E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosha e tretë, pleqëria mbetet një sekret i turpshëm

Pleqtë, a janë qenie njerëzore? Duke gjykuar nga mënyra se si trajtohen nga shoqëria jonë, të vjen natyrshëm dyshimi: pleqëria mbetet një sekret i turpshëm, një subjekt i ndaluar, - shkruan Simone de Beauvoir.

Pleqëria, një fjalë që evokon një pluralitet imazhesh, idealesh, një objekt i përhershëm refleksionesh në të gjitha format e shprehjes kulturore, me anë të së cilës kuptohet e interpretohet eksperienca humane. Të plakesh është një privilegj e një objektiv i shoqërisë, por dhe një sfidë me impaktet e saj në çdo sferë, është një proces i lidhur kronologjikisht me moshën, por që jo nevojshmërisht korrespondon me të. Pleqtë a janë qenie njerëzore? Duke gjykuar nga mënyra se si trajtohen nga shoqëria jonë, të vjen natyrshëm dyshimi: pleqëria mbetet një sekret i turpshëm, një subjekt i ndaluar, - shkruan Simone de Beauvoir.

Pleq apo të moshuar, mosha e urtësisë apo moshë e avancuar, shpesh leksiku i përditshëm abuzon pa dashje me këtë fjalë e jo rrallë harrojmë se këtë status social do vijë radha ta veshë secili prej nesh. Shkenca e mjekësisë e quan Mosha e tretë e tendencialisht përfshin të gjithë personat mbi moshën 60-65-vjeçare që fillojnë e tërhiqen nga aktiviteti punësor i tyre, por që përkufizimi i saktë i këtij koncepti ndryshon nga një shoqëri në tjetrën e nga çdo individ në tjetrin.

Pension e pleqëri të mbarë! - thoshin dikur e sot ky urim nuk ka shumë kuptim. Kush ka vite që ka dalë në pension edhe pse moshën nuk e ka mbushur ende, por veten nuk e konsideron aspak plak, kush ka kohë që ka mbushur moshën e pensionit e vazhdon të punojë aktivisht, e kush nën një ajër indiferent ka pranuar ardhjen e këtij momenti.

Dikur sapo kalonin kufirin e 60 viteve të jetës gjyshërit i quanim e vetëquheshin pleq, ndërsa sot prindërit tanë nuk janë të tillë. I konsiderojmë persona me moshë të pjekur e pasqyra duket se na jep të drejtë. Por ndodh që duke ecur nëpër rrugët e Tiranës kjo pjekuri moshore shpesh alternohet e jo pak herë e ndesh në fytyra të mbuluara nga melankolia, në pamje të gërryera nga vuajtja apo në shëmbëlltyra të një rinie të përjetshme. Nga një lagje tek tjetra, nga një tezgë trotuari tek një tavolinë lokali i takon me sy në çdo moment e admiron qetësinë e dukshme me të cilën ata kryejnë e ritualet e tyre të përditshme.

Çdo ditë në një nga kryqëzimet e zhurmshme të Tiranës, aty ku ajo çka ka mbetur nga një lagje e vjetër tiranase lidhet me botën e trafikuar të unazës, takon me sy ndoshta shitësin më të vjetër të qytetit që nën një kapele ngjyrë blu të zbardhur nga dielli kujdeset manjakisht mbi çdo objekt të renditur mbi tezgën që i rri pranë. Ka vite që ndodhet në të njëjtin vend, madje për këdo që shpesh kalon në këtë rrugë ai është pjesë e arkitekturës së pallatit modern, sfond i pangatërrueshëm i tezgës së tij. I palodhur, përherë në këmbë edhe pse majtas një stol plastik i bardhë është shoqëruesi i tij më besnik, pret me buzëqeshje këdo që kuriozisht i afrohet. Mjafton një përshëndetje dhe kupton vendardhjen e tij jugore e teksa mundohem të di diçka më shumë mbi të, përgjigjja: Jabanxhi jam unë, çfarë të bëj, të çarmatos nga fjalët e nuk të lejon të shtosh veç urimin: Të ectë puna mbarë!. Pak metra më larg ulur në bordurat e dyqanit të një berberi tre burra në moshë të pjekur me gazetat e ditës në duar hedhin e presin batuta politike me njëri-tjetrin. Janë të superinformuar e aftësia e tyre për të thjeshtëzuar shpjegimet e çdo ngjarjeje të ndodhur një ditë më parë është për tu admiruar. E nuk janë të vetmit, pasi në çdo trotuar syri të zë persona të kësaj moshe që qetësisht ecin ndër mendime me të pamungueshmen gazetën e tyre të preferuar. Një elegji për pleqërinë media e shkruar besoj ua ka borxh, pasi ata janë konsumatorët e përditshëm të tyre më besnikë.

