E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të nxitojmë!

Pëllumb Xhufi kërkon që komisioni i posaçëm parlamentar të punojë ditë për ditë, pasi pikat më të rëndësishme ende nuk janë diskutuar

Partia LSI kërkoi dje më tepër angazhim të forcave politike, për të përmbushur misionin e miratimit të Kodit Zgjedhor sa më shpejt. Kryetari i grupit të ri parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi, në një prononcim për “Korrierin” u shpreh i pakënaqur për punën e komisionit parlamentar të ngritur posaçërisht për këtë çështje. “Mendojmë se komisioni duhet të punojë “non stop”, çdo ditë, gjë që s’po ndodh. Komisioni po mblidhet sikur të ketë emergjencë, por situata vazhdon të jetë e njëjtë. Kjo e rrit më shumë edhe shqetësimin tonë, që kodi është përfunduar në mënyrë të dyanshme mes PD-së e PS-së, dhe ne të gjithë shqiptarët do të vihemi përpara faktit të kryer”, - deklaroi Xhufi. Ky i fundit shprehu dyshime për një marrëveshje të mundshme mes dy partive të mëdha dhe ripërsëritjen e situatës kur u votuan ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Në atë rast, komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore nuk arriti të përmbushte misionin e tij dhe dy partitë e mëdha paraqitën zyrtarisht për votim në komision propozimet e tyre. Sipas Pëllumb Xhufit, puna e komisionin nisur nga numri i çështjeve që janë marrë në diskutim, krahasuar me ato që mbeten për t’u diskutuar, lë për të dëshiruar. “Nuk është bërë as një e njëzeta punës, kur duhet të jenë 170 nene. Nuk janë trajtuar nyjat e kodit, nga të cilat varet nëse ne të paktën do t’i afrohemi sistemit proporcional apo do asistojmë sërish në një “Dushk”, që këtë radhë do të jetë më i përbindshëm”, - tha kryetari i grupit parlamentar “E majta për integrim”. LSI-ja kërkon korrektim kombëtar, çka kundërshtohet absolutisht nga socialistët. Këta të fundit së bashku me PSD-në kanë rënë dakord lidhur me mundësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet e 2009-ës, bazuar në formulën e koalicionit të përbërë. Qëndrimi i përbashkët i të dyja partive u arrit gjatë negociatave të zhvilluara përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar. Por, ndërsa mes PS-së e PSD-së u gjet gjuha e përbashkët, LSI-ja kundërshtoi. Megjithatë. për Pëllumb Xhufin vazhdimi i mëtejshëm i negociatave nuk do të kishte vlerë. “Takimi nuk ishte konceptuar për të diskutuar si partnerë apo si aleatë të mundshëm, por thjesht si informim për vendimet, që kanë marrë në mënyrë të njëanshme. Është e kuptueshme që takimet e mëtejshme s’kanë më kuptim, përderisa përfaqësuesit e PS-së insistuan në ndryshime që kanë të bëjnë me administrimin e votës dhe moskorrektimin, duke mbetur tek sistemi spanjoll”, - deklaroi ai. Mesa duket, sikundër ndodhi në rastin e votimit të ndryshimeve kushtetuese, votat e LSI-së nuk do të shkojnë krah atyre të socialistëve. Për momentin arritja e konsensusin duket e pamundur, ndërsa momenti i votimit po afron.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›