UFO- kandidati që sgaranton ligjin
Moszbatimi dhe shkelja e ligjit, veçanërisht prej të veshurve me pushtet, është kthyer në fenomen shqetësues për realitetin shqiptarë. Një sërë reagimesh i janë adresuar strukturave shtetërore, jo vetëm prej faktorit të brendshëm, por edhe atij ndërkombëtarë. E megjithatë, me gjithë kritikat e forta, Shqipëria vazhdon të jetë në krye të listës së vendeve që nuk i respektojnë ligjet dhe ky trend, nga sa duket, sërish do të përbëjë sfidën e madhe që duhet të përballojë vendi më i prapambetur ballkanik, për të qenë anëtar për në Bashkimin Europian. Ngaqë, përveç demonëve që sundojnë klanet e pushtetshme, të njohura tashmë për qenien jashtë ligjit, të tjerë kandidat të rinj po e nisin rrugën e vet parlamentare me po të njëjtën frymë.
Astrit Velia, presidenti i Albania University, kandidati për deputet i Partisë Demokratike, për qarkun e Beratit, është njëri prej tyre. Për veprimtarinë e tij elektorale, disa ditë më parë, kandidati për deputet i Partisë Socialiste, në po këtë qark, Artan Lame, shpërndau fotografi, që e shquanin garuesin e PD-së, për të qenë deputet në parlament pas 23 qershor 2013, pra Astrit Veliajn, duke bërë fushatë elektorale në ambientet e universitetit të tij. Çka përbën shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, në pikën 4, të nenit 78 të të cilit, që përcakton: Të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës, citohet: Ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në institucionet publike. Dhe institucionet shkollore, qofshin këto edhe private, dihet që janë publike çka presupozon faktin se ligjërisht është i ndaluar përdorimi i ambienteve të tyre për qëllime elektorale. Sikurse është krejtësisht e ndaluar të përdoren për këtë qëllim nxënësit e shkollave, që nuk kanë mbushur moshën ligjore të votimit. Mirëpo kjo kambanë ligjore është e padëgjueshme për kandidatin Veliaj, i cili që në nisje të qenies parlamentar i të ardhmes e rreshton veten tek të dalët jashtë ligjit.
Ky zotëria që shikoni duke folur është Astrit Veliaj, kandidat i PD-së në Berat. Këtu është duke zhvilluar sot një takim elektoral në ambientet e Universitetit të Beratit (shkelje flagrante e ligjit). Është duke ju folur maturantëve të 3 gjimnazeve të qytetit: Shyqyri Lakra,Babë Dudë Karbunara dhe Kristaq Capo… Edhe kjo shkelje flagrante e ligjit. Gjimnazistët u hoqën nga mësimi dhe në mënyrë të organizuar u çuan të dëgjojnë broçkullat e Astritit, nga vetë drejtorët e gjimnazeve . Kështu kumton Lame në mesazhin Facebook-ian, duke u bërë thirrje shokëve të rrjetit ta shpërndanin në sa me shumë adresa këtë informacion. Reagimi i mësipërm publik i kandidatit, Artan Lame, vjen pasi më parë në adresë të kandidatit Astrit Veliaj,(që habitshëm mban njëherësh edhe titullin Nderi i qytetit të Beratit, por është edhe i penalizuar nga kjo Bashki), ishte adresuar një tjetër veprim i tij, që atakonte po shkeljen e Ligjit zgjedhor. Fjala ishte po për shfrytëzimin e ambienteve universitare për propagandë elektorale, por edhe për shpërndarjen klasë më klasë të një formulari nëpërmjet plotësimit të të cilit u bëhej thirrje studentëve të garantonin se do të ishin mbështetje të presidentit Veliaj. Një tjetër sjellje kjo që vjen në kundërshtim me Kodin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe që vijimëson edukatën antiligjore që mbart kandidati për deputet i qarkut të Beratit, Astrit Veliaj. I cili pikërisht për këtë devijim moral,në datën 06 qershor 2011, del të jetë dënuar nga gjykata e Beratit me një milion lekë gjobë për shkatërrim prone dhe ndërtim pa leje. Dënim ky që ka ardhur pas padisë së ngritur ndaj tij nga Bashkia e qytetit të Beratit, e cila e akuzonte për shkatërrim të pronës dhe ndërtime pa leje në zonën tampon. Fjala është për prishjen e godinës së maternitetit të Beratit, pas transferimit pranë spitalit civil, ish- pronë shtetërore e privatizuar më pas, punimet për shndërrimin e të cilës atëkohë në Universiteti UFO dhe sot Albania University, nisën pa lejen e Bashkisë. Ndonëse u përball disa herë me Policinë Bashkiake, Astrit Veliaj e nisi dhe e bitisi ndërtimin pa leje bashkiake, duke e shndërruar ish-Maternitetin në Universitet. Por edhe duke mos e përfillur kriterin ligjor.
Në fakt, kandidati Astrit Veliaj, që në zgjedhjet 2013 garon për të qenë deputet në qarkun e Beratit, e ka nisur realizimin e ambicies së tij parlamentare katër vite më parë, por jo si kandidat i Partisë Demokratike. Sipas skedës së disponuar nga KQZ-ja, mësohet se atëkohë, shtetasi Astrit Veliaj, i datëlindjes 08-04 -1958, garonte në zonën 078 të qytetit muze për subjektin politik Partia Republikane. Por mësohet, gjithashtu, edhe se gjatë viteve të qenies së tij president i Universitetit UFO, kandidati Veliaj kishte arritur të linte pas qenien e tij me arsim të mesëm. Në skedën e KQZ ai rezulton i laureuar në Fakultetin Juridik, Tiranë, por pa precizuar pranë cilit universitet. Çka vërtet ngre dyshime për vetëlaureim në universitetin pronë të tij,por që përbën të dhënë të rëndësishme për ti kumtuar elektoratit beratas faktin se nga ish- mekanik, në një ofiçinë makinerish bujqësore, në periferi të Tiranës, që kishte qenë në kohën e regjimit komunist, dhe ish- tregtar i suksesshëm vetratash alumini në vitet paskomuniste, kandidati Veliaj, kishte arritur nivelin e laureimit në jurisprudencë. Por edhe të ngjitjes në fronin e presidentit të UFO University, çka, për këtë arsye, midis beratasve nisi të njihej si: Kandidati UFO i Fatmir Mediut.
Nga gara zgjedhore e 2005, Veliaj doli i humbur, por jo i shkurajuar për ta vazhduar ambicien e parlamentarizmit. Ai nuk arriti të hyjë në parlament si deputet republikan, ndërkohë që Bashkia e Beratit, vazhdonte ta denonconte si shkelës të ligjit. Duke e akuzuar për shkatërrim të pronës dhe ndërtime pa leje në zonën tampon. Por, po në të njëjtën pozitë të shkelësit të ligjit, ish UFO kandidati prezantohet edhe në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, kur nuk garon si republikan, por si kandidat i Partisë Demokratike. I vendosur madje në atë që vlerësohet si zona e sigurt e listës, ndërkohë që i vetmi beratas i kësaj liste, Lefter Maliqi, është rreshtuar në zonën e dyshimtë të saj. Kandidati Astrit Veliaj ka projektuar ta fitojë mandatin e deputetit duke përdorur si mbulesë hijen madhështore të godinës së Universitetit të Beratit, të ngritur pa leje, mirëpo sa i vlen shoqërisë sonë një deputet që qysh në kandidim rezulton si shkelës ligji?
