Paqësori, beteja e fundit e Tom Hanks
Tom Hanks është një person shumë i qetë që gjithmonë sillet mirë dhe me thjeshtësi. E megjithatë, të duket se ka një “oreks” të jashtëzakonshëm për luftën. Sigurisht, në profesionin e tij bëhet fjalë për luftën në celuloid. Në vitin 1998, aktori i famshëm amerikan, tani 53 vjeç, interpretoi në të famshmin film të Spilbergut “Shpëtoni ushtarin Rajan” që fliste për zbarkimin në Normandi. Në vitin 2001, ai gjezdisi në të gjithë ish-transhetë e vjetra të luftës së bashku me Spilbergun, por këtë herë në rolin e producentit të filmit epik “Grupi i vëllezërve”. Dhe së fundi i ka hyrë një aventure të re me dhjetë seri të quajtur “Paqësori” me të cilën u është rikthyer tmerreve të Luftës së Dytë Botërore. është një projekt që i ka kushtuar 250 milionë dollarë, një projekt që do të sjellë në ekranin e vogël historitë e vërteta e traumatike të First Marine, regjimentit amerikan, që në shumë këndvështrime, konsiderohet si regjimenti i heronjve të harruar të luftës. Në periudhën ndërmjet sulmit japonez në Pearl Harbor në vitin 1941 dhe mëngjeseve të gushtit të vitit 1945 kur bombat bërthamore ranë në dy qytetet fatkeqe japoneze Hiroshima dhe Nagasaki, djemtë e rinj të First Marine, rrezikuan (dhe shumë prej tyre e humbën jetën) në mënyrë maksimale për t’u marrë japonezëve disa ishuj në Paqësor. Guadalcanal, Peleliu, Okinava ishin sheshbetejat e disa prej luftimeve më të përgjakshme trup më trup që ka njohur ndonjëherë historia njerëzore. “Lufta në Paqësor ishte një “bishë” e ndryshme nga ajo e konfliktit në Europë”, thotë Hanks. Në Europë, në përgjithësi, kur “djemtë e këqij e kuptonin se ishin mundur, kishin mirësinë që të çonin duart lart dhe të dorëzoheshin dhe më pas ata dërgoheshin si robër lufte nëpër kampe dhe me kaq historia përfundonte. Por kjo nuk ndodhte në ishujt famëkëqij japonezë të Paqësorit. Lufta në këtë pjesë të botës ishte një luftë tmerri dhe vetëvrasjesh. Ishte e mbushur me vrasje, sërish me vrasje e prapë me vrasje deri në pafundësi”.
Burrat e First Marine kaluan ferrin në të gjallët e tyre. Izolimi i ishujve nga pjesa tjetër e botës, përmasat dhe forca e flotës japoneze dhe prioriteti strategjik i Shteteve të Bashkuara: mundja e Hitlerit të gjitha këto ishin faktorë që e rënduan shumë pozitën e ushtarëve në atë pjesë të humbur të botës. Kur në Europë e famshmja D-Day bëri që kahu i luftimeve të ndryshonte, në Paqësor konflikti të vazhdonte me të njëjtën ashpërsi. Japonezët kishin pozicionet më të mira, pajisjet dhe ordinancën më të mirë dhe shpesh edhe teknologjinë më të mirë. Ata gjithashtu e njihnin terrenin dhe ishin të betuar që të luftonin deri në frymën e fundit. Dorëzimi ishte një koncept i papranueshëm për një luftëtar japonez dhe të dyja palët kanë pësuar gjatë gjithë kësaj kohe humbje të pallogaritshme në njerëz. “Mbi 24 mijë japonezë kishin rrethuar ishullin e Ivo Jimës”, thotë Hanks “dhe prej atyre arritën që të mbijetonin vetëm 200 luftëtarë”. Sulmi i ishullit jugor japonez të Kinavës, ishte edhe më shkatërrimtar për forcat amerikane, të cilat pësuan 50 mijë viktima, një numër jashtëzakonisht i madh për një zonë lufte aq të vogël. Qeveria amerikane vendosi që zgjidhja e vetme e këtij konflikti që kishte shkaktuar humbje të jashtëzakonshme të jetëve të amerikanëve do të ishte vetëm sulmi bërthamor. Ushtria perandorake, ishte një ushtri njerëzish shumë të zellshëm, të betuar, që nuk njihnin dorëzim. Humbje për ta do të thoshte vetëflijim, vetëvrasje. Shumë nga ushtarët u shndërruan në vetëvrasës kamikazë, pilotë kamikazë. Madje në këtë rast mund të bëhet një krahasim me kamikazët dhe mënyrën se si ata operojnë në Irak dhe në Afganistan, ku Perëndimi ndoshta përballë një pale luftuese që nuk përdor të njëjtat metoda luftarake. Për vetë Hanks ky paralelizëm nuk duhet harruar apo lënë në hije. “Në vitin 1945 për ne, shoqëritë perëndimore, japonezët ishin qenie që nuk jetonin duke pasur parasysh parimet tona morale dhe njerëzore. Sot në shekullin e 21-të është e njëjta situatë, vetëm se këtë herë bëhet fjalë për botën myslimane. E çuditshme se si historia e përsërit vazhdimisht veten”, vazhdon aktori. Përgjatë rrjedhës së 10 episodeve nga 50 minuta të serialit, regjisori ndjek fatin e tre First Marins: Eugene Sledge, Robert Leckie dhe Jon Basilone, të cilët interpretohen nga 3 aktorë të rinj. Bëhet fjalë për periudhën kur ata ndodheshin në ishuj dhe luftonin aty kundër japonezëve. “Ky ishte një moment shumë kyç i historisë dhe ne kemi ndjekur jetën e tre marinsave që ishin në udhëkryq të jetëve të tyre. Ne nuk jemi marrë me strategjitë e luftimeve, por me botën shpirtërore të heronjve tanë, me atë çka ata mendonin, ndienin, ëndërronin. Kjo është nxitja që na ka bërë që t’i rikthehemi dhe të gërmojmë edhe njëherë në atë moment shumë të vështirë dhe të përgjakshëm të historisë“. Filmi në fjalë është xhiruar në mënyrë shumë klasike, pa aparatura supermoderne dhe me një staf të reduktuar dhe kjo jo për shkak të shpenzimeve, por për të dhënë diçka në mënyrë sa më të vërtetë, pa shumë përpunime vizive. “Tmerri i këtyre burrave niste që nga relievi i ishujve, një reliev monoton që nuk të përcjell asgjë, por që është “banesa” e të papriturave më të hidhura me të cilat mund të përballet një qenie njerëzore. Ideja për të zgjedhur rrëfimin në 10 seri vjen ngaqë materiali që grumbulluam dhe që shkruan skenaristët ishte shumë i madh dhe nuk mund të konsumohej e rrëfehej siç duhet në një film të vetëm, qoftë edhe në një film të gjatë”.
#