Mos jemi të prirur si popull drejt iluzionit dhe jo punës reale?
Para disa ditësh përfundoi spektakli televiziv “Ti vlen”. Fituesi i vendit të parë u votua nga populli nëpërmjet votimeve elektronike (nëse këtu nuk bëhet fjalë për abuzime). Dhe, votimet popullore, në fund nxorën katër konkurrentët më të mirë, ku mes tyre dominonin hipnotizuesit dhe grupi i cirkut të Peshkopisë. Për mendimin tim, grupi i cirkut të Peshkopisë e meritonte kategorikisht fitoren, pasi çdo gjë që atë bënin ishte shumë profesionale, shumë origjinale, sa mund t’i krahasoje me akrobatët kinezë.
Aq më tepër kur mendon se një rreth i largët si Peshkopia, të ketë arritur të përgatisë një grup të tillë cirku, që nuk e ka as Tirana. Sigurisht që ata janë lodhur dhe kanë punuar shumë për të arritur në këtë nivel. Por, çmimin e parë publiku ua dha atyre artistëve që karakterizohen nga hipnotizimet, ose më mirë me thënë, nga veprime të magjishme, të cilat nuk kanë të bëjnë me punën dhe lodhjen në stërvitje, por me magjinë, hipnozën, në një kuptim, me mashtrimin.
Më vjen shumë keq, që ne si popull priremi kaq shumë pas dukjes, pas mashtrimit dhe nuk premiojmë punën, djersën. Megjithatë, ky është mendimi im. Ndoshta e kam paksa të vështirë t’u besoj falsiteteve.