(Mos)Marrëveshja e Kadaresë me vetveten
Jehona se shqiptarët nuk duhet ta shohin patriotizmin si ata që kënaqen me gëzimet e gënjeshtërta që jep krenaria, por si një armë shpirtërore, që do ti shërbejë sa identitetit të tyre sot, aq edhe sigurisë nesër, vjen qartë nga thellësia e librit..
Është fjala për librin Mosmarrëveshja- mbi raportet e Shqipërisë me vetveten, të Ismail Kadaresë.
***
Mendimin të shkruaj lidhur për Mosmarrëveshjen e Kadaresë, e kam patur kohë më parë, në formën e një stepje, dhe vazhdoj ta kem edhe sot, si një ngurrim. Madje, si në çdo ujdi me veten, mospatja e kurajos së plotë për ta filluar, detyrimi për të është i tillë që, pasi ndjen që nuk mund ta shmangësh dot, sje gati as ta fillosh, kështu që premtimi i heshtur sështë asgjë më shumë se një dëshirë që nuk mund të përmbushet veçse duke pritur momentin e duhur, në kohën e duhur.
Si në cdo shkrim , ku simbolika dhe epërsia e meditimit shkojnë bashkë, më shumë se të shpërndarë nëpër rreshta, magjinë e kësaj sprove e ndjen më pas, të shpërndarë në kohë, në përshtypje dhe në formën e një ndryshimi idesh, të ardhur papritur. Ky ndryshim me sa duket është shkëndija e ndruajtjes sime, e cila ende vazhdon. Përshtypja se në publicistikën e Kadaresë, rrallë gjen tjetër ku shqetësimi i sinqertë i shkrimtarit për marrjen seriozisht të kombëtarisë, të jetë kaq këmbëngulës, më ka ndjekur që në fillim, dhe vazhdoj ta kem papushim edhe sot, në formën e një sigurie që josh
***
E gjendur mes kundërshtive, në makthin e hershëm të sundimit, apo edhe në liri, Shqipëria ishte dhe është simboli i një dhimbje. Zhvillimi i natyrshëm i saj, që do të thosh përparimi në drejtimin e duhur, shpesh nuk rezultonte i tillë. Si në një tërheqje litari, mbi të cilin zhvendosja bëhej herë nga lindja osmane herë nga perëndimi, Shqipëria shqyhej gati në mes prej dilemave të shumta. Vështirë të gjendet një komb tjetër në planet me një paqartësi orientimi të tillë, ndërsa edhe në robëri, edhe në liri, kjo paqartësi ngre krye edhe sot, në formën e një furie gjykimi:: do të ndjekë civilizimin perëndimor, përkushtimin, idealin e hershëm të Skënderbeut, apo joshja e lindjes osmane, otomanizmi, do ta tërheqë për së fundmi në një tundim të ri.
I frenuar jo rrallë prej pushtetit të mentaliteteve, nostalgjive dhe energjive negative, ndërgjegja e trazuar e kombit shqiptar ka qenë një nga veçoritë që e kanë veçuar dhe e kanë dalluar midis kombeve të tjerë të kontinentit, më shumë se kufijtë tokësorë, dhe më shumë se sundimet. Si e shpërndarë nëpër shekuj, pamundësia për të bërë marrëveshje me vetveten, ka sjellë një polarizim të pakorrigjueshëm të njeriut shqiptar, në formën e një përçarje gjenetike, që jo rrallë e dëshmon historia dhe që shfaqet si një mallkim deri në ditët tona. Vullneti për të ndenjur bashkë, që përmend Kadareja, si një kusht themelor, së paku për shqiptarët, që kushtëzon mbiqenien e kombit të tyre, duke qenë i zëvendësuar me të kundërtin e vet, përbën rrezikun më të madh të shqiptarëve, që buron drejtpërdrejt nga brumi i tyre..
Ngaqë duke u rralluar, zërat e emancipuar në Shqipëri çdo ditë e më tepër shndërrohen në psherëtima, madje edhe më keq, ngjajnë me pëshpërima njerëzish të bezdisur nga përjashtimi që atyre i ka bërë politika e ditës, aq më shumë Kadare gjen arsye të trazojë me librin e tij përgjumjen shqiptare, duke përdorur pushtetin e tij si një planetar i kulturës botërore: Kjo është një orvajtje ciklonike për të ngjallur dashurinë e vështirë të bashkëkombësve të tij për veten dhe vendin e tyre.
