Çfarë përfaqëson LNFS?!
Nga Altin Ketro
Dikur, kur u krijua Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), social-demokrati Skënder Gjinushi e pati ironizuar si (L)oja e (S)aliut dhe (I)lirit. Në fakt, nuk pati qenë përcaktim i keq. Biles duhet thënë mëse i goditur. Kjo parti e krijuar nga Ilir Meta pati si qëllim kryesor përçarjen e votës së elektoratit të majtë, përçarje e cila në vitin 2005 solli në pushtet Partinë Demokratike të Sali Berishës. Por ajo që i vuri vulën etiketimit të Gjinushit ishte aleanca e LSI-së me PD-në pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës e cila u kurorëzua me një bashkëqeverisje e cila vijon edhe sot e kësaj dite në formën e saj më të keqe.
LSI-ja u themelua rreth një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve të atëhershme parlamentare, kohë e mjaftueshme për të bërë njëfarë organizimi dhe thithje të një elektorati (kryesisht ish-zyrtarësh) i cili, nga qeverisja e Nanos, nuk kishte marrë ato të mira që i takonin për kontributin që secili mendonte se kishte dhënë.
Fiks një vit përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, në skenën e politikës shqiptare po ngre krye me kryeneçësi një parti a lëvizje e cila për momentin vetëquhet si Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve, shkurt LNFS. Po të bëjmë një analogji me atë të Gjinushit na rezulton se kjo lëvizje sështë gjë tjetër veçse (L)oja e (N)dërsjelltë e (F)atosit dhe (S)aliut. Kjo lëvizje ka shumë të përbashkëta me lëvizjen e Metës, me të vetmin ndryshim; kësaj here jo për ta rrëzuar Partinë Socialiste nga pushteti, por për të mos i dhënë mundësinë asaj të rivijë në pushtet.
Argumenti që LNFS sjell për publikun është se Rama është i paaftë për ta sjellë PS-në në pushtet, se ai ka korrur humbje të njëpasnjëshme etj., etj. Nuk e di se çfarë kuptojnë ata me humbje?! Në vendoret e 2007-s, PS-ja korri një fitore në shumicën e qendrave urbane dhe qyteteve qendër qarku. Humbi në zonat rurale ku votimet ende kryhen në mënyrë tribale dhe ku historikisht dihet që ai që ka pushtetin është shumë më i favorizuar në këto zona për shkak të vetë natyrës që këto lloj votimesh mbartin. Në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, PS arriti të marrë 64 deputetë ose 45.7% të numrit të përgjithshëm të deputetëve, si rrallëkush opozitë tjetër, me një diferencë prej vetëm tri deputetësh me Partinë Demokratike. Dihet nga gjithëkush tashmë se çfarë metodash përdori qeveria për të mbajtur pushtetin dhe që të mos e zgjas me shembuj të stërthënë, mjafton rasti i Ruzhdies për ta përmbledhur të gjithë maskaradën që shoqëroi ato zgjedhje. Në një proçes të ndershëm, sot PS do ishte në pushtet vetëm me votat e saj, por le të vijojmë më tej. Në vendoret e 2011, Partia Socialiste arriti të përmirësojë akoma më shumë rezultatin e 2007-ës, duke korrur fitore edhe atje ku kishte 20 vjet pa qeverisur. Sigurisht që të gjithëve u shkon mendja tek beteja për Tiranën, por edhe kjo është një çështje të cilën të gjithë e dimë se si u gatua për tu rrëmbyer, ku padyshim që edhe kreu i LNFS-së ishte një nga bekuesit në distancë të këtij rrëmbimi.
Pas zgjedhjeve të vitit 2009, Ramës iu dha edhe një herë besimi nga socialistët për të udhëhequr partinë për fitore në 2013-ën. Një person i vetëm e ka të pamundur që të realizojë një qëllim kaq të madh politik dhe i duhet doemos e gjithë mbështetja, që nga sekretariati, kryesia, asambleja, grupi parlamentar, kongresi, e deri nga strukturat partiake në bazë. Ka kohë që Rama e ka marrë shumë seriozisht këtë sfidë, e sidomos pasi e përzunë dhunshëm nga drejtimi i Kryeqytetit. Turet e tij kryq e tërthor nëpër Shqipëri si dhe ato përtej kufijve, në rajon e më gjerë, me programin bazë Për një Rilindje Shqiptare, janë në funksion të afirmimit të vlerave politike e programatike të kësaj partie me qëllim shpalosjen e një alternative që do ta bëjë këtë forcë politike fituese në zgjedhjet e ardhshme.
