Guxim intelektual, e jo urrejtje dhe frikë
Ne, nga këto territore, si duket jemi krejtësisht të njëjtë kur ju anohemi të huajve, nga të cilët presim diç. Gjithmonë kuptohet se dikë e urrejmë, se frikësohemi nga dikush apo se ai dikushi duhet të frikësohet nga ne, pa qenë të vetëdijshëm për pasojat e këtij qëndrimi të pavetëdijshëm. Një grup i përfaqësuesve të medieve, shoqërisë civile dhe institucioneve nga Rumania gjatë ditëve të kaluara qëndroi në Kosovë, me qëllim që të njihet me jetën në shtetin e ri. Përfaqësuesit e jetës publike në Rumani nëpërmjet shëtitjeve, bisedave, debateve, darkave, është shoqëruar me nikoqirët kosovarë. Në këtë mënyrë organizatorët, organizatat qeveritare apo joqeveritare, të cilat pak a shumë merren me diplomaci publike, po promovojnë imazhin e Kosovës. Është kjo puna e lobimit te Rumania, e cila gjendet në mesin e pesë shteteve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, e në mesin e të cilave janë edhe Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Qipro.
Po si qëndron puna në marrëdhëniet Kosovë-Rumani? Nikoqirët kanë shprehur dëshirën, të mbështetur me argumente, që Rumania ta njohë Kosovën. Por sipas fjalëve të mysafirëve rumunë, duket se përgjigjja pohuese nuk duket në horizont. Shpjeguan se bëhet fjalë për arsye politike, territoriale, ekonomike, parimore. E ndoshta edhe arsye tjera. Ata theksuan se Rumania me shumë dëshirë kufijtë e jashtëm të BE-së do t’i barte në Serbi, për shkak të shpenzimeve të mëdha, më pas se kanë disa sfida territoriale brenda vendit, më tutje thonë se nuk e dinë se sa mund të mbijetojë Kosova ekonomikisht, së treti, çfarë të bëhet me serbët në veri...Shumë njerëz në këtë grup edhe nuk i dinin përgjigjet e vërteta. Madje theksuan se në vend të politikës, e cila tashmë pak a shumë është e njohur, megjithatë preferojnë më shumë të njohin njerëzit, kolegët, ideologjinë, që të zbulojnë realitetin, si atë shqiptar, ashtu edhe atë serbë, por para se gjithash atë kosovar. Mysafirët patën takime me ministra, me parti politike, përfaqësues ndërkombëtarë, shoqërinë civile, mediet, si ato shqiptare, ashtu edhe ato serbe. Takime gjithëpërfshirëse. Në shikim të parë, reprezentative.
U njoftova me ta, kur pas takimeve po diskutonin për përshtypjet e tyre. Fillimisht folëm për atë se si jetohet tek ata. Zbulova se në Rumani, si një shtet anëtar i BE-së, njerëzit kryesisht janë të kënaqur, ngase për shembull i brengos larja e kredisë, për vilat që i kanë në fshat, apo përzgjedhja e destinacionit për të shëtitur, papunësia, siç thonë ata, është në “nivelin e natyrshëm për këtë vend”, lufta kundër korrupsionit po jep rezultate, mediet gjinden në epokën e digjitalizimit, tabloidet shkruajnë për seks dhe skandalet tjera. Mendoj për atë se situata janë gati të ngjashme. Edhe ne jemi në kredi, por për të mbijetuar, edhe ne e dimë se ku është mirë të udhëtohet, por nuk kemi se si, digjitalizimi ende na pret, krahas korrupsionit dhe keqpërdorimeve, skandalet seksuale na shërbehen si ëmbëlsirë, ndërsa sa i përket papunësisë, ne gjithsesi jemi kryesues.