Dhe, nëse kjo orvajtje ka zhgënjyer një pjesë të atyre që janë ndier të provokuar prej nacionalizmit të shkrimtarit dhe që guxojnë të analizojnë rolin dhe veprën e tij, si një aventurë mbi shinat e homofobisë, kjo nuk përbën një problem. Por nëse sulmi bëhet thjesht e vetëm për shkak të asgjëje, për shkak të mungesës së talentit, apo dhe për arsye të tjera, (xhelozira, mllefe), ose nëse ky sulm bëhet për shkak se, mediokër ose jo, sulmuesit janë pjesë e një klani apo i shërbejnë një doktrine të caktuar, kjo aq më pak përbën një problem.
Cmarrëzi e kotë ti prishësh vrullin dikujt që ka marrë vendimin e përzotshëm të krijojë mbi kokat e të tjerëve, një doktrinë kombëtare që synon tju edukojë vlerësim për vetveten dhe ndjeshmëri bashkëkombësve të vet.
***
Përshkrimit se koncepti i kombit përbëhet prej baltës, gjakut dhe vullnetit për të qëndruar bashkë, që Kadare përmend te Mosmarrëveshja, i shtohet natyrshëm edhe një element tjetër: Ndjeshmëria kolektive për kultet, mitet, figurat, heronjtë legjendarë. Pa asnjë dyshim, patriotizmi zë fill pikërisht në këtë ndjeshmëri. Shqipëria do të kish dalë degëtharë nga nata e gjatë osmane, nëse rilindasit patriotë nuk do të kishin ndjerë dhe nuk do të kishin folur ashtu si folën e shkruan. Por ndjeshmëria e tyre dhe sidomos patriotizmi që ata ju deleguan të tjerëve pas, nuk kanë qenë me sa duket një trashëgimi e mjaftueshme: Shqiptarët e sotëm duket se janë shumë më pak patriotë se ata, rilindasit, duke i bërë një sfidë fuqisë organike të origjinës.
Ato çka supozohen si kode sigurie për një komb, kujtesa, historia, heronjtë, mitet edhe figurat, shqiptarët i kanë patur dhe i kanë ende të pakta. Dhe dihet që sa më pak lavdi, simbole, legjenda, sa më pak histori, sa më pak heronj, sa më pak mite, aq më i brishtë, aq më i vrazhdë, aq pa imunitet, aq më i sertë, aq më i rrezikuar është një komb, e ardhmja e tij. Kjo pakësi dhe kjo qasje cpatriotike, aq më shumë përbëjnë arsye që shqiptarët të marrin seriozisht aq më shumë historinë, heronjtë dhe lavdinë e tyre dhe të kujdesen për mitet e tyre, si kujdesen për një gjë të shtrenjtë e të rrallë; kjo brishtësi kujtese kombëtare motivon me sa duket edhe shqetësimin e Kadaresë për përfaqësimin, për rolin që duhet të ketë ai , si përfaqësues i shqiptarëve në planet, dhe për rolin apo përgjegjësinë që duhet të kenë të gjithë bashkëkombësit e vet.
Jo rrallë në historinë e tyre, shqiptarët janë ndëshkuar për papërgjegjshmëri në raport me vetveten. Sfidën e lodhshme të Kadaresë me këtë papërgjegjshmëri, shqetësimin e tij të sinqertë për Shqipërinë që vuan, që hesht, që duron, disa përpiqen, në fillim ta trajtojnë e më pas edhe ta shesin, herë si nacionalizëm, herë si homofobi . Mosmarrëveshja provokon vëmendje pikërisht për këtë gjë. Qartazi, si një mallkim, patriotizmi i rrallon shqiptarëve sot, e sidomos rimohuesave, aq sa, gati i tmerruar, gjeniu ynë ka zgjedhur të rrezikojë etiketimet që i vihen, duke i rënë këmbanës së një rreziku që kërcënon jo aq lavdinë e tij personale, sa rrezikon kombin e tij.
Konkretisht, ajo që që nga disa etiketohet sot si Nacionalizëm, nuk është veçse patriotizmi i natyrshëm i një shkrimtari që vështron larg dhe analizon thellë për të zgjuar të tjerët. Duke dashur tju delegojë bashkëkombësve krenari të shëndetshme për veten, për historinë e tyre, synon pikërisht atë për të cilën u përkushtuan edhe rilindasit tanë: frymëzimin kombëtar, dashurinë për veten, për historinë e paqartë, për të m
