E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morsa

Fitues të projekteve për filmin eksperimental për veprën e parë shpallen Namik Ajazi dhe Gjergj Xhuvani. Njëri anëtar bordi i QKK-së tjetri regjisor me përvojë. Është prekur besueshmëria e vendimeve të Këshillit Miratues të Projekteve dhe QKK e cila po përdor një standard të dyfishtë.


Fitues projekti i Isa Qosjes, trajtohet si rast i veçantë

Ndodh diçka me idetë dhe zbatimin e tyre praktik në terrenin e kulturës në Shqipëri. Ndodh fenomeni i të bërit moral nga ata që nuk kanë as paratë as postet vendimmarrëse por që kur vijnë në vendin ku këto të dyja iu jepen, sillen si sklerotikë, sikur dembelosen e bëhen shëndetligj, sikur nuk kanë gjë të përbashkët me predikuesit e atëhershëm për politika kulturore, me të revoltuarit që kërkojnë llogari si taksapagues për përdorimin e buxheteve shtetërore.

Një vit përpara, në faqet e "Shekullit" ata që sot janë anëtarët e Këshillit Miratues të Projekteve të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, kërkonin më shumë guxim nga kineastët shqiptarë; thoshin se kemi nevojë për një kinema që të kapërcejë kufijtë, që të përballet me qytetarët e lirë, që të tregojë vendet dhe njerëzit, kohën dhe botën e shpirtit, punën dhe pushtetin e njerëzve dhe të tjera pushtete në hapësirën tonë, e vogël krahasuar me të të tjerëve, por e madhe sepse e njohim më pak nga ç'mendojmë.


Pra që kinemaja të hyjë aty ku politika, ekranet, gazetarët, shoqatat, elitat, nuk hyjnë.
Me siguri që anëtarët e Këshillit vazhdojnë t'i kenë këto pretendime, po sa ia arrijnë? Janë shtatë individë që analizojnë dhe miratojnë projekte që nesër i shohim filma në ekran. Pyetjet janë:

Çfarë standardesh mban parasysh bordi kur miraton projektet?;
A mundet një prodhim i dobët të parandalohet qysh në krye, qysh pa marrë rrugën e realizimit për të cilin Qendra Kombëtare e Kinematografisë (fjala është për filmin e gjatë artistik) mbështet me shuma 300-400 mijë euro?


Më 23 shkurt, Këshilli Miratues i Projekteve të Filmit Artistik i përbërë nga Kiço Blushi (kryetar), Ndriçim Xhepa, Elvira Diamanti, Fatos Baxhaku, Kristaq Skrami, Todi Bozo dhe Ylli Pepo miratoi projektet fitues të Filmave Artistik Eksperimental - vepër e parë.

Për konkurrim ishin paraqitur "Djali i gjakut", regjia Namik Ajazi, Maglio Castagna, me skenar të Ruzhdi Pulahës; "Fillon diku" me skenar dhe regji të Iris Elezit, "Përtej amnistisë" skenari dhe regjia Bujar Alimani, "Lëkura" me regji të Eno Milkanit, skenari Eno Milkani, Roland Gjoza, "Mot i keq për dashuri" me regji të Valon Bajgorës dhe Bashkim Hoxhës, skenari Bashkim Hoxha, dhe "Letra nga Shqipëria" me
Regji të Gjergj Xhuvanit dhe Roland Sejkos, skenari Roland Sejko dhe Gjergj Xhuvani.


Këshilli vendosi që projekti "Letra nga Shqipëria" me producent shtëpinë kinematografike "Propaganda" sh.p.k., të klasifikohet dhe i jepet e drejta e riaplikimit brenda mandatit ligjor të këtij Këshilli, pasi projekti të jetë plotësuar me skenarin në formën e tij të plotë.


Ndërsa projekti fitues, ai që merr mbështjetjen financiare në masën 23 015 000 (njëzetëetremilionëepesëmbëdhjetëmijë) lekë, është "Djali i Gjakut", regjia Namik Ajazi, Maglio Castagna, Skenari Ruzhdi Pulaha, Producent shtëpia kinematografike "Media Vision" sh.p.k.


