Rreziku për Berishën nga ekspertët me pagesë
Gjykata e Lartë dëgjoi dje tre ekspertë të emëruar prej saj për të riekspertuar videon Meta- Prifti, të cilët ulën stekën e ekspertizës nga shkencore në popullore, duke bërë vulnerabël gjithë çfarë shqiptarët panë me zë dhe figurë, dhe mbi të gjitha gjithë ato çfarë Ilir Meta kishte pranuar publikisht dhe ishte përpjekur ti justifikonte. Ajo çfarë referuan ekspertët e Ilir Metës, dhe ajo që kanë referuar eksperti amerikan dhe më pas ai anglez, është sikur të krahasosh punën e një kirurgu për zemrën me këshillat e një hoxhe që të ysht të mos të të hanë me sy.
Pra, për momentin nuk ja vlen fare të harxhojmë nerva dhe energji për të komentuar shërbimin e paguar të tre ekspertëve. Ajo që është shqetësuese dhe që duhet ta diskutojmë qysh tani, është që ky precedent i turpshëm që po vendos Gjykata e Lartë e Shqipërisë, të dënohet politikisht dhe ligjërisht, pasi përbën një precedent shkatërrues dhe lë fushë të lirë për revansh në të ardhmen ndaj të njëjtëve persona që po përpiqen të përfitojnë në këto momente.
Me lehtësinë me të cilën Gjykata e Lartë e Shqipërisë po hedh poshtë një ekspertizë ndërkombëtare dhe po pranon një shërbim me pagesë nga tre profanë shqiptarë, në Shqipëri do tu hapet rruga prishjes reale të provave, të cilat duhet të çojnë para drejtësisë njerëzit që kanë shpërdorur pushtetin në këtë vend. Problemi i vetëm që ka kjo histori e shëmtuar, është se Gjykata e Lartë është e motivuar politikisht të shpëtojë Ilir Metën dhe Sali Berishën nga kjo histori, dhe është gati të pranojë çdo arsyetim që ja lehtëson këtë mision të saj politik.
Por nesër historia e pushtetit politik në Shqipëri mund të ndryshojë dhe kjo Gjykatë me lehtësinë që hodhi poshtë dosjet më të mëdha të korrupsionit në vend, me po aq qetësi dhe mungesë profesionalizmi mund ti rihapë ato duke i dënuar të njëjtit personazhe, të cilët sot po i mbron, duke dëmtuar rëndë të drejtën.
Janë një numër çështjesh të konservuara nga drejtësia shqiptare, të cilat mund të hapen me një fakt të ri të zakonshëm shtuar në dosjen e tyre dhe mund të rikthehen për gjykim pas disa vitesh. Le të marrim për shembull dosjen e rrugës Rrëshen- Kalimash, ku flitet për 220 milionë euro abuzim dhe shumë të tjera të shpërdoruara me manovrat politike për hapjen e tunelit dhe shembjen e tij. Pas disa vitesh kjo dosje mund të rihapet me të drejtë, natyrisht kur pushteti politik të ketë ndryshuar. Zelli i kësaj gjykate për të përdorur shërbime të tilla kundrejt pagesës në rolin e ekspertëve, do të bëjë që Lulëzim Basha dhe Sali Berisha jo vetëm të dalin hajdutë për shkak të asaj gjëme që u kanë bërë pareve të shqiptarëve në atë projekt, por do tu hidhen përsipër dhe gjëra që ndoshta si kanë bërë vetëm nga zelli për ti shërbyer pushtetit të ri. Ekspertë të këtij standardi mund të provojnë çdo gjë nëse është nevoja. Ata mund të provojnë që Sali Berisha bashkë me biznesmenin turk kanë përvetësuar 220 milionë euro, i kanë transferuar në Turqi, pastaj i kanë rikthyer në Telekom, pastaj i kanë futur tek banka tregtare, pastaj i kanë blerë toka në bregdet, pastaj i kanë futur në bursa ndërkombëtare nëse pranojmë një ekspertizë të tillë, kjo Gjykatë bëhet bombë me sahat pasi mund të pranojë çdo gjë, mjaft që të kënaqë dëshirat e pushtetit për hakmarrje politike apo revansh.
Kjo gjykatë mund të provojë me tre ekspertë të tillë në të ardhmen jo vetëm që Shkëlzen Berisha ishte ideator dhe mbështetës i projektit të Gërdecit, por që shkonte çdo ditë në Gërdec, që mblidhte lekët çdo natë nga burri i tezes, që i transferonte ato jashtë vendit dhe që bile- bile, në bisedën prej gjysëm ore që ka pasur në telefon me Mihal Delijorgjin pas shpërthimit, kanë bërë dhe planin si ti shpëtonin gjyqit.
