E Diel, 1 Nëntor 2026

Mos i diskriminoni homoseksualët!

Njëra prej banorëve të para në shtëpinë e Big Brother Albania, Romina thotë se shqiptarët nuk duhet t’i sulmojnë homoseksualët.

Jeni duke e ndjekur edicionin e tretë të “Big BrotherAlbania”?
Po, e ndjek. Më pëlqen t’i shikoj, por për të qenë e sinqertë nuk është se jam shikuese e rregullt e tij, sepse kam edhe angazhime të tjera, që nuk më krijojnë komoditetin për ta ndjekur me fanatizëm këtë spektakël të mrekullueshëm. Megjithatë, sa herë që kam kohë të lirë, mundohem t’i ndjek banorët që janë protagonistë të këtij edicioni.

Sipas mendimit tuaj, çfarë të reje ka sjellë ky edicion në raport me dy të tjerët?
Të reja? Fakti që në edicionin e këtij viti është pranuar një person që ka prirje homoseksuale është risi për shoqërinë shqiptare. Kjo është një nga gjërat që më ka pëlqyer më shumë në BB3. Për homoseksualët flitet kudo, në çdo tavolinë apo grup shoqëror, kështu që duhet të mësohemi me idenë se edhe ata janë njësoj si ne dhe se kanë të drejtë për ta jetuar jetën sipas dëshirës së tyre, pa ndjerë peshën e diskriminimit apo përbuzjes, siç ndodh rëndom në shoqërinë tonë.

Si është të jesh spektator i një “reality show”, ku edhe ju keni qenë protagonist?
Emocionuese… Ndonjëherë më duket sikur jam edhe vetë pjesë e asaj loje. Është eksperiencë shumë interesante, sidomos për ne që kishim shansin të ishim pjesë e njërit prej edicioneve të “Big Brother” dhe e dimë se si funksionon loja brenda shtëpisë dhe se cili është çelësi i suksesit për të qenë i preferuar.

Si ju duken banorët e shtëpisë?
Jo shumë natyralë, të paktën një pjesë e mirë e tyre.

Çfarë ndryshimi kanë marrëdhëniet mes tyre në krahasim me ato që kishit ju në edicionin e parë të BB?
Po sjell në kujtesë vetëm një fakt. Loja e 1 prillit për shembull, që u bë para dy vjetësh, me qëllim largimin e dy banorëve. Atë moment e përjetuam të gjithë, duke qenë se ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Kjo besoj se është kuptuar edhe jashtë shtëpisë së Vëllait të Madh.

Kush nga djemtë/vajzat ju duket më simpatik/e?
Miri.

Kë nga banorët simpatizoni më shumë?
Klodin dhe Mirin.

Kush nuk ju pëlqen prej tyre?
Antipati nuk kam asnjë banor. Ndonjëherë nuk më pëlqen sjellja e Edit me ato shprehjet e tij “you know man”, apo me pasthirrmat që lëshon kur shijon ndonjë gjë. Ndoshta ai nuk e bën me të keq, por nga televizori tingëllon shëmtuar.

Çfarë mendimi keni për tri çiftet e krijuara brenda shtëpisë së Vëllait të Madh?
Asnjëri prej tyre nuk më duket çift i mirëfilltë.

Cili prej tyre ju duket më i vërtetë?
Ndoshta ajo e Erjonit me Bertinën…

Për herë të parë në BB, njëri prej banorëve pranoi që është gay. Çfarë mendoni në lidhje me këtë?
Fati ndihmon guximtarët!

Për aq kohë sa i keni ndjekur, a mund të na i përshkruani karakteristikat e secilit prej banorëve?
Nuk jam e sigurt që mund ta përshkruaj secilin prej tyre për aq pak kohë sa i kam ndjekur. Di të them vetëm që i preferuari im është Jetmiri, “just perfect” për atë lojë.

Nëse do ju jepej mundësia, për çfarë do e këshillonit banorin tuaj të preferuar?
Do t’i kisha thënë të qëndrojë sa më i qetë dhe të luajë “fort”.

Kush nga banorët mendoni se do të arrijë deri në finale?
Klodi, Domenika dhe pse jo Kika, po luajnë shumë bukur.

Sipas jush, kush duhet ta fitojë këtë lojë?
Vetëm për atë që bëri, shpresoj që fituesi të jetë Klodi, por do ishte më mirë nëse do luftonte më shumë për kauzën e tij. Nëse do e bënte këtë, do ishte fantastike për ne dhe për publikun. (Bigbrotheralbania.net)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›