Përse ky projekt fitues? Asnjë motivacion nga Këshilli i cili sipas statutit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë duhet t'i raportojë kësaj të fundit vlerat dhe standardet që ky projekt ka për t'u vlerësuar më i mirë në kategorinë e Filmit Artistik Eksperimental - vepër e parë.


Duhet thënë se në asnjë rast, rregullorja apo edhe ligji "Për Kinematografinë" nuk saktëson se çfarë duhet kuptuar me "film eksperimental". Është aq e paqartë sa vetë QKK herë përdor termin eksperimental e herë alternativ.


Kur u hap tre vitet e fundit kjo kategori, u tha se ishte një shans sidomos për regjisorët e rinj, megjithatë kufi moshe me rregullore nuk është vendosur. Duke qenë kategori për veprën e parë të regjisorit, nënkuptohet një moshë relativisht e re. Filmin e parë të gjatë një regjisor mendohet ta ketë konsumuar afërsisht tek të dyzetat.

Fituesi Ajazi nuk është në këtë grupmoshë. Ai vjen nga dokumentaristika dhe nuk ka lëvruar asnjëherë filmin artistik, me një përjashtim të vogël, me "Dasma tjetër" ku ka tentuar edhe një gjysmë fiction.


Ajazi është rregullisht fitues me dokumentarë që financohen nga QKK në masën e një mesatareje 1.3-2 milionë lekë. Pa paragjykuar projektin "Djali i gjakut", por duke dashur që të diskutohet më hapur nga bordi cilësia e projekteve, kujtojmë se në dokumentarët e tij Ajazi është marrë më së shumti me profile artistike, për poetët e ekzekutuar, Genc Leka e Vilson Blloshmi, për shkrimtarin Petro Marko, për Fadil Paçramin për regjisorin dhe aktorin Kujtim Spahivogli të cilit i kushtoi "Rikthim në Tempullin e Shenjtë".

Tek ky film ka detaje që një profesionisti nuk i tolerohen. Fotografia është bardhë e zi sepse regjisori do të na çojë në vitet shtatëdhjetë, por harron "të fshijë" gjurmët e kohës sonë, dritaret duralumin që sigurisht nuk ekzistonin në kohën të cilës i referohet Ajazi.

Thuhet që Këshilli Miratues i Projekteve duhet të gjykojë për shpalljen e fituesve në favor të "vlerave, garancive profesionale e morale, përputhshmërisë ligjore te vendimeve që burojnë nga autoritetet dhe përgjegjësitë respektive".


Emri i Namik Ajazit dhe vetë ai, është në një zonë influence që i jep peshë garancive të tjetër lloji. Përndryshe, çfarë garancie morale ka në faktin që Ajazi në dallim nga gjithë konkurrentët e tjerë është anëtar i Këshillit Miratues të Projekteve për Dokumentarin? Ajazi nuk është rast i izoluar. QKK e injoron faktin që fitues shpallen autorë që janë anëtarë bordesh.

Regjisori Ylli Pepo po ashtu, është anëtar i Këshillit për Filmin Artistik, ndërkohë që projektet e tij shpallen fitues nga këshilli miratues i dokumentarit.


Asnjë rregullore dhe asnjë statut këtë nuk do ta quante shkelje. Ashtu sikur shumë njerëzve nuk do t'u bënte aspak përshtypje që Ministria e Kulturës financon një aktivitet për kinemanë për fëmijë i cili organizohet nga bashkëshorti i ministres së Integrimit, pra Ajazi.


Për projektin "Letra nga Shqipëria", një nga dy autorët është Gjergj Xhuvani i klasifikuar tek kategoria për veprën e parë filmike! Xhuvani është regjisor i disa filmave artistikë, me një tjetër në prag premiere.


Në këtë mënyrë, kategoria e projekteve ku kanë konkurruar edhe artistë me një background që i ka përgatitur për tek filmi i parë i gjatë, është futur në morsën e Këshillit Miratues të Projekteve duke u dëmtuar dhe goditur nga pabarazia e subjekteve në konkurrim. Projektet dhe autorët e tyre kanë hyrë në një garë me të pabarabartë.
Edhe më e ngushtë morsa e përdorur për kategorinë zhvillim projekti, për filmin artistik me metrazh të gjatë.

