Mos harro gjelin, zoti ambasador!!!
Nga Brizida Gjikondi
Shqipëria është një tragjedi progresive, ku vdekjen mund ta hasësh kudo, në rrugët pa siguri, pa mure mbajtës, pa sinjalistikë, ku derri, njeriu, lopa, makina Hummer dhe autobusi i skaduar ecin bashkarisht pa problem, pasi ne udhëhiqemi nga filozofia instiktive, të rrojë kush të rrojë
Vdekjen mund ta hasësh dhe në spital ku logjikisht ti nuk shkon për të vdekur dhe as i vdekur, vdekjen mund ta hash dhe me plumb burrecash mbrapa koke kur je duke mbledhur lule veç se kushëriri yt i 700 ka hyrë në gjak me gjakprishur të tjerë, vdekjen këtu në Shqipëri e ke çdo sekondë mbi krye, dhe këtu në këtë xhungël kriminale veç perëndia dhe instikti mund të të shpëtojë frymën për çdo ditë si të ish e para.
Këtu ku Lazarati është Kolumbi dhe shtetit me dy standarde i dridhen leqet e këmbëve thjesht kur ia kujton emrin, ndërkohë që fshatrat e tjerë i fut në karantinë terrori dhe varfërie ekstreme. Këtu ku polici rrugor është dhe xhepisti më trimosh dhe kapedan i drejtorit përkatës, këtu ku gjykata të fut dhe shndërron në gjaks, skizofren të verbër nga marazi, ku burgun e bëjnë veç xhepshpuarit ordinerë, ndërkohë krerët e mafies kanë imunitet, këtu ku gënjeshtra është virtyt dhe korrupsioni vlerë e trashëgueshme, këtu ku haptas në ditët me diell të gjitha rrugët dhe autostradat u shqyen dhe u deformuan që veç të të çojnë në TEG-un e kupolës së varrit të shtetit, këtu ku armikun vëllavrasës si askund tjetër në dynja e ke përherë pas shpine por ndërkohë ai ka makiazhin e shpifur të televizioneve qeveritare, të derrave meskinë me pushtet, ka makiazhin e poshtërsisë së aleatëve të pushtetit dhe apatinë idiote të opozitës, ai është shqiptar si dhe ne, ai jemi ne.
Dhe në fund veç një pyetje për zotin Arvizu. Ju zoti Zeusi Arvizu, si përfaqësues i qeverisë Obama, a keni njohje të thelle të mendësisë dhe historisë shqiptare, më ndje që Ju pyes por doja të dija dhe diçka, po kolegët e tu ambasadorë nëpër Ballkan dhe Evropë Lindore kaq VIP-a mediatikë sa ty janë, kur do na e japësh një recetë se si e bëni gjelin e detit ditën e falenderimeve, po një recetë se si heshtet dhe respektohet një vend sovran kur do na e japësh?!!!
