E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Françesku, futbollistëve: “Lutuni që edhe unë të luaj një ndeshje të ndershme, për të mirën e të gjithëve”

13-08-2013 / Gazeta 55

“Lutuni për mua, që edhe unë, në fushën që më ka lënë Zoti, të luaj një ndeshje të ndershme e të guximshme, për të mirën e të gjithëve”. Këto ishin fjalët, me të cilat Papa Françesku përfundoi takimin me dy skuadra futbolli, kombëtaret e Italisë e të Argjentinës, që i priti sot në mesditë në Vatikan. Nesër në mbrëmje, në orën 20.45, në Stadiumin Olimpik të Romës, ato do të luajnë një ndeshje miqësore, për nder të Atit të Shenjtë. E fillimisht, duke bërë shaka pikërisht për këtë ndeshje, Papa Françesku tha: “Shyqyr që është miqësore, se nuk di për kë të jem tifoz, për Italinë apo për Argjentinën”. Përshëndetja e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete dhe e argjentinasit Hulio Grondona, e vinte theksin në një futboll të shëndoshë e të pastër, që ndihmon solidaritetin e integrimin shoqëror, duke mbrojtur vlerat etike, e Papa nuk la pa vënë në dukje përgjegjësinë e lojtarëve në këtë drejtim. Atyre, Ati i Shenjtë u kërkoi të kenë shpirtin e diletantit, të amatorit, pavarësisht se bëjnë pjesë në skuadra profesioniste: “Ju, të dashur lojtarë, jeni shumë popullorë: njerëzit ju ndjekin shumë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Kjo është përgjegjësi shoqërore! Po e shpjegoj këtë: në lojë, kur jeni në fushë, gjenden bukuria, kënaqësia pa interes dhe atmosfera miqësore. Nëse ndeshjes i mungojnë këto e humb forcën, pavarësisht se skuadra fiton”.
Një sportist, vazhdoi Papa Françesku, megjithëse profesionist, kur mbetet “diletant”, “amator” në shpirt, i bën mirë shoqërisë, pasi i jep asaj pikërisht këto tri vlera: bukurinë, kënaqësinë pa interes dhe atmosferën miqësore. Para se të jeni kampionë, u tha Ati i Shenjtë futbollistëve italianë dhe argjentinas, ju jeni njerëz, me të mirat e të këqiat që ju karakterizojnë, me zemrën dhe idealet tuaja, me aspiratat e problemet, me humanitetin tuaj, që duhet të duket në fushë e në jetë. Ndërkaq, drejtuesve u tha:
“Sporti është i rëndësishëm, por duhet të jetë sport! Futbolli, ashtu si disiplina të tjera, është kthyer në një biznes të madh! Punoni që të mos e humbasë karakterin sportiv. Edhe ju, promovoni atë sjellje prej ‘diletanti’, e cila ndihmon edhe në eliminimin përfundimtar të rrezikut të diskriminimit. Kur skuadrat shkojnë në këtë rrugë, stadiumi pasurohet nga pikpamja njerëzore, zhduket dhuna e nëpër shkallë, fillojnë e duken sërish familjet”.
E në gjuhën e vet, iu drejtua argjentinasve me kujtimet e fëmijërisë, me kampionatin e vitit 1946, kur – theksoi Papa – shkonim në stadium prindër e fëmijë. Kujtoi një gol të Pontonit, sulmuesit të skuadrës së tij të dashur, Shën Lorencit, kampione e Argjentinës. E me kërkesën për lutje, Ati i Shenjtë e përfundoi takimin me futbollistët - mënyrë e këndshme për të festuar edhe 5-mujorin e papnisë së tij, që bie pikërisht sot. Duke folur me gazetarët në kthim nga Rio-de-Zhanejro për bilancin e papnisë, vetë Papa Françesku pati veçuar takimin me ipeshkvijtë italianë, por sidomos vizitën në ishullin e Lampeduzës, gjatë së cilës përqafoi mijëra emigrantët, ardhur në Itali me lloj-lloj barkash e mjetesh të pasigurta lundrimi, për të kërkuar një jetë më të mirë.
Papa Françesku për 200-vjetorin e Katedrales së Qytetit të Meksikos: rast për hov të ri misionar/ “Nxitje e fortë shpirtërore, për impenjim të ri misionar”: kështu e quan Papa Françesku 200-vjetorin e përfundimit të ndërtimit të Katedrales së Qytetit të Meksikos, kushtuar Zojës së Madhe, që do të kremtohet më 15 gusht. Në një mesazh për këtë rast, drejtuar kardinalit Norberto Rivera Karrera, Papa i nxit besimtarët të ushqejnë shpresën, që vjen nga feja dhe u drejton një përshëndetje të veçantë të rinjve “dritare e hapur për gëzimin dhe entuziazmin”. “Rast për t’i hedhur një vështrim së kaluarës, për të fuqizuar të sotmen e për të gatitur të ardhmen”. Kështu e quan Papa Françesku 200-vjetorin e Katedrales së Qytetit të Meksikos, festë përkujtimore, që do të kremtohet në kryeqytetin meksikan më 15 gusht, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Nga historia e kësaj kishe, i shkruan Papa kardinalit Rivera Carrera, mund të nxjerrim mësime të çmuara për jetën tonë të krishterë. E, në vijim, i fton besimtarët ta ruajnë e ta shfrytëzojnë me kujdes e dashuri këtë trashëgimi shpirtërore. Kjo festë, nënvizohet në mesazhin papnor, duhet shikuar si mundësi për t’u kthyer në rrugën e Zotit e si nxitje shpirtërore për ta pranuar me gëzim detyrën, që ka çdo i pagëzuar, për të qenë dishepull e misionar i Krishtit.Nga Eukaristia, shkruan akoma Papa, marrim forcë për ta dëshmuar dashurinë e Jezusit në çdo mjedis, ku ndodhemi e, posaçërisht, ndërmjet njerëzve, që jetojnë në kushte të vështira e që kanë më shumë nevojë për këtë dashuri. Njëkohësisht, pohon, duhet ta pranojmë sfidën për ta parë të ardhmen me shpresë. “Që askush të mos guxojë të na e rrëmbejë shpresën”, përsërit, e i fton të gjithë ta ushqejnë këtë shpresë. Papa uron që Fjala e Zotit, e cila jehon prej dyqind vjetësh në Katedrale, të rrënjoset në zemrat e fëmijëve dhe të rinjve, “dritare e hapur për të hyrë gëzimi dhe entuziazmi”. Të rinjve, pohon Ati i Shenjtë, duhet t’u japim gjënë më të mirë, që kemi: Krishtin, Shëlbues e Mik, i cili nuk të braktis kurrë. Kjo, shkruan më tej Ati i Shenjtë, ka të bëjë më shumë me prindërit, që nuk duhet ta harrojnë kurrë detyrën për edukimin e krishterë të fëmijëve, duke llogaritur jo vetëm energjitë e tyre, por sidomos, duke u mbështetur tek lutja. Në përfundim të mesazhit, Papa ia beson të gjithë besimtarët meksikanë përqafimit amëtar të Zojës së Gadalupes e u kërkon të luten për të.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›