Në orët e para të mëngjesit ndërsa i afrohesh bulevardit kryesor shikon grupe zonjash 60-65-vjeçare, por dhe më të reja apo dhe më të moshuara që ndërsa përpiqen të kalojnë me kujdes e nxitim nga një trotuar në tjetrin, i drejtohen kodrave të liqenit. Ka vite që kafenë e mëngjesit e pimë nga liqeni, - thotë njëra prej tyre, - dimër, verë, ftohtë shi, ne takohemi çdo ditë e kalojmë paraditen së bashku. Dikur ishim vetëm katër shoqe, tani grupi ynë është akoma më i madh, ndoshta nuk na beson, por jemi më shumë se njëzet gra. Disa dalin më shpejt e na presin te lokali sipër, disa të tjera si puna jonë vijnë pasi kemi shoqëruar nipat apo mbesat në shkollë. Është një mënyrë për të kaluar mërzitjen, vetminë, për të ndenjur në shoqëri e për të luftuar plakjen, - shton një tjetër. Pothuajse të gjitha kemi dalë në pension para kohe e kontaktet me miqtë e vjetër i humbëm, por shëtitjet tek liqeni na ofruan miqësi të reja. Këtu ajri është më i pastër, por dhe kafeja pihet më lirë.

Duke u ngjitur rrugës së liqenit artificial, nuk ke si mos tiu japësh të drejtë fjalëve të tyre. Grupe grash e burrash, pjesë të asaj shtrese që shkenca e mjekësisë i quan Mosha e tretë janë të shumtë, shëtisin gëzueshëm e popullojnë argëtueshëm baret e zonës. Të duket sikur ndjehen padronë të jeshillëkut që i rrethon, mbretër të kurorëzuar të një qetësie që ia dinë mirë vlerat e përdorues të denjë të kësaj fjale. Të mbajtur krah më krah me njëri-tjetrin, duket sikur thithin çdo moment të kësaj jete e reflektueshëm ja shpërndajnë me fjalë apo shikim çdokujt që i rri pranë.

Janë klientet tona të përditshme, - më tregon kamerieri i lokalit ku u ulën zonjat që takova pak më parë në bulevardin kryesor. I njoh të gjitha dhe me emra biles, -vazhdon ai, e ndërsa prezanton nga larg emrat e tyre, më rendit dhe zakonet e përditshme të secilës. Ja nuk kam nevojë të shkoj të marr porosinë, një kafe pa sheqer për X sepse vuan nga diabeti, kafe me qumësht për Y e kështu me radhë, secila paguan kafenë e vet, këtu kalojnë tërë paraditen e nuk lëvizin para orës 12:00.

Pak më tutje aty ku pamja e liqenit nis e të largohet nga sfondi për tia lënë vendin asfaltit të ngushtë të mbuluar nga larmia e gjetheve shumëngjyrëshe, nga larg të bie në sy një çift në moshë të pjekur, të cilët të veshur me tuta sportive në ngjyra të ndezura e me kapele në kokë, ecin duke mbajtur për dore njëri-tjetrin. Përballë këtij kuadri të mrekullueshëm, që do e kish zili piktori i çdo rryme arti të djeshëm apo të sotëm, spontanisht recitoj me vete vargjet e fundit të poezisë së poetit turk, Nazim Hikmet, Kavalieri i rinisë së përjetshme.

Por ti je kavalieri i pamundshëm i të eturve,

ti do vazhdosh të jetosh si një flakë

në guaskën tënde të rëndë e të hekurt

e Dulcinea do jetë çdo ditë më e bukur.

Njeriu plaket spontanisht, është ligj i natyrës, po mënyra varet nga çdo person i vetëm, nga ajo çka jetuar, çka vazhdon të jetojë e çka ADN e tij i ofron. Është vërtet një art i madh ai i plakjes në një mënyrë sa më të mirë. Një art me të gjitha sekretet e tij, durimi, qetësia, rinjohja, koenfidenca, shqetësimi, depresioni, kapërcimi i tyre. Çdo shoqëri e aq më shumë ajo e jona ka nevojë të zhvillojë një sensibilitet të ri ndaj urtësisë e kuptimin e pleqërisë ta rivlerësojë si një e mirë e çmueshme.

Pleqëria një objekt i përhershëm refleksionesh në të gjitha format e shprehjes kulturore, me anë të së cilës kuptohet e interpretohet eksperienca humane nga filozofia tek antropologia, nga letërsia tek arti, nga koshienca tek psikologjia.

Hipokrati në Greqinë antike e krahason ekzistencën humane me katër stinët e vitit e pleqëria prezantohet natyrisht nga dimri. Pas shumë mijëvjeçarëve, stinët nuk janë si më parë, kanë ngatërruar klimë e shpesh dimri alternohet me vjeshtën apo pranverën.

 Mosha e Tretë (1970) e Simone de Beauvoir

Pleqëria duhet

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›