E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos e lini dijen vetëm

Shtrembërimeve, gabimeve, pasaktësive lidhur me dijen, që vërehen kudo, që nga tabelat e dyqaneve, te tabelat e institucioneve, te artikujt e shtypit të përditshëm e atij periodik, te emisionet e TV-ve, e sidomos te librat shkollorë, nuk u kundërvihet askush


Porosia e një gjuhëtari të shquar është: "Mos e lini gjuhën vetëm." Ne shqiptarët, të vetme e pa mbrojtje kemi lënë jo vetëm gjuhën, por ç'është më keq, edhe dijen.

Shtrembërimeve, gabimeve, pasaktësive lidhur me dijen, që vërehen kudo, që nga tabelat e dyqaneve (ku shkruhen në mënyrë të gabuar emra vendesh, njerëzish etj), te tabelat e institucioneve, te artikujt e shtypit të përditshëm e atij periodik, te emisionet e TV-ve (aq më tepër atyre kulturore), e sidomos te librat shkollorë, pra të gjitha këtyre gabimeve e pasaktësive nuk u kundërvihet askush.


Po sjellim një shembull të ditëve të fundit. Lexojmë në shkrimin e një gazetari se Galileu paska përfunduar në turrën e druve. Lexojmë pastaj se Gëtja paska thënë se edhe të tjerë para Galileut e dinin se toka rrotullohet por ishin të martuar e kishin fëmijë. Më tej lexojmë se në një libër të shenjtë thuhet: "Ai ndau mollën e vetme që kishte dhe me tëushqeu 2000 njerëz që i shkonin pas."


Le t'i marrim me radhë këto pohime për të parë sa të drejta janë.


Rasti i Galileut, i cili pikërisht që të mos përfundonte në turrën e druve e mohoi përfundimin e vet shkencor se toka rrotullohet, ka qenë kaq mbresëlënës gjatë historisë, saqë këtij shkencëtari të shquar i është atribuar (ndofta është edhe e vërtetë) mohimi i mohimit të thënies së tij.


Pra se "toka, megjithatë, rrotullohet" (e famshmja: E pur si
muove). Me këtë subjekt Brehti ka shkruar një dramë; në kohët tona është realizuar një film. Pra, kaq mbresë ka lënë rasti i Galileut, saqë s'ka si të ngatërrohet emri i tij me atë të Xhordano Brunos, që vërtet përfundoi në turrën e druve, sepse nuk i mohoi zbulimet e pikëpamjet e veta shkencore.


Le të vijmë te thënia e Gëtes. Si mund të bënte Gëtja një pohim të tillë kur ai e ka ditur shumë mirë që të gjithë ata shkencëtarë që mbronin idenë e rrotullimit të tokës kanë mundur jo vetëm ta shprehnin ç'mendonin, por edhe t'i bënin publike, t'i botonin studimet e tyre, duke filluar nga antikiteti me Aristarkun e Samosit, deri te Koperniku,
Kepleri e Galileu.


Që të gjithë të akuzuar nga feja (paganizmi i lashtë grek dhe krishterimi) si të pafe, dhe me pasoja kush më pak e kush më shumë të rënda. Megjithatë, as kjo thënie nuk mund të ngatërrohet me vargjet shumë të njohura të Jevtushenkos: Ai ishte më i zgjuar se Galileu / E dinte para tij se toka rrotullohet / Por ah! kishte familje!
(përkthim i lirë).


Tani vjen radha e citimit të marrë nga një libër i shenjtë. (Duhet të sqarojmë qysh në fillim se ky citim nuk sillet nga autori në ndonjë kontekst humori, alegorie a ironie). Pra, citimi është: "Ai ndau mollën e vetme që kishte dhe me të ushqeu 2000 njerëz që i shkonin pas."


Dimë se në Ungjill flitet për shtimin e bukëve, të verës e të peshqve nga Jezu Krishti. Nuk flitet gjëkund për ndonjë mollë me të cilën qenkan ushqyer një numër i caktuar (!) njerëzish. Vetëm në përralla shohim se me një bukë ushqehet një ushtri e tërë. Ndërsa në Ungjill flitet për shumëzim të një haje.


Pra s'kemi as mollë, as një mollë, as 2000 njerëz, as që i shkonin pas. Edhe me këtë mollën kemi ndofta, me sa duket, përsëri një ngatërrim: me mollën e ndaluar të Adamit e të Evës, pemë që s'arriti të ushqejë mirë as dy vetë, se për më tepër Adamit të gjorë i ngeci edhe në fyt.


Shembulli i mësipërm është një prej aq shumë shembujsh gabimesh e pasaktësish, sa njeriut vetvetiu i lind pyetja: si është e mundur të lihet kështu dija vetëm në një shtet e një shoqëri të organizuar?


Duke nisur nga maja e shtetit, nga qeveria, me ministritë e saj të kulturës e të arsimit, nga institucionet e tjera kulturore, nga mediat, por edhe nga
qytetarët e thjeshtë, si mund të rrimë të gjithë kaq moskokëçarës e mospërfillës ndaj një çështjeje kaq të ndjeshme, kaq të rëndësishme e madhore, si ç'është e drejta e qytetarëve për të marrë njohuri të sakta?


Nëse institucionet janë të pandjeshme, për t'i nxjerrë nga shtangia e tyre a nuk mund të ndikojnë miliona shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë e në botë duke reaguar për çdo rast shkeljeje, në mënyrë që dija të ndjehet e mbrojtur?


Nëse nuk e marrim në dorë ne vetë shqiptarët ta luftojmë një dukuri që na nxin faqen, atëherë s'ka pse të qahemi po të na quajnë qytetarë të dorës së fundit.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›