E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mori lavazhin me qira për të shitur drogë, në pranga 32-vjeçari në Mat

Një 32-vjeçar ka rërë në pranga të policisë për shpërndarje të kokainës dhe kanabisit, nëpërmjet lavazhit që kishte marrë me qira me qëllim kamuflimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Në pranga ra edhe një 39-vjeçar, punonjës në këtë lavazh, njëkohësisht bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Në pranga ranë:

L. H., 32 vjeç, banues në Burrel, i cili kishte marrë me qira lavazhin;

J. P., 39 vjeç, banues në Burrel, punëtor në këtë lavazh.

Gjithashtu, policia nisi procedimin në gjendje të lirë për shtetasin Y. N., banues në Burrel, pronari i lavazhit pasi gjatë operacionit iu gjet një pushkë sportive.

“Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit L. H. dhe kontrollit në ambientet e lavazhit që ai kishte marrë me qira, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza kanabisi, një sasi kanabisi gati për paketim dhe doza kokaine,

Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lavazhit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 10 targa automjetesh shqiptare dhe të huaja, që dyshohet se shtetasi L. H. i përdorte për automjete të ndryshme, me qëllim që të kamuflonte veprimtarinë kriminale, fishekë për armë gjahu, si dhe një pushkë sportive që i përkiste pronarit të lavazhit, shtetasit Y. N.  

Gjatë kontrolit fizik, shtetasit J. P., punëtor në lavazh, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë në doza”, njofton policia.   

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza kanabisi, një sasi kanabisi gati për paketim, doza kokaine, targa automjetesh shqiptare dhe të huaja që dyshohet se 32-vjeçari i përdorte për të kryer veprimtarinë kriminale, duke i vënë në mjete të ndryshme.   

Materialet procedurale do t’i refrohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›