Morsi: Assadi e ka humbur legjitimitetin, ndërhyni për të ndalur gjakderdhjen
Egjipti prish “festën” e Iranit për Lëvizjen e të Painkuadruarve, u bën thirrje 120 vendeve që të dënojnë regjimin sirian të presidentit Bashar Al-Assad
Ndërkohë që kishte si synim për të pastruar imazhin dhe për të manipuluar Lëvizjen e të Painkuadruarve kundër Perëndimit, samiti i organizuar nga vetë Irani po i shfaqet si bumerang Teheranit zyrtar, në të cilën po bëhen thirrje për largimin e aleatit të tij të ngushtë, Bashar Al-Assad, dhe po kritikohet programi i tij bërthamor dhe sjellja kërcënuese ndaj Izraelit
Egjipti i ka bërë thirrje dje 120 vendeve të Lëvizjes së Painkuadruarve që të ndërhyjnë për të ndalur gjakderdhjen në Siri e të pozicionohen kundër “regjimit shtypës” të presidentit Bashar Al-Assad. Presidenti Mohamed Mursi, i zgjedhur dy muaj më parë pas një kryengritje popullore që përmbysi liderin e atëhershme egjiptian, Hosni Mubarak , nënvizoi se Assad e ka humbur legjitimitetin në luftën e tij për të shtypur një revoltë 17-muajshe, në të cilin deri më tani janë vrarë rreth 20.000 njerëz. "Gjakderdhja në Siri është përgjegjësi që kemi mbi supet tona dhe kjo ndalet vetëm me një ndërhyrje efektive nga të gjithë ne”, tha Morsi. "Ne të gjithë duhet të shpallim solidaritetin tonë të plotë me luftën e atyre që kërkojnë liri dhe drejtësi, solidaritet i cili duhet të shpaloset me një vizion të qartë politik që mbështet një tranzicion demokratik dhe paqësor, që përputhem me kërkesat e popullit sirian". Fjalimi i ashpër i presidentit Morsi në samitin e organizuar nga Irani, aleati kryesori i Sirisë, shkaktoi menjëherë reagimin e ministrit të Jashtëm të Sirisë i cili akuzoi kreun e moderuar suni të Egjiptit për nxitje të gjakderdhjes në Siri. Rrjeti televiziv al-Jazeraa ka raportuar se komentet e Morsit ndikuan që delegacioni i Sirisë të largohet nga salla ku mbahet samiti. Vizita e Morsit është e para e një lideri të Egjiptit në Iran, në tri dekadat e fundit. Të dy vendet mbeten të ndara lidhur me krizën në Siri. Derisa Irani i udhëhequr nga shiitët e mbështet regjimin e presidentit Bashar al-Asad, Egjipti ka shprehur mbështetje për kryengritësit e udhëhequr nga sunitët, që synojnë përmbysjen e regjimit të Asadit. Ndërkohë, nga luftimet në Siri raportohet se rebelët sirianë “kanë hedhur në erë” aeroplanin e regjimit. Rebelët sirianë kanë thënë se kanë hedhur në erë një aeroplan të regjimit në provincën Idlib, pranë kufirit me Turqinë.
Grupi Brigada e Martirëve të Sirisë ka deklaruar se aeroplani është rrëzuar pranë qytetit al-Tajabia. Qeveria siriane nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me rastin. Pamjet e transmetuara nga televizioni Al-Arabia kanë shfaqur dy pilotë duke u hedhur me parashutë nga avioni i sulmuar. Edhe kreu i Ushtrisë së Lirië Siriane për Idlibin, Afif Mahmud Suleiman, i ka thënë agjencisë AFP se luftëtarët rebelë kanë sulmuar aeroplanin me armë automatike. Ai po ashtu ka thënë se dy pilotët janë kapur. Konfirmime të pavarura, megjithatë, nuk ka pasur.
Kronika nga Samiti i të Painkuadruarve- Ban Ki-mun: Kritika Iranit për Holokaust/Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, i ka kritikuar liderët iranianë për atë që ai i ka përshkruar si komente “mizore” me të cilat hedhet poshtë Holokausti dhe e drejta e Izraelit për të ekzistuar. Këto komente ai i bëri dje në Teheran në samitin e të painkuadruarve. Më tutje, ai theksoi se e hedhë poshtë çfarëdo kërcënimi ndaj një anëtari të Kombeve të Bashkuara për ta shkatërruar një tjetër. Ban Ki-mun tha se mosnjohja e së drejtës së një anëtari të Kombeve të Bashkuara për të ekzistuar, ose për ta përshkruar atë me fjalë raciste, është “krejtësisht e gabueshme”.
Zyrtari i lartë i OKB-së ka kërkuar nga Irani që t’i respektoj rezolutat e Kombeve të Bashkuara, me të cilat kërkohet ndalja e aktiviteteve atomike të pasurimit të uraniumit, duke tërhequr vërejtjen se tensionet ndërkombëtare lidhur me këtë çështje rrezikojnë të përkeqësohen në luftë.
Hamnei: Irani nuk synon armatim bërthamor/Lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Hamnei, ka deklaruar se vendi i tij kurrë nuk do të tërhiqet nga zhvillimi i energjisë atomike, por Teherani asnjëherë nuk ka synuar prodhimin e armatimit atomik. Duke folur dje në hapje të samitit të të Paikunadruarve në Teheran, Hamnei tha se “motoja jonë është energjia bërthamore për të gjithë, ndërsa armatimi atomik për askënd”. Në këtë samit po marrin pjesë afro 30 shefa të shteteve dhe të qeverive, përfshirë edhe presidentin e Egjiptit, Mohamed Morsi, dhe atë afgan, Hamid Karzai. Në këtë samit të vendeve, që veten e konsiderojnë se nuk janë pjesë e blloqeve kryesore, po merr pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.