Më tutje, i pyes se çfarë ju kanë thënë nikoqirët shqiptarë dhe serbë, nga radhët e shoqërisë civile në lidhje me Kosovën. Desha të dëgjoj se si paraqitet ndërtimi i shoqërisë së re, e jo vetëm thirrjet për njohje apo mosnjohje. Mysafirët fillimisht më thanë se kanë dashur të mësojnë shumë më tepër për kulturën e jetës, aktivitetet dhe dilemat ndëretnike, pamjen për ardhmërinë e mundshme, por kanë dëgjuar rrëfime për urrejtjen dhe frikën. Dëgjoj se disa kanë folur për arsyet se pse duhet të njihet Kosova, se si ka ardhur deri te shkëputja prej Serbisë, si shpërtheu lufta, sa ka qenë numri i viktimave dhe gjëra të ngjashme. Kanë folur për përgjegjësinë e serbëve, për krimet e luftës. Në anën tjetër, të dytët i janë ankuar rumunëve për mungesën e lirisë së lëvizjes, se pushteti nuk po bën asgjë për ta, se nuk është i sinqertë. Se ky shtet duhet të kontrollohet, ngase po shkel të drejtat e njeriut. Të parët argumentet e tyre. Edhe të dytët argumentet e tyre. Kështu mysafirët ngelen pa ide, pa percepcion se çka është sot shoqëria kosovare, cilat janë vlerat e saj, se pse larushia shihet si predispozitë për urrejtje, e jo si pasuri, nuk kuptuan se ku ta zbulojnë Kosovën në hartën ekonomike të botës. Nuk kishte përgjigje të tilla, ngase shoqëria civile tentonte të bindte dhe ankohej.
Dhe këtu krijohen momentet e errëta të këtij procesi të rëndësishëm të njohjes, të ashtuquajturit networking. Më dukej se flisnin për njerëzit që jetojnë në të njëjtin territor, e sikur nuk jetojnë aty. Ata, të cilët me sinqeritetin e tyre kanë dëshmuar mungesë të sinqeritetit kundrejt përgjegjësisë së tyre shoqërore, të tashmes dhe të ardhmes. Në këtë moment situata mu kthjelltësua. Kjo shoqëri është paraqitur si një lule gjysmë e vyshkur e dhomës, e cila mund të lulëzojë për bukuri, por ju nuk e dini se si të kujdeseni për të. Kosova dhe njerëzit që jetojnë në të janë paraqitur si të pafytyrë, si të ngujuar në gëzhojat e tyre nacionaliste, të cilët harrojnë vlerat njerëzore. Pyes se a ndihmojmë në këtë mënyrë vetën, apo në këtë rast rumunët, që të na kuptojnë më mirë? A mund të ndihmojnë ata? Si? Me njohje apo mosnjohje? Athua në vazhdimësi presim, që dikush të vijë dhe të na i zgjidhë të gjitha mossukseset, korrupsionin, vjedhjet, liritë e kufizuara, mos-gjetjen tonë në këtë botë? A do të rreshtohet ai dikush në njërën anë dhe të thotë, “po, serbët janë fajtorë?” A po do të thotë, “Megjithatë shqiptarët janë fajtorë”? Zbulova se po ecim rrugës më të lehtë. Është ofruar viktima. Në këtë delirium të viktimizimit konstant kemi idenë se të tjerët në vazhdimësi duhet të dëgjojnë për ideologjitë tona të shtrembëruara, ankesat, bartjen e fajësisë, paaftësisë të paraqesim atë çka kemi bërë apo atë që mund të bëhet. Ne, nga këto territore, si duket jemi krejtësisht të njëjtë kur ju anohemi të huajve, nga të cilët presim diç. Gjithmonë kuptohet se dikë e urrejmë, se frikësohemi nga dikush apo se ai dikushi duhet të frikësohet nga ne, pa qenë të vetëdijshëm për pasojat e këtij qëndrimi të pavetëdijshëm. I frikësohemi larushisë, të cilën menjëherë e definojmë si problem. Frikësohemi fillimisht kombëtarisht, më pas politikisht dhe përderisa për disa e kaluara është ideale, për tjerët është fantazmë. Pse mendojmë se ai tjetri nuk ka të drejtë, ngase qëndrime të ndryshme politike apo qëndrime tjera? Pse duke i paraqitur si të këqij tjerët, nuk e paraqesim vetën në mënyrën e duhur? Këto ankesa nacionale mund t’iu turbullojnë mendjen dhe të ju kushtojnë me kokë. Nëse tentoni ti shpjegoni, rrezikoni që të galerinë e karakterizimit të meritoni vendin e tradhtarit dhe të patriotit, si të njërit tonë, ashtu edhe të tyre, mund të jeni si informator, ashtu edhe dezinformator. Kështu kalojnë ditët, i shtyjmë vitet, mundohemi, e koha tashmë matet para dhe pas pavarësisë, apo para dhe pas luftës. Duke humbur në kohë, të dy anët në një moment, një ditë, kanë humbur rastin për vizionin për ardhmërinë. Janë pajtuar që edhe më tutje të mbahen të kapërthyer për shkopin e së kaluarës. Por të gjithë ata duhet të kuptojnë se në vend të viktimizimit, na nevojitet vizioni, se në vend të frikës na nevojitet guximi intelektual.