E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shihemi nkafe!

Blerina-Rogova-402x280Nga Blerina Rogova – Gaxha

Në kronikat e kohës flitet se si politika shqiptare e viteve 90-të, është bërë në dy ose tri kafe të Tiranës, dhe se as sot e kësaj dite nuk është harruar kafe Fideli te Parku Rinia, aty ku është zier politika shqiptare.

Në vitin e shkuar, ngjarja më e pazakontë politike e mediale, ishte një takim i dy liderëve të së majtës në Shqipëri, dhe dilema se kush prej tyre e hëngri nxhalën! Edhe në Prishtinë, në vitet 90-të apo më vonë, kanë qenë disa vende si biqim kafesh, ku është zier politika e ku është hartuar rezistenca. Mbahen mend Orae famshme, ose Dora, Kurrizi e Qafa.

Sindromi i debateve dhe i politikës së kafehaneve, ka vazhduar edhe vite më vonë dhe çuditërisht vendime të rëndësishme janë marrë në kafehane, në klube e në bare. Nuk kanë kaluar shume vite qyshkur Zanzibari ishte bërë kryefjala e politikës së Prishtinës, ku natën dhe me raki përpara binin presidentët, prisheshin koalicionet e lidheshin të rejat. Kjo qe kultura politike shqiptare ndër vite. Mysafirët dhe rakixhinjtë e këtyre kafeneve janë shndërruar në politikanë, opinionistë, disidentë dhe në personalitete të historisë politike.

Disa popuj të tjerë, me tradita shumë më të gjata të kafeneve, të bareve e të pabeve, politikat i kanë hartuar në vende të tjera. Fqinjët ballkanikë, serbët ose kroatët, maqedonasit ose boshnjakët, mbase qenë disa shkallë më lart dhe elabortatet politike i kanë sajuar në Francuska 7, ose në Treshnjevka , ose në Hilandar ndoshta për këtë në raport me shqiptarët, gjithmonë qenë më të avancuar dhe politikisht më dredharakë.

Me gjasë është në gjenin tonë që punët e mëdha ti bëjmë kafeve e haneve dhe që kryefjalën ta kemi kafe llafe.

Çuditërisht kryetitujt e lajmeve të ditës në skenën e politikës në Kosovë, ndodh që edhe sot nuk vijnë nga selia e Qeverisë, e Parlamentit ose e Presidentës, por pikërisht nga kafet dhe nga takimet që pretendohet të mbahen sekrete. Filani është takuar me filanin e me gjasë është arritur marrëveshja për filan çështjën, për filan njeriun, për filan koalicionin e përtej kësaj, edhe për fatet e njerëzve në ose jashtë institucioneve.

Mbretërit dikur janë bërë tebdilë dhe kanë dalë në çarshi, për të parë se çka po flet mileti për ta, sepse oborrtarët e tyre shpesh i kanë gënjyer. Ndoshta është joracionale, por edhe sot nga shumica e politikanëve në Prishtinë ose në Tiranë, pyetja më e shpeshtë që bëhet është çka po flet çarshiaose çka po thonë banditët?

Ka kohë që në kryeqytetin e Kosovës, po ashtu janë krijuar disa hane ku takohen burrat e kafesë që flasin gjerë e gjatë, ku vendimet i marrin edhe për ne. Janë dhjetëra opinionistë, gazetarë e politikanë që shihen ditë për ditë në kafenetë e preferuara, dikur Grandi, më vonë Times Bar ose Rings, Te Komiteti apo kafet e vogla, të cilët e kthejnë dynjanë përmbys dhe ku krejt politikën, të Kosovës e të rajonit, të kontinentit apo të globit, e bëjnë esber!

Në kulturën e komunikimit ndër shqiptarë nuk ka tema tabu dhe asgjë që nuk shtjellohet, sepse gjithnjë ka një rugëzgjidhje në kafet e çarshisë. Opinione të formësuara, të paanshme e të balancuara, të nxjerra në shesh, në kafe e për diell. Por debati degjeneron kur pritet të dalë atje ku duhet, në foltorët e Kuvendit, të partive apo në media. Burrat e rakisë apo zonjat e çarshisë, i ndërrojnë llafet sapo tiu jepet mundësia të flasin atje ku duhet e atje ku gjërat thuhen.

Mund të jetë që njerëzit janë të ndryshueshëm ose hipokritë, apo është në traditën tonë që të bëjmë zhurmë atje ku llafet i merr era, apo ne ende nuk jemi mësuar se fjala ka peshë aty ku ajo shndërrohet në formulë institucionale.

Pika më e ndjeshme bëhet të jetë fuqia e fjalës, ose besueshmëria e saj. Ata që e kanë fuqinë të krijojnë opinion, duket se janë vetja e tyre, vetëm në kafe e në çarshi. Së fundi edhe në rrjetet sociale, që dikush i kishte quajtur, me ose pa të drejtë, nevojtore publike./ZERI

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›