E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talebanët, si mashtrohen nga gratë që shkojnë në shkollë

Mu në zemrën e vendit ku sundimi i talebanëve është i ashpër dhe i fuqishëm, gratë, që janë edhe qeniet më të shtypura e të përbuzura, kanë nisur përpjekjet e tyre për t’u arsimuar, sigurisht në mënyrë të fshehtë, por gjithnjë e më shumë

Qindra gra në Afganistan, krejtësisht në fshehtësi nga sundimtarët talebanë kanë vendosur që t’i thonë “jo” injorancës që ua ka sjellë brez pas brezi mungesa e arsimimit. Për të ndryshuar situatën e rëndë në të cilën ndodhen ato po ndërgjegjësohen përditë e më shumë se arma më e fortë që kanë është dija. Por në kushtet e tyre të diturohesh do të thotë të guxosh shumë e në disa raste edhe të vësh jetën tënde në rrezik. Megjithatë, këto gra të guximshme kanë nisur që të organizojnë dhe të marrin pjesë në orë të mirëfillta mësimore, fshehtas militantëve, por shpesh nën hundën e tyre. Në shumë fshatra në gjithë krahinën e madhe të Zbulit ka nisur një shkollim i fshehtë i femrave nën pretekstin e studimit dhe leximit të Kuranit. Këto mësime zhvillohen nëpër shtëpi të varfra e me baltë, siç janë në përgjithësi ngrehinat ku jetojnë banorët e varfër e shumë fanatikë të zonës. Vendosja e saktë e këtyre “shkollave” të vogla është e fshehtë, por në një intervistë për një gazetë britanike, njeriu që merret me organizmin e këtyre shkollave thotë se ato tashmë janë shtrirë në 29 fshatra dhe në to marrin pjesë rreth 450 gra dhe vajza. Ehsanullah Ehsan ia ka kushtuar jetën e tij shkollimit të grave në zonat më konservative dhe më denigruese ndaj grave në botë. “Nuk mund të shkosh në një fshat dhe të bërtasësh në shesh: ej dërgojini vajzat në shkollë, dërgojini gratë tuaja, sepse shkollimi do t’u hapë sytë. Kjo nuk është mënyra që funksionon në vendet ku mbizotërojnë talebanët dhe ligjet e tyre obskurantiste për gratë. Mënyra e duhur është që t’u bësh thirrje që t’i dërgojnë vajzat dhe gratë nëpër shkolla ku mësohen lutjet e Kuranit. Ajo çka bëj unë është që brenda Kuranit fus tekste të mirëfillta mësimore, duke filluar nga abetarja, te matematika e historia”. Mësuesi dhe njeriu që ka hapur këto shkolla flet me një pasion të madh ndërsa shpjegon se sa e rrezikshme, por edhe jashtëzakonisht frytdhënëse është të merresh me një veprimtari të tillë që ka për qëllim përhapjen e dritës në një vend ku talebanët dhe islamistë të tjerë fanatikë i kanë djegur shkollat, i kanë vrarë mësuesit dhe i kanë shfytyruar nga pamja e jashtme të gjitha ato vajza që kanë guxuar të mësojnë. “është çmenduri, është e dhimbshme!!! Unë gjithmonë kam pyetur veten përse gjithë kjo padrejtësi e madhe ndaj femrave, përse vetëm ato privohen nga fanatikët fetarë që i trajtojnë sikur të mos ishin qenie njerëzore? Përse ato trajtohen me kaq ashpërsi, dhunë dhe përbuzje? Mamaja ime ishte njeriu që më ka dashur më shumë në këtë jetë. Ishte ajo që më mëkoi dhe më mësoi. Mamatë janë ato që kanë në duar fatin e njerëzimit e megjithatë, për talebanët ato dhe gratë në përgjithësi nuk janë veçse ca copa mishi”, vazhdon mësuesi.

Ndërkohë, mësimet përqendrohen kryesisht në të mësuarit e të shkruarit dhe të lexuarit e gjuhës pashtune, por ka edhe mësime në lidhje me higjienën personale dhe edukatën seksuale. Ai shpreson që ta zgjerojë kurrikulën me lëndë të tjera duke përfshirë edhe anglishten. “është shumë e vështirë që të transportosh dhe të shpërndash tekstet e shkollës. Po aty ku kjo është e pamundur, mësuesit mjaftohen me shpjegimin e lëndëve dhe nxënëset përpiqen që të mbajnë shënime. Gratë kanë një uri të jashtëzakonshme për të nxënë, për të mësuar dhe për të ditur. Ato janë mbajtur brez pas brezi në një injorancë të thellë dhe habiten edhe për gjërat më të natyrshme. është e çuditshme që të besosh se në këtë shekullin tonë të zhvillimeve marramendëse të teknologjisë këto qenie nuk dinë asgjë nga bota përreth”. Në një tjetër qytet shumë problematik të Afganistanit, Kandahar, por që gjithsesi ka mundësitë e një qyteti të madh, mësuesi ia ka dalë mbanë që të hapë shkolla të vërteta private, jo fetare në të cilat vajzat mësojnë edhe financë dhe politikë dhe këtë e bëjnë përmes lidhjes me internet me mësues në Australi apo Britaninë e Madhe. “Unë dua të shkollohem dhe pastaj të shkoj në universitet dhe më në fund të martohem”, thotë një 19-vjeçare që frekuenton shkollën e financës në Kandahar. Ndërsa në zonat më problematike, shkollat e fshehta janë e vetmja mënyrë që kanë gratë dhe vajzat për të bërë përpara në një shoqëri presioni dhe fanatizmi ekstrem. Në këtë program që mund t’u rrezikojë jetën mësuesve janë përfshirë të huaj dhe vendas të dedikuar për të çuar dritë në mesin e errësirës. Afganistani ka shumë zona të cilat ndodhen nën sundimin e errët të talebanëve dhe sot 9 vjet pas rrëzimit të tyre nga pushteti, një pjesë e madhe e vendit vuan ende pasojat e rregullave të tyre strikte dhe çnjerëzore. Një nga objektivat e tyre është që luftojnë çdolloj përpjekjeje për shkollim të popullsisë, veçanërisht të femrave. Ato shpesh grabiten përdhunohen, ngacmohen në një mijë e një mënyra dhe çnderohen në të gjitha kuptimet. Kuptohet që kjo dhunë ushtrohet veçanërisht ndaj atyre që duan të shkollohen dhe kanë aspirata për një jetë më të mirë. Të dhënat më të fundit nga Ministria e Arsimit në Afganistan flasin për 150 shkolla të djegura e të shkatërruara vetëm gjatë vitit të fundit. Megjithatë, në mesin e këtij shkatërrimi ka shenja optimizmi dhe fara të zhvillimit dhe dijes që mbijnë tek-tuk falë pasionit dhe këmbënguljes së njerëzve që mund të konsiderohen heronj të vërtetë. Kështu për shembull, numri i fëmijëve që janë regjistruar në klasën e parë të shkollës fillore në Afganistan është 6 milionë, por në nivelet e dyta të shkollimit bie ndjeshëm numri i nxënësve në përgjithësi, kryesisht ai i vajzave.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›