E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Qeveria, kujdes me shpenzimet

"Të ardhurat e privatizimit, të shkojnë për financimin e buxhetit. Do të ketë tkurrje investimesh dhe punësimi"

Ish-shefi i misionit të FMN-së, thotë se Shqipëria është në situatë më të favorshme se shumë vende të tjera


Shqipëria do të ndikohet nga kriza ekonomike, por askush nuk mund të thotë për përmasat e saj. Ish-shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, tha dje se është e pamundur të bësh një parashikim realist rreth rritjes ekonomike në vend. Sipas tij, FMN-ja mendon se do të ketë rritje ekonomike, por kjo do të shoqërohet me një marzh të lartë pasigurie.


"Në fillim ne parashikonim 6 për qind, në nëntor e ulëm në 3.5 për qind dhe në një intervistë që kam dhënë para pak kohësh, thashë se edhe kjo shifër ka nevojë të rishikohet në ulje. Nuk e dimë çfarë do të na tregojnë shifrat pas dy apo tre muajsh. Pra, ka shumë pasiguri, gjithçka mund të ndodhë", - tha Bell.

Bell tha se rritja ekonomike do të jetë më e ngadalta e dekadës së fundit. Ish-shefi i misionit të FMN-së theksoi se ky vit do të jetë shumë i vështirë për punësimin, investimet dhe kreditimin, por ekonomia do të funksionojë.

Por, ai tha se vendi ynë është në pozitë më të favorshme, krahasuar me shumë vende të rajonit dhe kjo, sipas përfaqësuesit të Fondit, ka ardhur si shkak i mbikëqyrjes së fortë që i është bërë sistemit bankar.

Bell ka renditur ndër problemet kryesore zhvlerësimin e monedhave në shumë vende. "Ne po e shohim këtë në disa vende të tjera të rajonit. Rreziku i dobësimit të monedhës dhe pasojave që kjo mund të këtë tek sistemi financiar ekziston edhe në Shqipëri.

Ky nuk është një rrezik i ri, për sa kohë që pjesa më e madhe e kreditimit është në valutë të huaj. Por, në një farë mënyrë, Shqipëria i ka paraprirë kësaj situate.

Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politike të kujdesshme, duke vënë kushte, duke vendosur provigjone të larta dhe kushte të tjera sigurie dhe një pjesë e mirë e atyre që kanë kredi në valutë, kanë edhe të ardhura në valutë, çka e limiton këtë rrezik", - tha Bell.

Ai i ka kërkuar qeverisë të jetë e shtrënguar me shpenzimet buxhetore, pasi ka gjasa që të ardhurat mund të ulen. Bell deklaroi se nuk ka hapësira për një ulje të mëtejshme të taksave.

"Fondet e kontigjencës nuk duhen shpenzuar, por duhet të ruhen për të financuar buxhetin, në rast se të ardhurat do të bien, çfarë ka shumë gjasa të ndodhë. Paratë nga privatizimet mos të përdoren për investime të reja, por të vihen në funksion për të kompensuar buxhetin.

Kryesore është të ruhet buxheti dhe të merren politika të matura, sidomos në këtë vit zgjedhjesh", - tha Bell. Fondi i kontigjencës, për këtë vit, është 6 miliardë lekë.


Këtë të premte qeveria pritet të përfundojë vlerësimin e ofertave nga shtatë banka ndërkombëtare për një kredi tregtare prej 300 milionë eurosh. Zyrtarë të Ministrisë së Financave deklaruan pak ditë më parë, se kjo shumë do të shkojë për financimin e deficitit buxhetor.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›