E kur dukej se anija socialiste po lundronte e qetë në ujërat që e çonin drejt pushtetit, si një stuhi në gotë uji del në skenë kjo lëvizje që as vetë se di se çfarë kërkon. Ose më saktë, kërkon të rrëzojë Ramën … për të mundur Saliun!!! I gjithë ky trill u stis nga një dëshirë e kthyer në fiksim e Nanon për tu bërë President. Kur dihej që PS si kishte mundësitë dhe kandidimi i tij ishte thjesht një lojë e dyshes Berisha- Meta për ta futur në kurth opozitën, Nano ndërmorri një sërë akuzash ndaj lidershipit socialist të ndërthurura me kërcënime që i paraprinin jetësimit të kësaj lëvizjeje. Ato kërcënime në fakt ishin thjesht preteksti për të justifikuar atë që do ndodhte më pas. Dhe për çudinë e të gjithëve kjo lëvizje ka marrë shumë mbështetje nga eksponentë të qeverisë nëpërmjet propagandës që e sponsorizojnë në mediat pro tyre.
Të ndalesh e të mendosh për një moment se për 24 orë Nano të jetë në krye të PS-së. E tërë ajo media që sot po e bekon do ti kthehet me po atë gjuhë të shtatë e kusur viteve më parë: rikthehet Padrino në krye të PS-së, rikthehet mafiozi, rikthehet ai që e ngriti korrupsionin në sistem etj., etj., epitete pa fund që në fund të fundit janë mëse normale në këtë anormalitetin tonë. Normale për shkak se çdokush që është në politikë, aq më tepër në krye të njërës prej forcave kryesore në vend, ose do tentojë të marrë pushtetin ose do tentojë të rrijë në pushtet. E që të arrihet kjo, kushdoqoftë kundërshtari, more po edhe qenia më e urtë, e qetë, e më e pastër qoftë, do i gjejë patjetër një dobësi për ta anatemuar sepse e tillë është natyra e politikës, përndryshe ske asnjë shans të mbijetosh. Në këtë kuptim, kushdo që ti drejtojë partitë kryesore do përballet me sulme verbale e kësaj ska për ti shpëtuar askush, qoftë pasardhës i Berishës a i Ramës. Politika është si në tregti, ku dy tregtarë (kryetarët e partive) i kanë dyqanet përballë njëri- tjetrit dhe shesin të njëjtin mall (program). Kur klienti (elektorati) shkon tek njëri, ai kërkon ti bëjë sa më shumë reklamë mallit të vet duke anatemuar atë të tjetrit. Vështirë të besohet se ka tregtarë që ti thonë klientit: mos ble (voto) tek unë, por shko bëji pak xhiro edhe atij tjetrit se po falimenton. Pra, ashtu si në tregti ku lufta është e ashpër për mbijetesë, edhe në politikë zhvillohet po një luftë e tillë, sepse po e humbe klientin (votuesin), ke falimentuar gjithë biznesin (familjen politike).
Lëvizja e Nanos pretendon se ka mbështetje në grup parlamentar si dhe në shumë të zgjedhur vendorë. Nëse vërtet ekzistojnë, nuk e di se çfarë kërkojnë më shumë këta të zgjedhur se sa pushteti që u ka dhënë Rama me votën e socialistëve. Druaj se mund të kenë gjetur disa kokrra që shumë shpejt kanë për tu rizhgënjyer me hapat e nxituar që po hedhin. Nano, siç është theksuar shumë herë, nuk e ka vullnetin për ti çuar gjërat deri në fund. Dhe kur këto gjëra nuk janë veçse në dëm të kauzës së opozitës, ata që i mbështesin nuk bëjnë gjë tjetër veçse bëhen lodra në duart e të tjerëve të cilët në kurriz të besimit të tyre korrin përfitime që Berisha sia kursen sa herë bëhet fjalë për të gjetur të çara tek kundërshtari; të tërheqë vëmendjen nga skandalet e saj dhe populli të mos e këtë mendjen se çbën qeveria, po se si klanet e opozitës luftojë për pushtet. Sigurisht që kjo lëvizje