Fitues janë shpallur "Tjetri", skenari dhe regjia Leka Bungo; "Mogadisho 23", skenari dhe regjia Saimir Kumbaro; "Një hap nga parajsa", skenari Pëllumb Kulla, regjia Vladimir Prifti dhe si rast i veçantë trajtohet projekti "Vrasësi i qenve", skenari dhe regjia: Isa Qosja.


Nga ky grup fituesish le të veçojmë një, autorin Kumbaro. Filmi i tij i fundit "Ne dhe Lenini" nuk e ka kaluar në Tiranë të 2000 spektatorët. A bën bilance QKK dhe këshillat e saj për këto dështime?


Tashmë besueshmëria e vendimeve të Këshillit Miratues të Projekteve dhe QKK nuk mund të thuhet se është e paprekur dhe se këto Këshilla edhe në vendimet me tyre të fundit kanë përdorur standarde të dyfishta.


"Marubi" shfaq "Elisa, vida mia"


Akademia e Filmit dhe e Multimedias "Marubi" në bashkëpunim me Ambasadën Francezë në Shqipëri organizojnë mbrëmjen e filmit spanjoll. Nesër në orën 19:00 në kinemanë "Jim dhe Jon Belushi" shfaqet filmi spanjoll "Elisa, jeta ime" (Elisa, vida mia) i regjisorit Carlos Saura. Martesa e Elisës është në krizë, në kohën kur merr një telegram që njofton, se i ati që jeton në një qytet tjetër është sëmurë. Ajo së bashku me vëllanë dhe motrën e saj nisen për në qytetin ku jeton i ati. Ky film është prodhuar në vitin 1977, zgjat 117 minuta dhe shoqërohet me titra në anglisht. Interpretojnë, Norman Briski, Geraldine Chaplin, Arantxa Escamilla, Jacobo Escamilla, Francisco Guijar, etj.

TK edhe këtë fundjavë prezanton "Filumena Marturano"


Sot në orën 19:00 Teatri Kombëtar shfaq pjesën "Filumena Marturano", të dramaturgut italian Eduardo de Filippo. Regjisori Albert Minga paraqet historinë e "Filumena Marturanos" nëpërmjet aktorëve Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj etj. Drama do të shfaqet për gjatë gjithë fundjavës. Një javë më parë kjo vepër pati premierën e saj në TK.

Fundjava e Operës, bosh

Këtë fundjavë skena e Teatrit të Operës dhe Baletit është në qetësi. Në kalendarin e këtij institucioni nuk parashikohet asnjë aktivitet. Koncerti i radhës parashikohet të jetë në 1 mars, ku në kuadër të Muajit të Kulturës Shqipëri-Kosovë do të realizohet koncerti "Talentet e Kosovës në Tiranë". Një mbrëmje koncertore me instrumentistë të rinj.

Vazhdon "Lufta e nuseve" në Millenuim

Komedia "Bride Wars" vazhdon të shfaqet në kinema Milenium. Filmi mban firmën e regjisorit Gary Winick dhe ka për protagoniste aktoret Anne Hathaway dhe Kate Hudson. Liv dhe Ema janë shoqe të mira dhe që në fëmijëri kanë planifikuar çdo detaj të martesave të tyre. Kisha në të cilën do të martohen bën një gabim dhe të dyja vajzat janë të detyruara të ndajnë të njëjtën ditë të madhe. Kjo përplasje është edhe fillimi i luftës mes tyre.


Presidenti dekreton kreun e Akademisë së Shkencave

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje kreun e Akademisë së Shkencave Prof Gudar Beqiraj. Gjatë ceremonisë Presidenti u shpreh se: "Bota akademike duhet të jetë një botë e papolitizuar e cila i referohet parimeve të shkencës, një botë, e cila duhet ta ketë ushqimin e vet nga lidhja e natyrshme me strukturat universitare".
Matematicieni u zgjodh në krye të Akademisë nëpërmjet votimit të Asamblesë më 7 shkurt. Ai arriti të fitonte ndaj dy kandidatëve të tjerë, Kolec Topallit dhe Apollon Baçes.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›