E Shtunë, 31 Tetor 2026

Së pari çmontimi i sistemit mafioz të ngritur nga PD-ja

Skënder Kapiti 

-Populli ynë gjithmonë e  historikisht e ka pësuar nga padrejtësitë që na kanë ardhur nga të huajt, pushtuesit dhe nga kongreset, konferencat dhe marrëveshjet ndërkombëtare; ka vuajtur nga konfliktet, padrejtësitë dhe përçarjet ndërvedi, ka vuajtur nga padrejtësitë e qeverisjeve e politikës dhe korrupsionit të sistemeve politike në shtetin e vet, e posaçërisht e kemi pësuar edhe në këtë periudhë të tranzicionit. Drejtësia shqiptare lëviz në atë kah që e shtyn ryshfeti,  paraja, presioni apo urdhri politik i pushtetit që qeveris. Gjykatat shqiptare janë shndërruar në agjenci ku shiten e blihen prona, e merren vendime të kundërligjshme. Gjyqtarët dhe prokurorët në marrëveshje me avokatë e sekserë janë manipuluesit e fakteve, dosjeve dhe të drejtës e të ligjit, dhe në mënyrë abuzive japin vendime  joprofesionale, korruptive  dhe të paragjykuara e të marra jashtë institucioneve të gjykatave po diku tjetër në zyrat e qeverisë , lokaleve apo nga ndonjë urdhër e telefonatë politikanësh e pushtetarësh. Gjykatësit shqiptarë janë një shtresë  pasanikësh me vila, makina luksoze e me miliona e miliona para, fituar duke kontrabanduar me të drejtën e ligjin; ata janë sot profesionistë e xhambazë në keqinterpretimin dhe keqzbatimin e ligjit, hipokritë e kyemafiozë të pandëshkueshëm e që përfitojnë nga ndëshkimi që i bëjnë të drejtës e ligjit. Gjyqtarët nuk i shohin palët në gjyq si palë të barabarta para ligjit, por si klientë të tyre; i japin të drejtën atij që paguan më shumë. Koeficienti i besueshmërisë ndaj gjykatave është tepër i ulët dhe qytetarët shpesh e në shumë raste, prej vendimeve korruptive kanë shkuar deri në vetëgjyqësi , plagët e së cilës janë një problem i madh social. Dhe gjykatat janë dora vrastare, tinzare në Shqipëri, aq sa është e modës thënia popullore: “Mos  paç punë nëpër gjykata se të rrjepin për së gjalli”. Aq i shtrenjtë është çmimi i shitjes prej tyre i të drejtës. Nëse je politikan, pushtetar e nëpunës i lartë shteti, ose ke ndonjë lidhje farefisnore dhe korruptive me ta nga njëra anë, dhe po ia mbushe xhepat gjyqtarëve e prokurorëve nga ana tjetër, bëj ç’të duash se nuk ndëshkohesh. Vidh e vrit , plaçkit e trafiko e bëj të paligjshmen se lirohesh! Gjykatat veprojnë kështu, sepse ato janë në simbiozë me pushtetin politik e të dyja së bashku bëjnë “mafien”, prej nga ku kanë guximin për të bërë korrupsion , krime, madje të mos ndëshkohen për to. Së pari pushteti politik bën emërimin e gjyqtarëve sipas meritës preferenciale partiake, me lidhje nepotike e korruptive, mundësisht të paaftë profesionalisht, në këmbim të nënshtrimit e shërbimit: ata duhet të modifikojnë dhe të japin vendime që shkojnë në një linjë me politikën e pushtetit, me korrupsionin dhe interesin e pushtetarëve dhe përkundër kësaj, gjyqtarët lirshëm marrin nga politika e qeveria garancinë dhe sigurinë se nuk hiqen nga puna edhe pse ata bëjnë korrupsionin e çfarë të duan me ligjin dhe të drejtën . Pra kjo është lidhja mafioze në simbiozë pushtet-gjyqësor. Në këto 8 vite, me qëllim vënien nën presion të gjykatave dhe Avokaturën e Shtetit, edhe i famshmi Departamenti Antikorrupsion pranë kryeministrit, shërbeu në krijimin e dosjeve, të kallëzimit dhe denoncimit qytetar kundër korrupsionit, që realisht mori atributet e një prokurorie paralele qeveritare me qëllim manipulimin me korrupsionin. Në këtë tranzicion, praktika politike e qeverisëse e PD-së ka bërë vetëm manipulimin si: manipulimin me demokracinë, manipulimin e opinionit dhe informacionit, manipulimin me votën dhe zgjedhjet, manipulimin me dosjet e diktaturës dhe agjentët e Sigurimit të Shtetit, manipulimin me ligjin,  drejtësinë dhe pronat, manipulimin me korrupsionin etj.. Korrupsioni qeveritar, i gjykatave dhe mediave të instaluara në sistemin politik të pushtetit të Sali Berishës, kanë korruptuar shoqërinë, kanë penguar funksionimin social-institucional dhe shoqëria ka humbur deri diku shpresën dhe besimin për të ardhmen edhe në vlerat demokratike. Është mashtrimi më i madh që i është bërë, si opinionit të brendshëm, ashtu dhe atij të jashtëm nga propaganda qeveritare, për rritje ekonomike dhe mirëqenie, kur korrupsioni është në nivelet më të larta historike të shtetit tonë dhe pakrahasueshmërisht më i lartë se çdo vend tjetër europian. Dhe kjo është pasojë direkte e qeverisjes së keqe dhe të papërgjegjshme, me institucione keqfunksionale dhe të dobëta. Kjo gjendje ka vetëm një shpjegim, dhe shpjegimi është se në këtë sistem korruptiv, pushteti , politikanët e gjyqtarët blihen me para. Në një sistem të tillë keq-funksionon edhe shoqëria. Dhe pikërisht kjo është arsyeja kryesore që ndërgjegjësimi dhe inteligjenca popullore e ndëshkoi ashpër me votë qeverisjen e keqe të PD-së, shkaktare të këtij sistemi korruptiv, duke e  dëbuar atë nga pushteti e qeverisja.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›