E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur heronjtë e vërtetë harrohen dhe ata falsë ngrihen në piedestal

Share

Nga Alfred Kola

Quhet Masiela Lusha dhe është ndoshta shqiptarja më e famshme në botë, por që në vendin ku ka lindur nuk njihet dhe nuk nderohet aspak. Është e pafalshme që mediat shqiptare mbushin faqe gazetash dhe programe televizive për personalitete pa pikë vlere dhe pa asnjë lidhje me vendin dhe neglizhojnë plotësisht ata që e nderojnë Shqipërinë tonë në mbarë botën.

Nuk është një fakt i panjohur që shqiptarët u kthejnë kurrizin heronjve dhe personaliteteve që i përkasin plotësisht kombit, ndërsa kërkojnë me ngulm të bëjnë heronj ata me pak ose aspak prejardhje shqiptare dhe atyre që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e vërteta kombëtare, që nuk gëzojnë statusin e profesionistit në fushën e tyre dhe që nuk e njohin aspak Shqipërinë dhe gjuhën e saj. Nuk është rastësi që në 20 vitet e fundit sportistët shqiptarë fitojnë medalje në kompeticione të ndryshme sportive me flamuj të kombeve të tjerë, që fëmijët shqiptarë shfaqin gjenialitetin e tyre kudo nëpër botë veç këtu në vendin e tyre, apo intelektualë që kontribuojnë më talentin e tyre në vende jashtë Shqipërisë, të gjithë, vetëm e vetëm sepse janë braktisur nga kombi i tyre. Askush nuk i nderon ata!

Të zhytur në ethet e luftës politike dhe të përfshirë plotësisht në të, shoqëruar me një jetë artistike me aktivitete amatoreske plot skandale të rëndomta, shpesh të fryra artificialisht për pseudo-celebrities shqiptare, mediat në Shqipëri nuk e marrin mundimin të indentifikojnë të famshmit dhe të nderuarit e vërtetë të botës shqiptare kudo ku ndodhen duke i lënë ata të panjohur për publikun e gjerë.

Por rasti i një vajze tiranase të quajtur Masiela Lusha është më flagranti dhe më i pakuptueshmi, sepse ajo i përket botës së kinemasë dhe televizionit kaq të dëshiruar nga mediat. E megjithatë në 26-vjetorin e saj askush su kujtua të shkruante një mesazh urimi, apo të transmetonte disa minuta reportazh televiziv për këtë personalitet të botës shqiptare. Duket qartë se me low profile-n e saj ajo nuk  meritonte asnjë dedikim që u rezervohet diletanteve që përfshihen në skandale, të cilët më shumë duken se bëjnë bujë e zhurmë kot. Dhe me të vërtete, jemi mësuar tashmë të shohim fotografi me bikini sa vetë faqja kryesore e gazetave të një vajze shqiptare që ka vendosur tia tregojë botës lulen dhe frutin e saj natyral, apo një tjetre që bën porno hardcore joprofesioniste në Shtetet e Bashkuara, apo se sa bërtet e çirret Bleona Qerreti për kontributin e saj nudo në çështjen shqiptare apo sherrin catfight të dy këngëtareve amatore, raportimet për të cilin duket se nuk do të mbarojnë kurrë, e shumë e shumë të tjera të tipit tabloid. Dhe pastaj, ne ndjemë fort tërmetin e fuqishëm që shkaktoi vizita në Tiranë e Eliza Dushkut, e cila nuk ka ndonjë lidhje të afërt me Shqipërinë, ku kryetari i pazgjedhur i Bashkisë, krah saj, zgërdhihej me buzëqeshjen e tij të ngrirë si një manekin në një skenë filmi, dhe ku të gjithë ne mësuam sa mirë Eliza Dushku e fliste anglishten. Nuk kam asgjë me Eliza Dushkun, megjithëse vizita e saj politike në Tiranë më la të kuptoj sa poshtë ka rënë në të vërtetë; ajo ka babain me origjinë shqiptare dhe ndoshta meriton pak nderim, por kyetari i Bashkisë së Tiranës ndoshta nuk e di se një vajzë e lindur në Tiranë, nga prindër shqiptarë është e një kalibri më të madh se Eliza Dushku, sepse përveç aktore e njohur, ajo është shkrimtare, përkthyese, aktiviste dhe një gjeni sipas vlerësimit të disa mediave amerikane. Dhe në 23 tetor, kryetari i Bashkisë, mediat dhe gjithë shqiptarët harruan ti uronin asaj, Masiela Lushës, Gëzuar Ditëlindjen. Sa turp, kur e mendon se sa do të thotë kjo për një njeri që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që e do me shpirt vendin ku ka lindur.

