Moska shprehet kundër ndërhyrjes në Siri

Moska ka paralajmëruar NATO-n dhe fuqitë e tjera të mos kërkojnë “pretekst” për të ndërhyrë ushtarakisht në konfliktin e përgjakshëm të Sirisë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Inerfax, zëvendësministri i Jashtëm rus, Gennady Gatilov, ka thënë se Rusia kundërshton edhe korridoret humanitare apo zonat mbrojtëse.
Komentet e tij vijnë në mesin e tensioneve në rritje ndërmjet Sirisë dhe Turqisë, pasi një raketë e hedhur nga Siria ka rënë brenda Turqisë.
Ankaraja ka kërcënuar se do të përgjigjet nëse kjo ndodh përsëri.
Gatilov ka bërë thirrje për përmbajtje në mes të Turqisë, anëtare e NATO-s, dhe Sirisë, ku, sipas tij, ka “rritje të radikalëve brenda opozitës siriane”.
Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, së fundmi ka kritikuar Rusinë për bllokimin e përpjekjeve në Kombet e Bashkuara për t`i bërë presion presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, duke thënë se qëndrimi i Moskës lejon vazhdimin e masakrave në Siri.
Revolta kundër regjimit të Assadit ka nisur në mars të vitit të kaluar. Mbi 27,000 persona thuhet të kenë humbur jetën në trazira.