E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morsi shtyn referendumin?

Presidenti egjiptian, Mohamed Morsi, është shprehur i gatshëm që të shtyjë datën e mbajtjes së referendumit për kushtetutën e re të vendit, por me kushtin që opozita të mos ndërmarrë nisma ligjore përballë magjistraturës vendase për ta anuluar atë.

Ky është propozimi i presidentit egjiptian për opozitën, që prej ditësh ka thirrur protesta të fuqishme kundër asaj që e quan një “neo-diktaturë” dhe në mbrojtje të revolucionit që rrëzoi Hosni Mubarakun.

Propozimi u bë publik nga zëdhënësi i vetë presidentit egjiptian, që gjatë së enjtes, dita më e përgjakshme e protestave kundër tij, bëri thirrje për qetësi dhe bashkëpunim. Morsi mbrojti dy vendimet e kritikuara nga opozita, dekreti që i jep kompetenca të pakufizuara dhe projekt-kushtetutën, si të domosdoshme për vendin.

Por argumentimi i tij nuk bindi protestuesit që të premten zbritën sërish në rrugët dhe sheshet e Kajros, por ndryshe nga një ditë më parë, protestuan paqësisht.

Kriza politike në Egjipt ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve. Presidenti amerikan, Barack Obama, ka zhvilluar një telefonatë me homologun egjiptian, Mohamed Morsi, ku ka vlerësuar se humbjet e jetëve të civilëve janë të papranueshme.

Egjipti është tronditur nga trazirat, që kanë nisur nga 22 nëntori, kur Morsi përmes një dekreti i dha vetes kompetenca të gjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›