Masiela nuk ka nevojë të bëjë tatuazh shqiponjën përkundrejt pagesës dhe pastaj tua shesë mediave si patriotizëm demodé; ajo e ka shqiponjën në zemër që ditën kur lindi në këtë vend. Por e urtë e fjalëpakë, e adhuruar dhe e respektuar, larg skenave të skandaleve të bujshme, ajo personifikon më së miri vlerat dhe tiparet e vajzës shqiptare, krenare dhe e bukur si vetë vendi ku ka lindur. Por duke qënë e tillë ajo lihet jashtë vëmendjes së mediave shqiptare dhe për pasojë jashtë vëmendjes së bashkëkombasve të saj. Por kjo e bën atë edhe më madhështore, edhe më të lartësuar, edhe më të pakapshme, ndërsa mediat shqiptare i bën të reflektojnë mirë për atë çka janë dhe ku duhet të jenë.

Po kush është Masiela Lusha?

Mënyra si mësova për Masiela Lushën është krejt e veçantë. Në vitet 2006- 2007 shikoja çdo ditë në televizor një nga sitcom-et e mi të preferuar George Lopez Show, një sitcom amerikan  me platformë meksikane, të cilit nuk i kisha kushtuar rëndësi për emrat e aktorëve në fillim të episodeve. Një ditë, krejt rastësisht, lexoj emrin Masiela Lusha, vajza që në show interpreton Carmen Lopez-in,  të bijën e George Lopez-it. Emri nuk më tingëlloi amerikano-jugor, madje mbiemri Lusha dhe emri Masiela, dukeshin si të njohur në Shqipëri. I emocionuar u ula menjëherë në kompjuter dhe hyra në Google. Aty, i mrekulluar mësova se vajza e bukur e George Lopez nuk ishte latine, por mesdhetare dhe ishte patriotja ime. Mësova pastaj se si një vajzë e lindur në Tiranë, me pjesë të fëmijërisë jetuar në Hungari dhe Austri, që ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara vetëm 8 vjet më parë (1993), përzgjidhet në 2002 si aktore kryesore në një show plotësisht meksikan duke sfiduar mijëra të përzgjedhur latino-amerikanë të lindur në Shtetet e Bashkuara. Nuk mund ta përmbaja krenarinë për suksesin e saj dhe faktin që një shqiptare luante aq bukur rolin e nje amerikane me origjinë meksikane.

Mësova gjithashtu se ky show nuk ishte shfaqja e saj e parë në televizion, se ajo fliste rrjedhshëm disa gjuhë të huaja, se në moshën 12 vjeçare kishte botuar një libër me poezi në dy gjuhë, të titulluar Persiatje të brendshme, duke u bërë autorja më e re në botë në këtë stil; mësova se si u njoh si një ndër 10 Poetët më të Talentuar të Amerikës së Veriut dhe përgëzimi publik që mori nga ish- presidenti Bill Clinton i cili e inkurajoi atë të qëndronte si shembull për brezat e ardhshëm

Dhe që atëhere karriera e kësaj vajze të talentuar njohu vetëm ngjitje, në botën e kinemasë, letërsisë dhe aktivizmit humanitar, sidomos në mbrojtje të fëmijëve dhe jo vetëm. Në 2007 ajo themeloi kompaninë e prodhimeve kinematografike Illuminary Pictures dhe ka prodhuar deri tani dy filma të suksesshëm. Për një numër të madh aktivitetesh, ajo ka fituar respekt dhe adhurim kudo, përveç ndoshta vendit të saj të lindjes dhe popullit të cilit ajo i kushtoi një deklaratë të fortë para mediave amerikane: Ka një butësi të ndjeshme rreth popullit shqiptar dhe unë kam qënë dëshmitare e mikpritjes dhe e mbështetjes që ata ofrojnë. Në venat e mia rrjedh gjaku i tyre dhe unë jam krenare që të quhem shqiptare

Duke kërkuar ndjesë për impenjimet e mia dhe pamundësinë e shkrimit të një artikulli më 23 tetor, ditëlindjen e 26-të të kësaj figure të madhe, ndonëse me vonesë i uroj

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›