Me këtë lloj ekspertize do të krijohet precedenti që Argita Berisha, e cila i ka kërkuar tre përqind fee sucess një biznesmeni arab për ndërtimin e një TEC-i në Porto Romano kur projektin ta firmoste babai i saj kryeministër, mund të akuzohet jo vetëm për kapje të shtetit, por ekspertë të tillë mund të provojnë se ajo e ka bërë këtë dhe për hidrocentralet e Devollit, studimin e Vjosës, tokat në Gjirin e Lalzit, Kalanë e Borshit, tokat në Orikum, tokat në Pishë Poro, dhe ndoshta mund të dalë që i ka vënë bombën dhe gjyqtarit në Vlorë. Ska asnjë arsye të mos dalë e tillë, pasi mjaftojnë tre ekspertë të papërgjegjshëm që tu shkelë syrin pushteti i nesërm dhe kjo do bëhet nga Gjykata e Lartë. Me ekspertë të tillë mund të provohet lehtësisht se Liri Berisha ka bërë një fondacion mashtrues, i cili mbledh pare me detyrim nga biznesmenë në mbrëmje gjoja bamirëse ku marrin pjesë njerëz që kanë qenë në burgje të dënuar për vjedhje dhe drogë, dhe trafikantë nafte të akuzuar nga burri i saj, dhe ajo me këto pare nuk bën bamirësi, por biznese me jetën e fëmijëve të sëmurë. Mjaftojnë tre ekspertë të tillë dhe provohen të gjitha dhe zonja Berisha përfundon si ish- gruaja e Mao Ce Dunit.
Me precedentë të tillë gjyqësorë mund të fusim në burg jo Agim Llupon apo Sadik Çelën, por Lulëzim Bashën dhe Sali Berishën, bile të provojmë se ata kanë qëlluar vetë nga dritarja e zyrës së Berishës mbi Faik Myrtajn, Aleks Nikën, Ziver Veizin dhe Hekuran Dodën. Bile- bile ekspertë të tillë mund tu tregojnë dhe fëmijëve jetimë të këtyre viktimave se si kanë gjetur në pistoletën e gardës shenjat e gishtave të Sali Berishës, Shkëlzenit apo Lulëzimit. Me ekspertë të tillë historia e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri mund të shndërrohet brenda ditës nga komedi në tragjedi dhe anasjelltas, dhe dëmi më i madh i tyre nuk është pse sot po shpëtojnë Ilir Metën, por se nesër ata mund të shpërdorojnë të drejtën që kemi për ta dënuar atë dhe Sali Berishën. Duke prodhuar një precedent të tillë në drejtësinë shqiptare, ne prodhojmë në të vërtetë një virus shkatërrues për seriozitetin e ndëshkimit nga drejtësia. Njësoj si Nexhmije Hoxhën që e dënuam për kafe dhe jo për krime, njësoj do të degradojmë historinë e ndëshkimit të Sali Berishës, Ilir Metës dhe gjithë bandës së plaçkitësve të Shqipërisë, kur të vijë ora të shkojnë para drejtësisë. Me këtë precedent ata mund të jenë shumë të rrezikuar ose shumë të shpëtuar, por kurrë të ndëshkuar si duhet. Me këtë precedent ne mund të ndodhë të tejkalojmë të drejtën tonë për ti dënuar bazuar në fakte, ose të fshehim faktet që vlejnë për ti dënuar ata. Me këtë precedent ne e kemi lënë drejtësinë në vullnetin e njeriut që do të jetë në pushtet në këtë vend dhe jo në dorë të ligjit. Dhe në ndodhtë që pasardhësi ti ngjajë Berishës, atij dhe Ilir Metës nuk do tu mjaftojnë vitet e mbetura për të shlyer dënimin me burg, dhe në ndodhtë që pasardhësi është si Ilir Meta, mund të ndodhë që Shkëlzeni, Argita, Liria, Lulëzimi, Iliri dhe gjithkush tjetër që është në shënjestër të drejtësisë të paguajnë një haraç në të holla tek pasardhësi në pushtet dhe të jetojnë të qetë. Në të dyja rastet ekspertët janë gati për çdo lloj skenari. Nëse ata tre ekspertë që lexuan atë paçavure nuk çohen pas hekurave të parët.
