në rast se MND-ja është fituar pas një diplome 4-5 vjçare, dhe jo pas diplomës Bachelor.